Flamuri shqiptar do të ngrihet nesër në Selinë e NATO-s në Bruksel
Kryeministri Sali Berisha u nis sot në mesditë për në Bruksel, ku do të marrë pjesë në ceremoninë e organizuar në selinë e NATO-s, për ngritjen e flamurit kombëtar të Shqipërisë dhe Kroacisë, si dy anëtarët më të rinj të Aleancës, përkrah flamujve të 26 vendeve anëtare të NATO-s. Sipas zyrës së shtypit pranë kryeministrisë, në këtë ceremoni, të drejtuar nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Japp de Hoop Scheffer do të jenë të pranishëm 26 ambasadorët e vendeve anëtare të NATO-s dhe delegacionet e Shqipërisë dhe Kroacisë të kryesuar nga Kryeministrat e dy vendeve. Delegacioni zyrtar shqiptarë i cili do të kryesohet nga Kryeministri Berisha do të ketë në përbërje të tij edhe Ministrin e Punëve të Jashtëm, Lulzim Basha dhe ambasadorin e Shqipërisë në NATO, Artur Kuko. Banda ceremoniale e NATO-s do të luajë fillimisht himnet kombëtare të Shqipërisë dhe Kroacisë dhe himnin e NATO-s. Këtë ceremoni do ta përshëndesë Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Japp de Hoop Scheffer dhe më pas, do të mbajnë fjalët e tyre të rastit Kryeministri Berisha dhe Kryeministri i Kroacisë Sanader. Gjatë kësaj vizite, Kryeministri Berisha do të ketë takime dhe bisedime me personalitete të pranishme në këtë ceremoni.