E Shtunë, 31 Tetor 2026

Energjia bërthamore: mallkim a bekim?

Nga Magda Munteanu në Cernavoda, Belene dhe Olkiluoto

Tri roje rrinë tek dera në zhegun 40 gradë të pasdites, duke i shpërfillur zhurmat përreth. Telat me gjemba sipër një gardhi të lartë të shtinë frikën, sikur janë bërë për t'i penguar të burgosurit të arratisen nga ndonjë burg.

Parë nga largësia, centrali bërthamor në Cernavoda, në Rumaninë lindore, duket paqësor dhe i pavënë re. Pesë radhët e reaktorëve rrumbullakë janë bri njëri-tjetrit përgjatë brigjeve të Danubit. Nuk ka shenja nga gardhi i lartë që ndanë dy reaktorët bërthamorë që të lënë të kuptosh për projektin prej 4 miliardë eurosh që pritet të fillojë.

Pas disa kontrollesh sigurie, korridoreve të gjata që kërkojnë fjalëkalim dhe sigurime për nivelin e rrezatimit, mbërrijmë në zemër të impiantit. Është salla e kontrollit. Vetëm dy burra, një operator kryesor dhe drejtuesi i turnit, drejtojnë nga kjo dhomë pa dritare që ka dhjetëra pajisje në masën e sendeve të një gardërobë, ku secila prej tyre monitoron veprimtari të ndryshme brenda impiantit.

“Për tetë orë nuk e dimë a ka borë a shi jashtë,” thotë Alexandru Ionescu për turnin e tij në sallën e kontrollit. Pas katër vjetësh trajnimi, Ionescu tashti është operator kryesor, edhe pse do t'i duhen edhe dy vjet të tjerë trajnimi në punë para se të bëhet drejtues turni dhe “prijësi i madh” i impiantit gjatë turnit të natës, në kohën kur drejtuesit nuk janë aty.

Rumania ka luajtur bixhoz të rrezikshëm me impiantin në Cernavoda, i cili mbulon tash për tash 18 për qind të krejt nevojave të saj energjetike. Vendi e dyfishoi vitin e kaluar prodhimin e energjisë bërthamore kur hapi reaktorin e dytë prej 700 MW. Planet e saj tani janë edhe më të guximshme. Më 2014, më së pakti, ajo dëshiron të ketë në veprim dy nga pesë njësitë e saj bërthamore, ndërtimi i të cilave filloi gjatë periudhës së regjimit komunist.

“Njerëzit në Cernavoda mezi ç'presin të fillojë ndërtimi. Është buka e tyre e gojës,” thotë Lucian Anghel, inspektori kryesor në Agjencinë Kombëtare të Punësimit në portin fqinj Konstanta. Kur u përfundua reaktori i dytë vitin e shkuar, tha ai, shumë njerëz të zonës që punojnë në transport, ndërtim, pastrim apo qiradhënie banesash, i humbën vendet e punës.

Vendasit nuk duket se kujdesen fort për katastrofën e shkaktuar nga centrali bërthamor i Çernobilit në Ukrainë më 1986, kur shpërtheu një reaktor dhe rrezatimi u lëshua në atmosferë duke vrarë në vend 30 njerëz dhe duke rrezatuar mijëra të tjerë në Ukrainë e vendet fqinje, përfshi Rumaninë.

Dy dhjetëvjeçarë më vonë, mundësia e një aksidenti të tillë duket e largët dhe disa vende të Evropës Qendrore dhe Lindore janë të përfshira në projekte të mëdha për ndërtimin e njësive bërthamore.

Nëse këto projekte bëhen realitet, rajoni do të jetë në gjendje të prodhojë energji më të qëndrueshme e me kosto të ulët, që do të nevojitet për të mbuluar mungesat aktuale të vendeve si Greqia, Maqedonia dhe Shqipëria.

Rilindje e papritur

Vetëm një dhjetëvjeçar më parë, pak analistë do ta kishin parashikuar që këto vende do të ndërtonin centrale bërthamore me vlerë më shumë se 13 miliardë euro gjithsej.

Në vitet 1980 dhe 1990, frikësuar nga alarmimi i popullsisë kundrejt energjisë bërthamore dhe aksidentet e tipit të Çernobilit, politikanët evropianë vendosën se energjia bërthamore ishte kartë e rrezikshme që më shumë prishte sesa ndreqte punë.

Ritmi i ndërtimit të centraleve bërthamore u ngadalësua tepër. Gjatë 12 viteve të kaluara, vetëm gjashtë njësi u hodhën në veprim në Evropë: në Republikën Çeke, Sllovaki dhe Rumani. Në vendet e tjera, centralet e ndalën punën sepse ishin tepër të vjetra, e kjo ndodhi në Bullgari, Lituani, Gjermani, Spanjë, Suedi dhe Britani.

Por qëndrimi po ndryshon dhe shumë politikanë e shohin energjinë bërthamore si rast të artë. “Ne tani po dëshmojmë një rilindje në energjinë bërthamore,” thotë Santiago San Antonio, drejtor i përgjithshëm në Forumin Evropian Atomik, FORATOM.

Reaktorë të rinj po ndërtohen në Finlandë dhe Francë, ndërsa të tjerë në Rumani, Bullgari, Lituani dhe Sllovaki janë duke u planifikuar. “S'mendoj se këto njësi mjaftojnë. Na duhen më,” shton San Antonio.

Sipas Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë, IEA, në mbarë botën punojnë 439 centrale energjetike bërthamore, ndërkohë që 36 janë në ndërtim duke përfaqësuar një rritje prej 9 për qind.

Në Evropë, centralet aktuale prodhojnë 35 për qind të energjisë së rajonit. Por ngaqë përdorimi i energjisë ka gjasa pothuajse të dyfishohet në vitin 2030, numri i tyre duhet të rritet nëse dëshirohet të ruhet kjo përqindje. Llogaritet se më shumë se 20 reaktorë të rinj mund të ndërtohen në Evropë deri më 2030. Në fund të vitit të shkuar, vendet e Bashkimit Evropian përdornin 146 reaktorë, rreth një e treta e njësive të krejt botës.

Evropa, gjithsesi, s'mund ta zgjidhë rritjen e kërkesës së energjisë pa zgjidhë njëkohësisht dy çështje të lidhura ngushtë me këtë.

E para është nevoja për t'u përcaktuar për burimet energjetike me përqindje të ulët karboni me qëllim të zvogëlimit të impaktit mjedisor të industrive dhe për të ngadalësuar ndryshimin klimaterik. Objektivi i mbajtjes së ngrohjes botërore poshtë nivelit 2°C në këtë shekull është shumë i vështirë dhe sektorit energjetik do t'i duhet të luajë një rol të rëndësishëm nëse synohet të arrihet ky objektiv.

Gjithsesi, lobet e fuqishme mjedisore në Evropë e kundërshtojnë me forcë variantin bërthamor, me gjithë premtimin e lëshimeve të ulëta të gazit C02. “Energjia bërthamore përfundimisht s'është përgjigjja ndaj ndryshimit klimaterik dhe mbetet një teknologji e rrezikshme,” thotë Georg Maue, përfaqësues i sektorit klimaterik në Ministrinë e Mjedisit të Gjermanisë.

Jan Haverkamp, aktivist për energjinë i Greenpeace-it nga Brukseli, pajtohet me këtë: kur vjen puna të ndalohet ndryshimi klimaterik, energjia bërthamore më shumë është pengesë sesa pjesë e zgjidhjes. Përveç kësaj, thotë ai, “energjia bërthamore paraqet një problem të pazgjidhshëm mbeturinash, që mund të rezultojë në më shumë katastrofa të ngjashme me Çernobilin.”

Çështja e dytë madhore për Evropën është nevoja për të zvogëluar varësinë nga nafta e importuar nga Lindja e Mesme dhe gazi natyral nga Rusia. “Në plan afatgjatë, energjia bërthamore i zgjidh të dyja këto çështje,” shprehet Jeremy Gordon, autor dhe analist për Shoqatën Bërthamore Botërore me qendër në Londër, organizatë e sektorit privat.

Në një përpjekje të dëshpëruar për të arritur siguri më të madhe energjetike, vendet evropiane tashti po kërkojnë burime të tjera energjie të ripërtëritshme si energjia diellore apo e erërave, përbërëse të një zgjidhjeje më afatgjatë. Por për zgjidhje afatshkurta dhe afatmesme, qeveritë po i kthejnë sytë nga energjia bërthamore një herë e një kohë e përçmuar.

Sipas Alan McDonald-it të departamentit të energjisë bërthamore në Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Bërthamore, IAEA, energjia bërthamore mund të jetë e vlefshme veçanërisht për vendet “ku kërkesa energjetike rritet shpejt, burimet alternative janë të pakta, siguria e furnizimit me energji është përparësi dhe ku zvogëlimi i ndotjes së ajrit është i detyrueshëm.”

Nëse kritere të tilla më parë zbatoheshin kryesisht mbi vendet e Lindjes së Largët dhe Azisë Jugore, tashti ato shtrihen edhe në Evropë dhe Amerikë të Veriut.

Jo kaq e thjeshtë në Finlandë

Ndërtimi i centraleve bërthamore pas dy dhjetëvjeçarësh pushimi është e vështirë, siç e ka mësuar në kurriz të vet Finlanda. Teknologjia ndërkohë ka ecur para, e po ashtu edhe kërkesat e sigurisë. Nuk ka më krah të specializuar pune, drejtuesit mund t'i kenë humbur aftësitë dhe çmimet janë në stratosferë.

Si pasojë e një ndërthurjeje të këtyre problemeve, centrali i ri bërthamor finlandez në Olkiluoto të bregut të Baltikut, nisma e parë e tillë që u nis pas një periudhe 20-vjeçare, e ka tejkaluar buxhetin me 25 për qind dhe tashti ka dy vjet që vonohet.

“Prej fillimit afati është shtyrë. Sigurisht që u shqetësova,” thotë Jarmo Tanhua, president dhe menaxher i Teollisuuden Voima Oyi, kompania që drejton dy njësitë aktuale bërthamore në Olkiluoto, ku secila ka kapacitet prej 860 MW.

Një rrugë dytësore njëkahëshe mes pyllit me pisha të çon tek dera e centralit në Olkiluoto, para dy blloqeve vigane bërthamore lyer në ngjyrën karakteristike të zonës. Platforma e impiantit bërthamor duket si kodër vigane. Më se 3,200 njerëz punojnë këtu për të ndërtuar një prej njësive më të mëdha bërthamore të botës me kapacitet 1,600 MW.

“Është më e vështirë sesa e prisja,” thotë një punëtor polak ndërsa transporton disa materiale. Vinçat rrethojnë ndërtesën e reaktorit, i cili do të jetë më shumë se 60 metra i lartë, dhe aroma e hekurit të nxehtë është gjithandej në atmosferë.

Kur filloi puna ndërtuese më 2003, u mendua se reaktori do të kushtonte 3 miliardë euro dhe do të fillonte punë më 2009. Përllogaritjet e mëvonshme e çuan koston në më shumë se 4.5 miliardë, ndërsa hapja është shtyrë për vitin 2011.

“Disa nga vështirësitë në Olkiluoto lidhen me faktin se ky reaktor është i pari në llojin e vet,” thotë Julien Duperray, zëdhënës i kompanisë franceze Areva që është ngarkuar me projektin.

Por Havercamp-i i Greenpeace-it ngul këmbë se problemet janë më thelbësore: “Projekti në Finlandë është një katastrofë ndërtimi,” shtjellon ai. Sipas pikëpamjes së tij, dëshira për ta kryer projektin sa më shpejt do të thotë se janë sakrifikuar masat e sigurisë dhe arsyeja e vetme pse vazhdon ndërtimi është se është tejet e vështirë të ndërpriten këto lloj projektesh kur nisen.

Punët e mira, ndoshta, bëhen ngadalë-ngadalë

Vendet me nisma bërthamore në vazhdim po monitorojnë me kujdes përvojën e finlandezëve, të cilët praktikisht janë detyruar ta ri-krijojnë themelin e industrisë bërthamore.

Nisma më e përparuar aktualisht në zhvillim është reaktori 1,600 MW që Areva po ndërton në Flamanville, në Francën perëndimore. Puna zyrtarisht nisi në fund të vitit 2007, por “ka shumë gjasa të ndjekin të njëjtën rrugë si në Olkiluoto”, thotë Havercamp.

Më se 30 njësi bërthamore do të ndërtohen në mbarë botën në vitet e ardhshme sipas IAEA-së, kryesisht në ekonomitë me zhvillim të shpejtë të Azisë, Kinës e Indisë, si dhe në Rusi e ShBA.

Vendet e Ballkanit ende nuk kanë nisë ndonjë projekt ndërtimi bërthamor, por janë në proces të marrjes së financimit dhe lejeve të ndërtimit. Procesi duket se do të jetë i vështirë. Qeveria sllovake kohët e fundit i kërkoi kompanisë sllovake Slovenske Elektrarne, e cila planifikon të ndërtojë një njësi të tretë e një të katërt në centralin në Mochovce, secila me kapacitet 440 MW, të zhvillonte një vlerësim të plotë impakti mjedisor si parakusht për marrjen e lejes së veprimit.

Në Bullgari, ku Bashkimi Evropian i ka bashkuar forcat me pushtetin e atjeshëm disa vjet më parë për të fikur katër nga gjashtë reaktorët në Kozloduy, sasia e elektricitetit prodhuar nga energjia bërthamore ka rënë prej 42 për qindëshit të nevojave të vendit, në 32 për qind.

Gjithsesi, Bullgaria tashti po planifikon ta rrisë këtë përqindje duke ndërtuar dy njësi shtesë prej 1,000 MW secila në Belene, mbi Danub, në një projekt të përllogaritur në 4 miliardë euro. Reaktori i parë mund të hyjë në punë qysh më 2013.

“S'mund të garantojmë se s'do të kemi probleme lidhur me punëtorët dhe materialet ndërtuese, por deri tani jemi në rrugë të mbarë,” thotë Vasil Bandov, drejtuesi i vendit në centralin bërthamor në Belene.

Projekti bërthamor në Belene nisi më 1985, por u braktis më 1992 për shkak të ndryshimeve demokratike në vend dhe rreziqeve që paraqiste. Skeleti i reaktorit ngrihet i vetëm tek vendi i ndërtimit, rrethuar me gardh për të penguar vizitorët kureshtarë.

Nëse Kompania Kombëtare Elektrike e shtetit bullgar ia del t'i gjejë paratë për 51 për qind të projektit 4 miliardësh deri në pranverën e ardhshme, reaktori i vjetër do të shkatërrohet dhe ndërtimi do t'ia nisë nga zeroja. Atomstroyexport e Rusisë dhe Areva janë përzgjedhë për t'i ndërtuar reaktorët ndërsa RWE nga Gjermania u zgjodh në tetor për të investuar në projekt dhe për të pasur 49 për qind të centralit.

Por Greenpeace-it nuk i bën përshtypje ky projekt ashtu si edhe centrali i ri në ndërtim në Finlandë.

“Projekti në Belene do të ndërtohet në një zonë që ka vuajtur shumë nga tërmeti i vitit 1977,” paralajmëron Haverkamp-i, duke iu referuar tërmetit që vrau më se 100 njerëz në qytetin bullgar Svishtov, diku 200 kilometra nga Belene. Ai thotë se projekti është tri herë më i shtrenjtë nga ç'u pajtua kuvendi më 2003 dhe do të përfundojë duke pasur kosto prej më shumë se 7 miliardë eurosh.

Rumania po përballet me probleme të ngjashme që lidhen me kostot në centralet e veta bërthamore. Dy njësitë e saj bërthamore prej 700 MW fillimisht u llogaritën më 2006 me 2.3 miliardë euro, por përllogaritjet më të fundit zyrtare e caktojnë çmimin në 4 miliardë. Nëse kostot e lëndëve të para dhe pajisjeve vazhdojnë të rriten me të njëjtin ritëm, s'ka gjasa që kjo shifër të jetë përfundimtarja.

“Në fund të dhjetorit duhet të bëjmë marrëveshje me investuesit,” thotë Teodor Chirica, drejtor i përgjithshëm në Nuclearelectrica, kompania shtetërore që do të ketë 51 për qind të projektit, të njëjtën përqindje si shteti në Bullgari. Dallimi është se pjesa tjetër e aksioneve do të ndahen mes gjashtë investuesve ndërkombëtarë.

Një avantazh i shteteve ballkanike kur vjen puna tek ndërtimi i centraleve bërthamore është se ato do të përfitojnë nga përvoja që kanë grumbulluar kompani të tilla si Areva duke punuar në njësi të tjera bërthamore.

Kjo me gjasë nënkupton më pak probleme lidhur me autorizimet dhe rregulloret e sigurisë. Por numri i madh i nismave që mund të jetësohen në rajon do të krijojë probleme të tjera të reja, ku një prej tyre është mangësia e punëtorëve të kualifikuar.

“Sapo të nënshkruhet kontrata me investuesit, ne do të fillojmë të punësojmë njerëz dhe t'i trajnojmë ata,” thotë Ionescu nga centrali në Cernavoda. Për njësinë e dytë bërthamore, që u bë operative më 2007, procesi i rekrutimit ka filluar vite më parë.

Suksesi i nismave bërthamore në Evropën Qendrore e Lindore, si dhe shkalla në të cilën ata do t'i zgjidhin nevojat gjithnjë në rritje të Evropës për energji, varet tashti në aftësinë e tyre për të tërhequr financime dhe për ta ruajtur ritmin e ndërtimit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›