E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Profesorët” e këpushë-politikës

Edmond Arizaj 

Nuk kam asnjë të keqe nga Skënder Gjinushi,apo Paskal Milo, as njohje të hidhura kam, as qejfmbetje të
hershme; shkaqe të justifikuara për të mbajtur qëndrim, qoftë edhe publik. Por seç kam një ndjenjë përzierje sa herë më shfaqen në sallat e tyre gri, para “elektoratit” gri, ulur në tryezat gri, me kostumet e tyre gri dhe me fjalët e gjithhershme gri. Asnjë ndryshim. Çdo katër vjet e njëjta melodi gri e tyre, gati-gati e përzishme. Dhe çdo katër vjet, shpresa jonë që heq përherë nga një nuancë të grisë, se këta, këtë radhë, aman këtë radhë, të mos jenë. Përzierja e fundit, që ende nuk më ka mbaruar, e që siç duken bathët do të kthehet në tallaz deri në 28 qershor, ka qenë kur televizionet nisën të japin takimet elektorale të Gjinushit dhe Milos me njerëzit e tyre në disa rrethe të Shqipërisë. Sigurisht dallgën e parë të përzierjes e shkakton vetëm fytyra në televizion e tyre. Dallgën e dytë e jep ideja mbytëse se edhe për katër vjet do të vijojmë të shohim ndryshkjen e flokëve të Gjinushit dhe zbardhjen e plotë të Milos, do të dëgjojmë sarkazmën e ish-ministrit të Arsimit të Ramizit dhe babllëkun e historianit të realizmit socialist. Dallgën e tretë e valëzon ajo sallë e mbyllur takimi ku xhaketat e shajakta stonojnë hidhur me kostumet firmato. Dallgën shkatërruese, atë “tsunamin” e përzierjes e japin fjalët e kryetarëve: votat për ne, janë fitore për të majtën. Hipokrizia nuk ka më shkallë krahasuese. Pas kësaj mllefi edhe mund të të verbojë sytë e të të përflakë duart teksa shkruan e nuk ka çfarë të bëjë as autoçensura. Me pak fjalë, nëse nuk votohet për Gjinushin dhe Milon, të majtën e ka marrë lumi. Të vësh duart në kokë. Këta zotërinj prej kaq vitesh, prej kaq shumë muajsh, prej kaq panumërim ditësh, na kanë mbirë në sy; herë si ministra, herë si kryeparlamentarë, herë si deputetë, herë si bashkëpartiakë, herë si partiakë më vete, herë si pushtetarë, e herë si opozitarë. Por asnjëherë, asnjëherë të vetme të ngritur me këmbët e tyre, por gjithmonë të kapur me duar diku tek trupi i Partisë Socialiste. Në emër të Partisë Socialiste ata bëjnë politikë, për hir të Partisë Socialiste ata nuk kanë fatin e shumë ish-kolegëve të tyre, me ndihmën e Partisë Socialiste ata kanë kapur majat e pushtetit, nën sqetullën e Partisë Socialiste ata janë ndier ngrohtë e butë, mbi sakrifikimin e mijëra socialistëve, ata janë shpërblyer me vende pune e ndonjë gjë tjetër, njerëzit e tyre në partitë e tyre. Dhe asnjëherë nuk kanë qenë kokulur. Asnjëherë nuk kanë qenë mirënjohës. Asnjëherë nuk kanë falënderuar. Patjetër duhet falënderuar, sepse PS-ja për ta, jashtë çdo logjike shteti e menaxhimi, është kthyer në një strehë bamirëse, që vetëm u jep, u jep dhe vetëm u jep. Ndërsa mbi vete merr ah-et e njerëzve dhe dushqet e votimeve. Pa dhënë asnjë shpjegim për elektoratin e madh socialist. Pse prej kaq kohësh kanë qenë në koalicion me PS-në (di ndokush se çfarë shkruajnë platformat e tyre)? Kush ishte ideja gjigante që dhanë këta burra për të majtën? Ç’duhen ato qindra vota që vijnë tek e majta nga këta? Pse Gjinushi dhe Milo janë sot në koalicion me PS-në? Të katërta pyetjet kanë përgjigje të shpejta dhe të thjeshta; për të përfituar, si të përfitosh, si të rrisim shkallën e përfitimit, të përfitojmë përsëri.
A ka ndonjë shqiptar sot që mund të besojë se si parti më vete, pa koalicion me PS-në, Gjinushi dhe Milo mund të bëhen sërish deputetë? A ka ndonjë shqiptar që të besojë sot se pas kaq shumë vitesh, Gjinushi dhe Milo janë më të aftët dhe më të përgatiturit për të drejtuar partitë respektive? A ka ndonjë shqiptar që nuk është mërzitur me këto figura?
Natyrshëm këta janë koka e përfaqësimit të kësaj. Sepse edhe e djathta nuk mbetet pas. Mediu ka nisur të flasë për fitoren e së djathtës, me gjithë kodrat e Gërdecit që i rëndojnë mbi supe. Ndoshta ata deputetët në sallë i duket se i ka të tijtë. Pa kur të nisim të qeshim me Neritan Cekën, sepse edhe ai do të flasë për fitoren e së djathtës. Ceka, ish-ministri i Brendshëm në kohën e PS-së, fjalori i të cilit kundër Berishës ia kalonte edhe ish-të burgosurit katër vjet nga Berisha. Pastaj do të nisim të buzagazojmë me Lufter Xhuvelin, që as e çon në mendje të lerë kolltukun e ministrit. E sa më shumë ne bëjmë humor e barsoleta me Xhuvelin, aq më shumë skuqet ai, sigurisht jo nga turpi.
Kanë vite e vite të gjata që këta njerëz, jo këto parti, e kanë bërë politikën shqiptare të rëndomtë, të pisët, të mykët, të dalë boje, të mërzitshme. I kanë kthyer shqiptarët në indiferentë e mosreagues. Kanë ngrirë sensin e së drejtës në këtë vend. Të gjithë bashkë, me realitetin e pastër, këta nuk fitojnë asnjë përfaqësim serioz në vendin tonë. Atëherë përse duhet t’i kemi mbi supe ende? Ata mund të justifikohen me prepotencë se votat e tyre janë kaq e aq në gjithë Shqipërinë. A duan të na e qepin gojën. Le të bëjnë si Dashamir Shehi e Nard Ndoka. Madje, madje më e ndershme do të ishte si deri tani Spartak Ngjela. Jo të ngjiten pas të tjerëve për përgjysmime pragjesh. (Ndoshta mirë do të ishte që veterinerët në PD dhe PS t’u tregonin liderëve se një gjitar nuk ngordh pasi i heqin këpushat, por forcohet).
Por çorba me këta personazhe tragji-komikë, nuk u bë vetë. Ajo u trazua nga Berisha dhe Rama, ku herë njëri e herë tjetri bënin dhe bëjnë rolin e lugës dhe të dorës. Dhe asnjë prej të dyve nuk i mori parasysh “offff”-et çliruese të mijëra shqiptarëve para një viti, kur me zbardhjen e sistemit të ri zgjedhor më shumë shpresuan se do të shpëtonin nga përzierjet që vinin nga mikropolitika. Nëse nuk do të ndodhë ndonjë mrekulli, pas 28 qershorit shumë prej “profesorëve” të politikës do të vijojnë të japin mësim. Dhe ne, nxënësve shumëvjeçarë, nuk do të na mbetet gjë tjetër veçse të dëgjojmë leksionet e tyre dhe “të falënderojmë” Berishën dhe Ramën.
PS: Për ata që përdorin lupë kur lexojnë shkrimet; Lëvizja Socialiste për Integrim nuk është përmendur, sepse është krijuar prej vetëm pesë vjetësh, ndërsa aleatja kryesore e saj është krijuar vetëm vitin e kaluar. E njëjta “formulë” edhe për G-99.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›