E Shtunë, 31 Tetor 2026

Maratona e NATO-s, Topalli: Ne ia dolën mbarë

 

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, e pranishme në maratonën e fëmijëve të shkollave të kryeqytetit nën moton “Unë, në NATO”, deklaroi se “shqiptarët arritën ta realizonin me sukses një sfidë të tillë”. “Kjo është maratona që shqiptarët gjatë viteve kanë realizuar dhe kanë dalë kampion. Kupa që u mor është kupa që prindërit tuaj marrin në 4 prill në Strasburg - Kehl, ku Shqipëria bëhet anëtare me të drejta të plota në NATO. Gjëja më e rëndësishme është për prindërit tuaj, që fëmijët e tyre në të ardhmen do të kenë jetën e sigurt, atdheun e sigurt dhe me më shumë shanse. Shqipëria do të vazhdojë maratonën e saj, sepse shqiptarët kanë gara të tjera shumë të rëndësishme”, deklaroi Topalli. Kryeparlamentarja theksoi se, “ne ndjehemi krenarë që në një periudhe rekord kemi bërë të mundur atë që dukej e  parealizueshme vetëm pak vite më përpara”. “Ky është premtimi që ne i kishim dhënë prindërve tuaj; ky është premtimi që ne mbajtëm për ju. ‘Unë në NATO’ sot është realitet, është realitet për fëmijët e shkollës, është realitet për prindërit tuaj, është realitet për vendin tonë”, tha Topalli. Ajo e shoqëruar nga fëmijët e mbylli aktivitetin e maratonës me një vizitë te mjediset e Kuvendit, në sallën e madhe të Kryesisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›