E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD i bie PS për të dëgjuar ndërkombëtarët: Ligji për dosjet, kushtetues

Nga Armand Maho

Partia Demokratike ka kundërshtuar pretendimet se ligji për lustracionin është antikushtetues dhe antiligjor. Duke i quajtur këto si mashtrime të opozitës, edhe pse pretendime të tilla kanë dalë më fort nga goja e përfaqësuesve ndërkombëtare në Tiranë, zëdhënësi i PD, Gerti Bogdani, paralajmëroi votimin e tij. Duke i rënë PS për të dëgjuar ndërkombëtarët, Bogdani tha se Asambleja Parlamentare e KE kërkon miratimin e ligjit për ndëshkimin e prokurorëve dhe gjykatësve të asaj kohe. Bogdani ka hedhur poshtë dhe faktet e publikuara në media se projekti që kishte përgatitur para dy vitesh nënkryetari i PD, sot president, Bamir Topi, nuk parashikonte dënimin e prokurorëve dhe gjykatësve. Ai gjithashtu tha se ligji çek parashikon lustracionin dhe për prokurorët dhe gjykatësit. “Lidhur me trillimet dhe mashtrimet e opozitës për ligjin e lustracionit, Partia Demokratike deklaron sa vijon:

Së pari, ligji që ndodhet në parlament është kopje e zbutur e ligjit të vitit 1995, i cili ka qenë varianti identik i ligjit çek të vitit 1991.

Së dyti, ligji çek i vitit 1991 është vlerësuar kushtetues nga gjykata e Çekosllovakisë dhe pas shpërbërjes në Çeki dhe Sllovaki, është gjykuar përsëri nga gjykata çeke dhe është gjetur kushtetues. Ky ligj përsëri është gjykuar në vitin 2000 dhe është gjetur kushtetues. Ndërsa ligji shqiptar i vitit 1995 është gjykuar nga Gjykata Kushtetuese në fund të janarit 1996 dhe është gjetur kushtetues.

Së treti, pika e 4 e nenit 1 të ligjit çek thotë se: “parashikohet certifikimi i pastërtisë për pozicionet e gjykatësve, ndihmë gjykatësve, prokurorëve, oficerëve të policisë gjyqësore, noterëve publikë, arbitrazhit shtetëror etj.”

Pra, pretendimi se ky ligj nuk merr parasysh gjykatësit dhe prokurorët dhe ndihmësit e tyre, është një mashtrim fund e krye.

Së katërti, në ligjin e dorëzuar në parlamentin e Shqipërisë nga z. Topi në vitin 2006, neni 3, pika c, ç, dhe gj thotë se: “subjekte të verifikimit të përgjithshëm janë ... zyrtarë të lartë të Prokurorisë së Përgjithshme sipas rangjeve të caktuara në pikën c dhe gjyqtarë e prokurorë”

Pra, pretendimi se ky variant nuk parashikon gjykatës dhe prokurorë dhe ndihmësit e tyre është përsëri trillim.

Së pesti, në asnjë rast Gjykata e Strasburgut nuk ka hedhur poshtë asnjë ligj të lustracionit. Ndërsa Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës kërkon që të gjykohen dhe dënohen gjykatësit, prokurorët dhe punonjësit e policisë sekrete, të cilët kanë kryer vepra penale, edhe pse në kohën e kryerjes mund të mos kenë qenë vepra penale për ligjet e vendit, por janë të tilla, pra vepra penale për vendet e lira.

Së fundi, sipas deklaratave të vazhdueshme të z. Rama, vetëm xhelatët, ata që kanë lidhur njerëz me tela me gjemba dhe që kanë dënuar e varur njerëz të pafajshëm, mund të bëjnë drejtësi në Shqipëri.

Ndaj, Partia Demokratike i bën thirrje z. Rama të kërkojë të falur publike për firmat që ka vendosur i ati i tij në varjen dhe ekzekutimin e njerëzve të pafajshëm në funksionin e anëtarit të Presidiumit famëkeq të Kuvendit Popullor”, - thuhet në deklaratën e PD.

PS: Bogdani do hyjë në librin Guinness për numrin e budallallëqeve që thotë

Pas kësaj deklarate ka reaguar dhe Partia Socialiste përmes Besnik Bares, drejtues i kësaj partie për kryeqytetin. “Gerti Bogdani duhet të hyjë në librin Guinness, jo vetëm se njësia bashkiake që drejton ka mbledhur vetëm 5.6% të taksave lokale këtë vit, por edhe sepse ka thënë numrin më të madh të budallallëqeve në botë për vitin 2008. Sipas tij, opozita gënjen, qeveria e SHBA gënjen, OSBE gënjen, Këshilli i Evropës gënjen! Turp i madh për Saliun!” - tha Bare.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›