E Shtunë, 31 Tetor 2026

Facebook, më i madh se Brazili

Nga Meg Kane, “The Guardian”

A je në Facebook? Mos më gënje. Nuk ke profil në të? Cila është gjendja jote civile? Pikëpamjet politike? Mos harro të më tregosh për besimin tënd fetar. S’ka si të njihemi? Ti je parukieri i kushërirës sime? Shkëlqyer, për mua mjafton. Le të bëhemi shokë. Mos u ndërgjegjëso për këtë, sepse, nëse je anëtar i kësaj faqeje interneti të famshme, vështirë se je pakicë. Në fakt, Facebook javën e kaluar njoftoi se sapo ka bërë anëtarin e tij të 200-miliontë. 200 milionë! A ju kujtohet hera e fundit, kur 200 milionë njerëz përreth botës ishin anëtarë të të njëjtit klub, sidomos kur kemi parasysh që klubi është vetëm 5 vjeç? As mua. Sipas krijuesit të Facebook, Mark Zuckerberg dhe ekipit të tij, nëse Facebook do të ishte një shtet, do të ishte i pesti më i madhi në botë (më i madh se Brazili, më i vogël se Indonezia). Kjo është e hatashme. Duket se Facebook po futet shkëlqyeshëm thuajse në çdo mënyrë komunikimi online. Ja ku është tregu, ku mund të blesh/shesësh/shkëmbesh me “Përdoruesit afër teje”. Ja ku është pjesa për Shënime, që të lejon të shkëmbesh sekretet e tua më të thella me familjen dhe miqtë e tu dhe familjet e miqtë e tyre dhe me - ups! - punëdhënësit potencialë. Në realitet, përditësimi i statusit në kombinim me pjesën News Feed, e bën të mundshme për miqtë e tu që ta fusin veten në ditën tënde, aq shpesh sa duan dhe nëse nuk e heq veten nga web (një akt, i cili në mënyrë alarmante referohet si “vetëvrasja e Facebook”), je i pafuqishëm që t'i ndalësh. Do të dish se kush është adhurues i Madonës (unë!), kush po shkon në tubimin “Shpëtoji breshkat e detit” (me siguri jo unë), dhe kush shkoi në palestër pas punës, pavarësisht nëse ke dëshirë ose jo (s’ka shans që kjo do të jem unë). Vetëm sa bëra një kërkim në Google për frazën “Facebook po pushton botën” dhe gjeta 30,200,000 rezultate. Për shkak se Facebook mund të jetë me të vërtetë i bezdisshëm (dhe mund të të dëbojë nga puna), tenton të marrë fajësime të këqija. Por duhet t'ia jepni dorën, kur duhet t'ia jepni dorën: Facebook definitivisht lejoji një lloj unik të mobilizimit social dhe shpirti i tij, shpejtësia dhe shkathtësia nuk mund të nënçmohen. Lehtësia dhe shpeshtësia me të cilën përdoruesit mund t'i lajmërojnë miqtë për “kauza” ua ka mundësuar bamirësve që të gjejnë njëri-tjetrin me anë të interesave të përbashkëta në jofitimprurëset, dhe ka mundësuar donacione dhe mbledhje të fondeve për aktivitetet që kemi në zemër. Përdoruesit dhe jo-përdoruesit me siguri plotësisht janë të vetëdijshëm për prezencën e Facebook në fushatën e fundit presidenciale. Ekipi i Facebook shpjegon se prej 45 milionë të përdoruesve aktivë, një 80-përqindësh i madh janë në moshë të votojnë. Dhe nëse ende e përzieni Facebook me ndonjë chat të adoleshentëve, t'u përkujtojmë se 50% e përdoruesve janë përmbi moshën 35-vjeçare dhe demografia e përdoruesve që po rritet më së shpejti janë meshkuj dhe femra përmbi moshën 55-vjeçare. Do të duket thuajse rrjeti i Mark Zuckerbergut është shndërruar në një autobus feste që përfshin gjithçka dhe ti, ose je brenda, ose të kanë lënë prapa. Në rregull, kjo ishte pak dramatike. Por Facebook mund të shikohet ashtu kur është në fjalë ndonjë biznes, duke pasur parasysh aftësinë e këtij rrjeti që të reklamojë produktin e ndonjë kompanie apo t'i shërbejë një audience, e cila vazhdimisht po shumëzohet. Në këtë moment, cilido biznes mund të regjistrohet në Facebook, të përdorë pjesën Platformë dhe me këtë të përdorë edhe një pajisje marketingu për t'iu qasur një grupi të llojllojshëm dhe të gatshëm të blerësve potencialë. Do të dukej, sidoqoftë, se Facebook nuk planifikon të jetë edhe aq komoditet për edhe shumë kohë të gjatë. Ashtu si mund t'ju thotë cilido facebook-ist, muajt e kaluar kanë parë thashetheme që Facebook do të fillojë të kërkojë pará për shërbimet e tij.

Gulç. Facebook mund të mos jetë më falas? Çfarë, nuk ka mjaft fitime të mbledhura nga reklamat kështu siç është? E kuptoj joshjen që të nxirren edhe më shumë pará nga bisha e tyre, gjersa gjendet në majë, por nuk mund të paramendoj që kjo do t'i lejojë Facebook-ut vazhdimin e rekrutimit të përdoruesve të rinj. Dua të them, njerëzit do të durojnë një produkt me gabime, gjersa ky produkt kushton zero dollarë dhe zero centë. Dhe Facebook është larg nga të qenit i përsosur, qasja relativisht e hapur ndaj platformave do të thotë se pothuajse kushdo mund të dizenjojë një aplikim të neveritshëm për t'i kënaqur nevojat e tyre dhe ti duhet t'i vuash pasojat. (Mbingarkesë me quizz-e? Me të vërtetë nuk po më bëhet vonë se cila këpucë jam.) Qartazi, ka shumë njerëz në botë, të cilët nuk janë në Facebook dhe kurrë nuk do të jenë. Por web-i gjen veten në një pikë kulmore, në kuptim të krijimit të një prezence në internet, e cila e rivalizon atë të Google (të cilët në fakt u përpoqën të blinin Facebook): a qëndron me paradigmën dhe lejon që Facebook të mbetet web për rrjet social, i hapur për të gjithë (personat, vendet apo gjërat) apo e kufizon, merr kontroll më të madh mbi produktin dhe kërkon pagesë për përdorimin e tij dhe me këtë largon një pjesë të mirë të popullatës që është e përgjegjshme për omniprezencën e saj të tashme?

Do të jetë interesante të shihet se çfarë do të ndodhë në vitin apo vitet e ardhshme. Zuckerberg dhe ekipi i tij e lëkundin shumë anijen, është vetëm çështje kohe, derisa të dalë një produkt zëvendësues dhe Facebook do të lihet anash si miss-i një viti më parë, e detyruar t’i dorëzojë pasardhëses cyber-kurorën e saj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›