E Shtunë, 31 Tetor 2026

Flamuri vlerëson Zamir Shtyllën si “Del Piero”

Nga Tema

Antena brenda familjes

Flamuri mori dje i shqetësuar në telefon doktorin. Gazeta “Koha Jonë” e kishte mërzitur. Në titullin e saj kryesor ajo ka hedhur poshtë gjithë krahasimin brilant që i nderuari Gëzim Peshkëpia bëri për prokurorin Zamir Shtylla, si dhe hetuesin Thimio Gazheli. Në vend që të shkruanin, siç e tha zoti Peshkëpia, pra që Zamir Shtylla e mban veten për “Di Pietro”, kanë shkruar: “...Zamir Shtylla, i cili konsiderohet sot si “Del Piero” i Shqipërisë”.

- Më thanë që kjo është një gjë shumë qesharake, që na turpëron të gjithëve dhe natyrisht, revolton pa masë zotin Peshkëpia, i cili ka të drejtë të dyshojë për këtë gazetë.

- E kuptoj, - i tha Berisha. - Kush e ka bërë?

- Të them të drejtën dhe unë dyshova fillimisht se mos brenda asaj gazete ka mbetur ndonjë nga ata të vjetrit e “Koha Jonë” që ishin të egër kundër teje, dhe pro komunistëve me duar të përgjakura. Dje, gjithë ditën për këtë punë kam hetuar. Thirra një djalë që është si kryeredaktor dhe ka për mbiemër një libër të shenjtë. M’u betua që është i ri dhe nuk ka lidhje me të vjetrit. Pastaj hetuam se ishte aty një ish-gazetar i “Zërit të Popullit”, por as ai nuk kishte gisht. Kam gjithë ditën që hetoj, se isha i bindur se një i vjetër nga ish-“Koha Jonë” duhet të ishte patjetër, se nuk kishte mundësi që shprehjen më të bukur të zotit Peshkëpia ta bastardonin në atë mënyrë.

Më në fund mora gjithë stafin e “Koha Jonë”, e verifikova dhe më rezultoi se realisht asnjë prej tyre nuk kishte punuar më parë te “Koha Jonë”, përveç njërit te financa dhe shpërndarja e gazetës. Kjo gjë më shqetësoi sinqerisht, pasi na u hap një problem i ri, problemi i kontrollit të gazetave tona.

- Të drejtë ke, d.m.th., janë të papërgjegjshëm, - i tha Berisha.

- Ne duhet t’i jemi mirënjohës zotit Peshkëpia që e dha atë intervistë dhe që na mbështeti me kurajë në gjithë këtë proces. As që e vrau mendjen fare, nëse ne po e përdorim për mirë apo për keq atë gjë. Por ai ka të drejtë të na hyjë me shkelma, kur shikon se një gazetë ngatërron Di Pietron me Del Pieron. E vërtetë është, se të dy janë të famshëm në Itali, por njëri si njeri i ligjit dhe tjetri si njeri i topit. D.m.th., futbollist, jo i Bamir Topit. Kjo më shtyu t’i thelloja hetimet. Thirra sekretarin, mora borderonë e “Koha Jonë” të 2008-ës dhe atë të vitit 1995 dhe i thashë m’i krahaso emër për emër. Kur të gjesh ndonjë të ngjashëm, më bë telefon. Pas çerek ore, mori i gëzuar. - E gjeta, - tha. - Aleksandër Frangaj. Ka qenë dhe më 1995-ën. Ka bërë shkrime që ka dënuar ligjin për gjenocidin e vitit 1995. I ka shumë të egra shkrimet. Paska mbetur i fshehur përsëri këtu, - më tha sekretari. Ma bëri me shenjë t’u lajmëroja ju menjëherë. Unë, në fakt, nuk kam çfarë t’u lajmëroj, pasi e di që nuk është tek ai problemi. Ai tani e ka kuptuar gabimin që ka bërë më 1995-ën dhe është pro ligjit. Problemi është se ata e kanë ngatërruar dhe na e kanë bërë qesharake gjithë punën.

- E kuptoj, e kuptoj, por zoti Frangaj s’ka gisht në këtë punë. Shiko kush e ka ngatërruar.

- Prandaj vendosa të pyes kryeredaktorin e gazetës. E mora në kafe dhe i kërkova me takt ta di kush e ka bërë këtë gafën.

- Na mori Sandri në telefon, - tha. - Na tha vëreni mbititull këtë që ka thënë ky për Del Pieron, se është e madhe. Madje, na tha se ky Zamiri bën si futbollist i madh, por është kot. Do ta hajë golin për shalësh nesër, do kalojë ligji. Dhe ne e bëmë.

- E sigurt? - i thashë.

- E sigurt, - tha.

E verifikova dhe në fakt ashtu më doli. S’dija ç’të bëja dhe pyeta dikë tjetër aty te “Klani”, nëse Frangaj e ka thënë për t’u tallur apo e ka thënë me gjithë mend.

- Jo, - më tha, - e ka thënë me gjithë mend.

- Po na ka bërë qametin, i thashë, se na ka ngatërruar Di Pietron me Del Pieron.

- As mos ça kokë, - tha. - Ne na ka ngatërruar pronarin me analistin dhe nuk mërzitemi, jo Del Pieron me Di Pietron, që të dy të njohur janë.

- Mos e beso atë. Ai që ta ka thënë atë, mund ta ketë ba. Shikoje me kujdes.

- Dakord doktor, po e shikoj. Por desha të të pyes, ne si na duhet ky Zamir Shtylla si Del Piero apo si Di Pietro?

- E kam sqaru njëherë për këtë çështje zotin Frangaj, d.m.th., s’do merrem me ju… - tha, dhe mbylli telefonin

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›