Morali nuk mjafton në luftën kundër korrupsionit
Korrupsioni është një gjë shumë e mirë. Frytet e korrupsionit mund të ndihen shumë shpejt. Përfitimet vijnë më shpejt se në çfarëdo biznesi të ndershëm. Sa më shumë që dikush merret me korrupsionin, aq më imun do të bëhet ndaj kësaj dukurie. Në kombinim me nepotizmin, servilizmin politik dhe krimin e organizuar, korrupsioni bëhet edhe më i rëndësishëm dhe më fitimprurës. Pastaj edhe zgjerohet, hyn në çdo sferë të jetës: politikë, sistemin gjyqësor, policor, media, sport, shkollim. Kështu shndërrohet në sistem më vete. Kjo ua lehtëson njerëzve jetën. Nuk kanë nevojë, për shembull, të mësojnë, sepse mund të marrin një diplomë me pagesë. Nuk u duhet madje as edhe diploma, sepse punën e gjejnë edhe pa diplomë, nëse i dinë rregullat e sistemit korruptues.
Kulmin korrupsioni e arrin, kur ai merr kontrollin e plotë ndaj një shoqërie dhe në të njëjtën kohë bëhet i padukshëm. Secili e di se ekziston, por nuk e sheh apo nuk duan ta shohin. Ankohen kryesisht ata, të cilët në korrupsion nuk janë të suksesshëm në luftë me konkurrencën. Ata që janë pjesë të tij thonë se niveli i korrupsionit është zero. Ata që nuk janë pjesë të tij bëhen si një lloj disidentësh që edhe mund të akuzohen se nuk po dinë t’u përshtaten rrethanave të reja. Me gjuhën e popullit ata janë naivë.
Shpesh politikanët nga rajoni i Ballkanit, kur vijnë në Bruksel, thonë se “prioriteti i tyre është korrupsioni dhe krimi i organizuar”, duke harruar që para kësaj fjalie të shtojnë se “prioritet është lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”. Në fakt, së paku thonë të vërtetën. Një deputet i Parlamentit Evropian njëherë kishte thënë se prioriteti kryesor për qeveritë e vendeve të rajonit të Ballkanit, nëse duan të shpejtojnë rrugën drejt integrimeve në BE, është “lufta kundër korrupsionit apo, thënë me fjalë të tjera, lufta kundër vetvetes”. E kush është i çmendur të luftojë kundër vetvetes? Edhe vetë këta deputetë të Parlamentit Evropian kanë votuar që raporti për keqpërdorimin e parave që atyre u jepen nga buxheti i BE të mbetet sekret. Kur janë korrupsioni, nepotizmi dhe krimi i organizuar në pyetje, nuk ka këtu politikanë të mirë dhe të këqij. Nëse prej tyre varet suksesi në luftë kundër këtyre dukurive, atëherë kjo luftë do të dështojë. Aq edhe më keq se sa mund të bëhet si paravan për qërim hesapesh me kundërshtarët, qoftë në biznes apo në politikë nën pretendimin e luftës kundër korrupsionit. Morali gjithmonë ka qenë i ndarë nga politika. Makiaveli këtë vetëm e ka konstatuar në përshkrimin e tij të bërjes së politikës nga ana e sundimtarit. Pra, nuk guxon një shoqëri të bazojë shpresën në zhdukjen e korrupsionit vetëm te liderët politikë, sepse, edhe po të kenë një etikë dhe moral, kjo nuk do të mjaftonte.
Nëse nuk ndërtohet një sistem ligjesh shtetërore, por edhe një sistem vlerash në shoqëri, do të vazhdojë korrupsioni, sepse kjo dukuri nuk luftohet vetëm me moralin apo etikën e politikanëve. Nga korrupsioni më së paku janë të goditur ata që janë pjesë e tij, prandaj është naivitet të besohet se pushteti do të luftojë korrupsionin. Kështu ka qenë gjithmonë dhe kështu do të jetë edhe në të ardhmen.
Nëse është për t’iu besuar raporteve interne që kanë institucionet ndërkombëtare në Bruksel, prej BE e deri te NATO, korrupsioni dhe krimi i organizuar mund të identifikohen si rreziku më i madh edhe i sigurisë në Kosovë. Kosova është vendi me korrupsionin dhe krimin e organizuar më të lartë në rajon, që është me korrupsionin më të lartë në Evropë. Në të njëjtën kohë, Kosova është vendi më i varfër në rajonin më të varfër në Evropë. Është vendi më i izoluar në rajonin më të izoluar në Evropë. Është vendi me papunësinë më të madhe në rajonin me papunësinë më të madhe në Evropë. Kombinimi i këtyre fakteve jep një pasqyrë jo të pëlqyeshme për Kosovën. Optimizmi i madh i kosovarëve karshi këtyre fakteve duket si një shprehje e dëshpërimit në stilin “hajt se bëhet mirë”, dhe ata që thonë kështu, nga anketuesit llogariten si “optimistë”, dhe kështu Kosova del të jetë me popullatën më optimiste në Evropë.
Është dilemë e madhe, nëse korrupsioni është problem në Kosovë apo është aq i madh, saqë mund të mos jetë as problem, por dukuri e pranueshme në shoqëri dhe madje edhe metodë e mbijetesës. Dhjetë vjet të administrimit ndërkombëtar vetëm e kanë shtuar këtë dukuri dhe kanë rritur kulturën e ikjes nga përgjegjësia dhe llogaridhënia. Zgjedhjet e shumta që janë bërë, nuk kanë sjellë ndryshime e ndërkohë e kanë apolitizuar popullin në atë masë, saqë as gjysma e tyre nuk dalin në zgjedhje. Populli e ka humbur besimin se mund të ndryshojë diçka me votën e tij. Në anën tjetër kemi zvogëlimin e pranisë ndërkombëtare, diçka që do të duhej të sjellë gëzim te kosovarët. Por edhe ata pak “ndërkombëtarë” që kanë mbetur në Kosovë nga një pjesë e popullit shihen si një lloj ilaçi në përpjekje për të zvogëluar korrupsionin dhe krimin e organizuar. Nga Brukseli druhet porosia se ata nuk janë atje për një gjë të tillë, sepse korrupsionin duhet ta luftojnë vetë kosovarët. Nëse kosovarët i kanë shpresat te “ndërkombëtarët”, që këta të fundit ta zhdukin korrupsionin, do të zhgënjehen edhe më shumë.