Policia e Tiranës tenton të manipulojë me dhunën ndaj gazetarit të “Albania”-s
Policia e Tiranës ka tentuar dje që ta klasifikojë ngjarjen e rëndë, ku zv/kryeredaktori i gazetës “Albania” u dhunua përpara redaksisë nga disa persona në mes të ditës, si një ngjarje me sfond motivet banale.
Por, një gjë e tillë ka sjellë dhe reagimin e gazetës dhe më pas të vetë Policisë së Shtetit, e cila ka përgënjeshtruar Policinë e Tiranës, duke thënë se po punohet për të zbardhur ngjarjen.
“Në lidhje me incidentin e ndodhur natën e mbrëmshme, ku u godit me grushte shtetasi Luan Luftar Kondi, vjeç 40, lindur në Skrapar dhe banues në Tiranë, me profesion gazetar, sqarojmë opinionin publik se:
Strukturat e Komisariatit të Policisë Nr. 3, Tiranë, të angazhuara maksimalisht për të zbardhur tërësisht autorin dhe motivet e këtij incidenti, mundën të identifikojnë autorin e kësaj ngjarjeje, i cili dyshohet të jetë shtetasi Leonard Pëllumb Zani, 34 vjeç, lindur e banues në Tiranë. Aktualisht, shtetasi Leonard Pëllumb Zani ndodhet i shoqëruar në ambientet e Komisariatit Nr. 3, Tiranë. Ndërkohë, u konkludua se motivi i kësaj grindjeje, mes shtetasit Luan Kondi dhe Leonard Zani, ka filluar pas një debati për motive të dobëta”, - thuhej në deklaratën e policisë.
Redaksia e gazetës “Albania” e ka quajtur këtë pretendim si një spekulim dhe dezinformim. Ata kanë vlerësuar se ngjarja nuk ka ndodhur në mbrëmje dhe se kanë qenë katër agresorë që nuk kanë këmbyer asnjë fjalë me Kondin, por e kanë sulmuar, pasi e kanë pyetur, nëse punon në gazetën “Albania”. “Për të sqaruar opinionin publik, gazeta “Albania” saktëson se: Ngjarja ka ndodhur dje në drekë rreth orës 15, vetëm pak hapa larg derës së godinës së “Vizion Plus”, ku ndodhen dhe ambientet e gazetës.
Agresorët nuk kanë zhvilluar asnjë lloj debati paraprak me zotin Kondi, por njëri prej tyre vetëm sa e ka pyetur, nëse punonte në gazetën “Albania” dhe, porsa Kondi ka pohuar, ata e kanë goditur.
Gjatë komunikatës së saj Policia e Shtetit shprehet me termin “agresori”. Në fakt, vetë Kondi pasditen e djeshme ka deklaruar në Komisariatin Nr. 3 se është goditur nga katër persona, të panjohur për të. Policia e Shtetit e administron këtë dëshmi, ndërsa nuk ka dhënë asnjë shpjegim se cilët janë tre personat e tjerë. Që pas deklaratës së djeshme të Kondit në Komisariatin Nr. 3 (ku ai bëri dhe denoncimin), ai nuk është pyetur më prej hetuesve, për të bërë ballafaqimin lidhur me pretendimet e personit të ndaluar.
Gazeta “Albania” kërkon të dijë se si mundi policia të shpallë vetëm një agresor, ndërsa gazetari dhe zëvendëskryeredaktori i dhunuar, Luan Kondi, ka nënshkruar një deklaratë të tijën në polici, ku ka denoncuar dhunimin nga katër persona. Kjo deklaratë e Kondit mbështetet dhe nga dëshmitarët okularë, të cilët ndodheshin pranë vendit të ngjarjes në momentin kur Kondi është dhunuar. Cilët janë tre personat e tjerë?! Si mundet policia të mos konsiderojë dëshminë e Kondit dhe të dalë në konkluzion pa verifikuar më parë, nëse personi i ndaluar prej saj (shtetasi Leonard Zani), nuk është duke fshehur persona të tjerë që lidhen me dhunimin e gazetarit?!
Si mundet policia të dalë në konkluzionin se dhunimi i Kondit ndodhi për “arsye të dobëta”, në një kohë që vetë Kondi nuk ka lexuar ende dëshminë e personit të ndaluar, e për më tepër ka deklaruar se nuk i njihte aspak personat që e dhunuan?!” - thuhet në deklaratën e “Albania”-s.
Ndërsa Policia e Shtetit në deklaratën e saj thekson se kanë zbuluar autorësinë e kësaj ngjarjeje dhe po punojnë për zbardhjen e rrethanave dhe motiveve. “Në lidhje me incidentin e ndodhur natën e mbrëmshme, ku u godit me grushte shtetasi Luan Luftar Kondi, 40 vjeç, lindur në Skrapar dhe banues në Tiranë, me profesion gazetar, sqarojmë opinionin publik se: strukturat e Komisariatit të Policisë numër 3, Tiranë, të angazhuara maksimalisht për të zbardhur tërësisht autorin dhe motivet e këtij incidenti, mundën të identifikojnë autorësinë e kësaj ngjarjeje, i cili dyshohet të jetë shtetasi Leonard Pëllumb Zani, 34 vjeç, lindur e banues në Tiranë.
Aktualisht, Leonard Pëllumb Zani ndodhet i shoqëruar në ambientet e Komisariatit numër 3, Tiranë”, - thuhet në deklaratën e kësaj policie.
Për ngjarjen ka reaguar dhe kryeministri Berisha që ka kërkuar gjetjen dhe vënien para drejtësisë të autorit. “Kryeministri Berisha dënon me ashpërsinë më të madhe agresionin ndaj gazetarit të gazetës “Albania”, Luan Kondi. Kryeministri Berisha e cilëson agresionin si një akt të shëmtuar kriminal dhe u ka kërkuar organeve kompetente gjetjen dhe vënien përpara ligjit të agresorit për aktin e tij të rëndë”, - thekson deklarata e Kryeministrisë.