E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kartat falas, grupi i PS vendos sot për bojkotin e Kuvendit

 

Deputetët socialistë do të vendosin sot për pjesëmarrje në seancat e ardhshme parlamentare. Grupi socialist, i cili mblidhet sot paradite, do të diskutojë për vendimin e marrë një javë më parë kur bojkotoi seancën parlamentare në emër të kartave të identitetit. Pritet që socialistët të vazhdojnë bojkotin deri në një përgjigje të qartë nga kryeministri Berisha, nëse do të lejojë shpërndarjen falas të kartave të identitetit për të gjithë ata shtetas që nuk kanë pasaportë. Mungesa e kryeministrit në vend, për shkak të vizitës zyrtare në Kinë dhe marrja e tij direkt me kërkesën e tyre, i detyron ata të shtyjnë ndoshta edhe për këtë javë qëndrimin e tyre jashtë sallës së Parlamentit. Sekretari socialist për çështjet zgjedhore, Kastriot Islami, tha dy ditë më parë se socialistët do të presin deri në fund të kësaj jave për t’u shprehur në lidhje me procesin zgjedhor. Sipas tij, ky është limiti kohor i mundshëm për të arritur procesin e shpërndarjes së kartave të identitetit falas, pas këtij afati çdo vendim tjetër bëhet i pamundur për t’u realizuar. Kryetarja e grupit parlamentar socialist, Valentina Leskaj, tha të enjten e shkuar se socialistët braktisin Kuvendin deri në marrjen e një vendimi nga ana e qeverisë për karta falas për të gjithë ata që nuk kanë pasaporta. Por një ditë më vonë, kryetari socialist Edi Rama, gjatë një konference për shtyp korrigjoi Leskajn, duke thënë se socialistët kanë braktisur seancën parlamentare dhe jo Kuvendin. Kjo deklaratë e Ramës u pasua nga një ftesë e tij për kryeministrin Berisha për një tryezë të përbashkët për të paraqitur propozimet e socialistëve për kartat falas. Por bojkoti që deputetët socialistë i bënë dje komisioneve parlamentare duke lejuar maxhorancën të votonin të vetëm, por dhe porosia për të bojkotuar edhe sot këto komisione, tregojnë se do të kemi një zgjatje të bojkotit të paktën për këtë javë parlamentare.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›