Flamuri zbërthen fjalimin e Berishës mbi Murin Kinez
Flamuri u mrekullua nga përshtypjet e atij burrit gjatë vizitës në Kinë. Iu shkarkua si zakonisht bateria e telefonit, se ai burri s’ka karar në këto punë, fillon e s’e di kur mbaron, ndaj ai për çdo rast mban një bateri rezervë.
- Ndigjo Flamur, ka kenë një vizitë e shkëlqyeme në të gjitha pikëpamjet. Jo, Flamur, kinezet janë njerëz të mirë, i kena sha kot, se s’i kemi njohë. Janë popull i mrekullueshëm Flamur, më ndigjo mue. Ne na dun fort. Lëre, Muri i Madh kinez, një mrekulli inxhinierike si rruga jonë Rrëshen-Kalimash. Ka pasur edhe ai viktimat e veta në ndërtim, më thanë mue. Flamur, veprat e mëdha duan njerëz të mëdhenj, më ndigjo mue. Jo or zotëri, mos ndigjoni ju kukuvajkat e opozitës, jo or zotëri, ua them unë juve. Po ç’desha të thosha më … hajt mirupafshim pra.
Ra prapë zilja.
- Flamur, se harrova. A ka shku sot Fatmiri me zonjën Godo te tuneli në Kalimash?
- Kanë shku doktor dhe ishin mrekullu.
- Shumë mirë Flamur. Tani i thuj Lul Bashës t’u kthejë vizitën në Gërdec. E ka për detyrë. Jo, duhet ta bëjë këtë. Solidariteti është i nevojshëm në këto raste. I shkoi në vaki, t’i shkojë në vaki. I thuaj Lul Bashës të shkojë doemos. Duhet me ia kthy vizitën njëri-tjetrit. E kam thënë dhe në fjalim Flamur. Kam futë elementë të fushatës elektorale. Merre shihe njëherë dhe shpërndaji udhëzimet sot.
- Dakord, - tha Flamuri, - po e shoh.
- ǒkemi ndonjë gjë tjetër andej?
- Asgjë, ja ky gjyqi i Bollanos u bë, e dënuan gjashtë muaj burg dhe ca lekë gjobë.
- Ashtu? Shiko Flamur. Ai ka bë gabim. Ka heqë parullat me urdhër të tij. Ka bë gabim. Gjëra të tilla bëhen me vendime kolegjiale. Ai duhet ta kishte bërë këtë me vendim Këshilli. Flamur, aktet kolektive nuk i gjykon njeri. Vetëm një prokuror i sëmurë psikik mund të gjykojë aktet kolektive. Ai ashtu duhet të sillej. Ai s’më ka pyetë. Të më kish pyetë mue, i kisha thënë, bë ç’të duash, por me akt kolektiv. Jo, ka vepru gabim. S’bëhet gjë me urdhër personal.
- Të drejtë ke, - tha Flamuri. - Do t’ia them këtë, po e takova.
Ai burri e fiku prapë telefonin. Tani Flamurit filloi t’i vinte mendja vërdallë. Ku ta gjente fjalimin, ku ta gjente fjalimin. E vetmja gazetë që mund ta kishte ishte ose e Fahriut, ose e Frangajt. I hapi shpejt. E kishin të dyja. Mezi e gjeti, se kishin nga dhjetë faqe reklama nga Ministria e Punëve Publike dhe një faqe fjalimin e atij burrit.
Thirri dhe zëdhënësen e re të PD dhe u ulën ta lexonin bashkë, mos kuptonin gjë:
“Ngjitja është gjithnjë e këndshme, të lodh, por të lartëson. Kjo është merita e ngjitjes. Por të ngjitesh në një nga monumentet më madhështore të historisë së njerëzimit, lodhja shkrihet. Miku im kinez më thotë se është ngjitja më e lartë në mur se çdo kryeministër tjetër që e ka vizituar atë. Iu përgjigja se kjo ngjitje është një ngjitje, sa kulturore, aq edhe elektorale, ndaj dhe e bëj me shumë kënaqësi. Le ta quajmë këtë pra edhe një komponent kulturor-elektoral të udhëtimit tim.”
Në fund të paragrafit vështruan në sy njëri-tjetrin.
- More vesh gjë ti? - e pyeti i pari Flamuri.
- Turp të them, se jam dhe politikane tani, po pak gjëra kuptova, më duket pak si jerm.
- Si thua ti, ç’ka dashur të thotë, që kjo ngjitje në mur është dhe elektorale se …?
- Më dëgjo mua, këtu i ka rënë nga Kina, d.m.th. larg e larg që unë, siç ngjita këto shkallë, ashtu do të fitoj edhe zgjedhjet.
- Po moment kulturor elektoral pse e ka quajtur?
- Hajde merre vesh, ai thotë fjalën e parë që i vjen në mend. Ka kujtuar se ata të Badalingut s’dinë shqip dhe s’e marrin vesh.
- Po ajo certifikata ç’qe? Kish ndonjë rëndësi? ǒthanë ata që qenë me të?
- Qe certifikatë që vlerëson nivelin e fitnesit. Në fakt, kinezët qenë mrekulluar me ngjitjen. Qenka plak i mbajtur, derisa ngjiti 1500 shkallë dhe i gjithëfuqishmi s’e thirri lart, bëhuni gati ta duroni gjatë. Pastaj biseda kish nisur të bëhej prapë formale, se ky burri u kish thënë ne kemi hidrocentrale shumë. U kishte shpjeguar se si do bënin dhe të tjerë.
- Po ata u çuditën që ne kemi hidrocentrale? - e pyeti zëdhënësja.
- E dimë, - i thanë, - se vetë ne ua kemi ndërtuar. “Po tani qenkan bërë për remont që erdhe këtej nga ne?” - kishte pyetur një kinez.
- Jo, - i kishte thënë ai burri. - Dua t’u them se, që kur keni ikur ju nga ai vend, unë jam i dyti që po bëj vepra të mëdha pesëvjeçarësh. Vetëm unë dhe ju e kemi zhvilluar atë vend. Ndaj kam ardhë këtu para fushatës elektorale, ta theksoj këtë fakt.
- Shumë mirë, shumë mirë, - tha Vani, - gazetari kinez. D.m.th., shqiptarët duhet të votojnë ose për ne, ose për ju. Shumë mirë, shumë mirë, dy shanse paskan.