Pushtetet si prirje ndaj lirisë
Para pak ditësh, nëpërmjet internetit erdhi një protestë nga Zvicra, e nënshkruar nga Xhemal Ahmeti, me të cilën u solidarizova menjëherë.
Si ai, dhe unë ndodhemi larg, dimë atë që thuhet në faqet e shtypit, mund të mos dimë gjëra që mbase peshojnë më shumë, por është e sigurt se grindja ka të bëjë me mosqenien më “afër” qeverisë. Nëse “TemA” do të ishte si më parë, nuk do të merrej kush me problemin në fjalë. Por Liria e Fjalës sigurisht do të ishte po aq e brishtë, e rrezikuar, dhe pse rreziku binte tjetërkund.
Sinqerisht, duke dashur që në qeverisjen e Tiranës të ndodhin sa më shumë gjëra të mira, nuk jam i prirur të nxitohem në qortimin ndaj qeverisë së saj të radhës. Ikur prej disa vitesh, them se e kuptoj më ftohtë gjendjen aty dhe jam në gjendje të vendos koeficientin e (mos)besimit përpara çdo deklarimi të palëve midis. Gjithashtu, edhe më pak besoj tani se liria e fjalës apo demokraci të këtij lloji do të vijnë shpejtazi në atë truall social e politik.
Por pikërisht për këtë logjikë, nuk e shoh të udhës të hesht, kur cenohet zyrtarisht dhe publikisht një gazetë. Cilado qoftë ajo.
Por është në këtë rast një gazetë, për të cilën, nëse ke pasur ndonjë rezervë dikur, nuk mund të mos pranosh se është bërë gazeta numër një, e ngarkuar me përgjegjësi ndaj së vërtetës së faktit, një gazetë që po artikulohet qartë dhe bukur për një varg problemesh, me dhe pa objekt qeverisjen e radhës; një gazetë që ka marrë përsipër bërjen sa më shumë tribunë.
Ndaj dhe besoj se kësaj gazete i duhet përgjigjur ndryshe, nëse ajo nuk është e drejtë dhe jo e vërtetë në akuzat e saj: Qeveria mund ta padisë në gjyq. Nuk ka asnjë gjë të beftë në ndodh kjo. Është false deklarata se “asnjë gazetë dhe asnjë gazetar nuk është paditur dhe as do paditet nga kjo qeveri”. Ky formulim është variant i “bashkëfajtorë dhe bashkëvuajtës”. Ky slogan është ironi ndaj së vërtetës dhe ndaj lirisë së fjalës.
Të gjithë duhet të kenë të drejtën e fjalës për të vërtetën, të gjithë duhet të përgjigjen për vërtetësinë e fakteve të publikuara dhe rrjedhimisht duhet të jenë të përgjegjshëm dhe përgjegjës për fjalën e thënë.
Qeveritë duhet ta respektojnë fjalën e lirë, jo si mundësi për të ngatërruar shapin me sheqerin, akuzën reale me shpifjen, por si ekzekutiv që përgjigjet për verifikimin e fjalës së adresuar për (sh)përdorimin e parasë dhe votëbesimit publik.
Në këtë kontekst, besoj se “TemA” është e mbështetur gjerësisht në opinionin publik, madje edhe nga kundërshtarët, mospëlqyesit apo ata që kanë pasur rezerva për të, një pjesë jo e vogël e të cilëve qëndrojnë kundër qeverisë së sotme për motive të tjera.
Nuk do t'i uroja “TemA-s” luftë të pafund, por më së pari nuk do ishte e udhës që qeveria të konsumojë energjitë me veprime të tilla, që thërresin kujtesën e gjërave të ndodhura më parë. Shtypi shqiptar kurrë nuk është ndjerë i lirë: qeveritë e kanë ndëshkuar ose përdorur.
Sepse, liria e fjalës nuk është parë si mundësi përsosjeje dhe pushteti, nuk është ushtruar si e drejtë e qytetarëve për t’u informuar prej gjithë opinioneve, sado të ndryshme qofshin ato.
Dhe, nuk di pse, më shkoi ndërmend thënia se në Shqipëri, sapo bëhesh mirë, pikërisht kur je në udhë të mbarë, duhet t'i ruhesh syrit të keq!
I uroj gazetës “TemA”, botuesit Mero Baze dhe qeverisë së radhës mbarësi në punë më dritë dhe liri të vërtetë.