Avokati i Prokurimeve: 354 biznese ankimuan gjatë 2008

Kompanitë pjesëmarrëse në tendera depozituan pranë Avokatit të Prokurimeve 354 ankesa gjatë vitit 2008, ku kundërshtuan vlerësimet e autoriteteve kontraktore apo të Agjencisë së Prokurimeve Publike. Kreu i Avokatit të Prokurimeve, Edi Spaho, tha gjatë prezantimit të raportit vjetor në Komisionin e Ekonomisë të Kuvendit, se numri i ankesave të biznesit ndaj rasteve abuzive dhe shkeljes së ligjit arriti në 354. "Me iniciativën e Avokatit të Prokurimit ka nisur në 53 raste hetimi ndaj disa tenderëve me shkelje", vijoi Spaho. Avokati i Prokurimeve vuri në dukje se vendimet dhe rekomandimet e tij mbi këto çështje janë mbështetur nga Agjencia e Prokurimit Publik për të skualifikuar ofertat e operatorëve me mangësi në dokumentet kualifikuese. Ndërkohë, Spaho vuri në dukje se është rritur numri i pjesëmarrësve për çdo tender si rezultat i ligjit të ri "Për Prokurimet Publike", por ai kërkoi mbështetjen e Komisionit të Ekonomisë për rregullime, pasi sipas tij, "megjithëse është një ligj i mirë gjatë zbatimit janë hasur edhe mangësi". Avokati i Prokurimeve është një strukturë në mbrojtje të biznesit, e krijuar në nëntor 2007.
...