Gripi i derrave, diplomati del nga izolimi në infektiv
Diplomati i dyshuar si i prekur nga gripi i derrave ka dalë dje nga karantina. Kjo pasi analizat laboratorike rezultuan negative për virusin e rrezikshëm. Gjithsesi nga sa pohojnë mjekët e Spitalit Infektiv, ai do të mbahet edhe për disa ditë në trajtim mjekësor. Kampionë gjaku të pacientit janë dërguar jashtë dhe përgjigjet e këtyre analizave do të konfirmojnë përfundimisht se çfarë çoi në rëndimin e gjendjes shëndetësore të tij. Të gjitha strukturat shëndetësore u vunë në alarm dy ditë më parë, pas simptomave të ngjashme me ato të gripit të derrit me të cilat u paraqit në spital diplomati. Menjëherë pacienti u izolua dhe iu kryen të gjitha ekzaminimet e nevojshme. Për fat të mirë paniku përfundoi brenda ditës. Në gatishmëri të plotë Ministria e Shëndetësisë konfirmoi dje se vendi ynë është ende i “pastër” nga sëmundja që ka alarmuar të gjithë botën. Sipas këtij dikasteri, çdo person që vjen nga jashtë dhe ka shenja të gripit të zakonshëm, duhet t’i nënshtrohet disa ekzaminimeve që janë në protokoll. Çdo rast i tillë konsiderohet si rast i dyshuar dhe merren menjëherë masat përkatëse.