E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të dhënat e BE dhe modeli ekonomik Fazlliç

Nga Fitim Zekthi

Zyra e Statistikave të Bashkimit Evropian (Eurostat), publikoi pak ditë më parë të dhëna të jashtëzakonshme për të kuptuar zhvillimet ekonomike në Shqipëri dhe për të kthjelluar pamjen që vjen nga pasqyra me krisa e të dhënave të qeverisë shqiptare. Shqipëria kishte për vitin 2007 të ardhura për frymë sa 24% e të ardhurave të një qytetari të BE dhe ishte vendi i fundit në Evropë. Edhe shifrat e konsumit e linin Shqipërinë të fundit, me 27% të konsumit për frymë në vendet e BE. Vendi që e kishte lënë Shqipërinë në fund ishte Bosnja, e cila kishte të ardhura për frymë sa 29% e BE dhe konsum për frymë sa 36% e mesatares së këtyre vendeve. Dhe e dhëna më e habitshme: të ardhurat për frymë në Bosnjë rriten me 2 pikë në vit, ndërsa në Shqipëri me 1 pikë në vit përkundrejt mesatares së BE. Shqipëria nga 2005 deri në 2007 i ka rritur të ardhurat për frymë nga 22% në 24% e mesatares së BE. Bosnja i ka rritur nga 24 në 29%, pra me dy herë më shumë sesa ne. Ndonëse është e padrejtë të bësh krahasime me Bosnjën, për shkak të së drejtës që ajo ka të jetë ndër vendet e fundit, pasi historia e saj është më dëshpëruesja në Evropë, po e marrim atë për krahasim, ngaqë vendet e tjera, si Maqedonia dhe Mali i Zi apo Serbia, janë me të dhëna shumë më të larta se ne. Bosnja është vendi me fatin më të keq në Evropë, ajo përjetoi një luftë të tmerrshme nga viti 1992 deri në vitin 1995. Kjo luftë e egër, që i kujtoi botës përsëri Holokaustin, me varre masive, bombardime nëpër qytete e fshatra, sigurisht që shfarosi edhe gjithçka që mund të kishte lidhje me ekonominë atje. Veç kësaj, Bosnja ka qenë pjesë e një vendi komunist, me ekonomi të centralizuar dhe çdo studim për ekonominë e Bosnjës nis me fjalët se ajo u përball me një problem të thellë ekonomik, pasi i duhej të ndërtonte vendin e djegur nga lufta dhe të shndërronte ekonominë e saj komuniste në ekonomi tregu. Sot, qëndrueshmëria politike në Bosnjë ruhet me protektorat, aq e brishtë është dhe brenda saj gjendet një republikë serbe, e cila paprerë kërkon të bashkohet me Serbinë duke bërë çmosh që ta shpartallojë përsëri Bosnjën. Ky vend nuk ka asnjë grimë bregdet dhe sigurisht nuk ka plazhe. Nga nëntoka e saj nuk dalin minerale kromi e bakri, siç ngjet në Shqipëri. Nga ai vend nuk ka një kompani nafte, ARMO, që merr miliona tonë naftë nga nëntoka e atij vendi. Pavarësisht të gjitha këtyre, Bosnja rritet dy herë më shpejt sesa Shqipëria dhe ka të ardhura ekonomike më të larta. Qytetarët atje jetojnë më mirë dhe punojnë më shumë. Investimet e huaja direkte, të cilat në vitin 2005 ishin 420 milionë euro, në vitin 2007 arritën në 1,6 miliardë euro duke u rritur me 4 herë në tre vjet. Investimet e huaja direkte në Shqipëri për vitin që shkoi ishin rreth 350 milionë euro, ndërkohë që në vitin 2005 ishin rreth 270 milionë euro. Shqipëria, sipas qeverisë shqiptare, po përjeton zhvillim ekonomik që po befason botën, me investime të huaja që rriten fuqishëm, me klimë biznesi të jashtëzakonshme. Që t’i kërkosh qeverisë shqiptare t’i shohë ndryshe të dhënat ekonomike, do të ishte njëlloj si t’i kërkosh Fidel Kastros të sillet butë me disidentët. Kjo, megjithatë, nuk pengon të thuhet se Shqipëria ka bregdet prej qindra kilometrash e po kaq edhe plazhe. Shqipëria eksporton krom, nxjerr naftë, ka burime hidrike për energji etj. Megjithatë, investimet e huaja direkte rriten me 0,3 herë, pavarësisht projekteve me miliarda që nuk nisin asnjëherë dhe që shfaqen thuajse çdo javë. Korrupsioni nuk është i dëmshëm thjesht pse është poshtërsi dhe i dënueshëm si vjedhje, por sepse ai shkatërron vendimmarrjen dhe të gjitha burimet e tua kthehen në problem dhe mbjellin varfëri. Krahasimi me ekonominë e Bosnjës gjen edhe një shembull që në fakt duket se dëshmon modelin se si kërkojnë këto dy vende të rrisin ekonominë. Bosnja biznesmenin e fuqishëm Fazlliç e arreston, e përzë, nuk e afron. Dhe megjithatë investimet e huaja katërfishohen, të ardhurat për frymë rriten. Shqipëria biznesmenë si ky i quan investitorë të mëdhenj, me projekte të mëdha që do hapin vende pune dhe bëjnë të buisë prodhimi dhe ekonomia. Biznesmeni Damir Fazlliç, ky model në fakt, paraqitet në Shqipëri si model i ekonomisë më të mirë të tregut. Biznesmeni Fazlliç si model ka qenë i pranishëm në Shqipëri prej kohësh, kjo është e qartë dhe ky model është parë në Gërdec, është parë në ndërtim rrugësh e spitalesh, është parë në shkatërrimin e territorit, në blerjen e kompanive të naftës, në hidrocentralet me koncesion etj. Ky model i ka të gjitha cilësitë për ta bërë një vend me burime të qenësishme ekonomike dhe që nuk i ka sjellë botës me historinë e tij kujtimet e Holokaustit, që të shëmbëllejë me një vend që gjendet thjesht me imagjinatë (të gjitha republikat e Kaukazit pa dallim rriten ekonomikisht shumë më mirë se Shqipëria, shih të dhënat e Eurostat). Nuk ka dyshim se modeli i një biznesmeni boshnjak që arrestohet, zbohet në Bosnjë - një vend që rritet mrekullueshëm në të gjithë treguesit e ekonomisë - nuk mund të vlejë për Shqipërinë. Sigurisht, për askënd nuk mund të vlejë ky model, pasi, veç të tjerash, na bën me krisa edhe pasqyrën ku shihemi. Dy fytyrat e Janusit në këtë pasqyrë nuk tregojnë thjesht hyun romak mitologjik të dyerve, por ndoshta zotin e sotëm të dyerve në këtë vend.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›