E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në Vlorë merren masa për standardet mjedisore gjatë sezonit turistik

Drejtoria e Shëndetit Publik, në  Bashkinë e qytetit të Vlorës,  ka hartuar një plan të detajuar veprimi për të garantuar standarde të përshtatshme mjedisore dhe higjeno-sanitare,  për sezonin e ri turistik që pritet të nisë në muajin maj të këtij viti. Burime pranë Drejtorisë së Shëndetit Publik, bënë të ditur se, pjesë e këtij programi, do të jenë kontrolli i vazhdueshëm i njësive të shërbimit tregtar, që funksionojnë përgjatë bregdetit, dezifektimi i zonave të ekspozuara ndaj rrezikut të insekteve, si dhe kontrolli i sistemit të furnizimit me ujë të pijshëm dhe kanalizimeve të ujrave të zeza. Sipas burimeve, aktualisht, janë identifikuar zonat e ekzpozuara ndaj rrezikut të insekteve, të cilat shtrihen kryesisht në pjesën bregdetare dhe në disa lagje periferike që ndodhen nën nivelin e detit. Po ashtu, pritet të nisë së shpejti verifikimi i kushteve higjeno-sanitare të njësive të licensuara të shërbimeve, bareve, restoranteve, hoteleve etj,  ku  do të aplikohen sanksione, për të gjitha ato njësi tregëtimi që nuk i përmbushin këto kushte. Sezoni  turistik në qytetin e Vlorës pritet të nisë në fillim të muajit Maj. Në ditën e çeljes së tij janë planifikuar një sërë aktivitetesh sportive e kulturore. Vitin e kaluar bregdeti i Vlorës u vizitua nga rreth 220 mijë pushues.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›