E Shtunë, 31 Tetor 2026

Flamurmbajtësi kosovar i Shqipërisë në Pekin

Saiti, intervista e parë e kosovarit që mbajti flamurin e Shqipërisë në ceremoninë hapëse të Lojërave Olimpike. Si ndihet për këtë dhe mesazhi i tij për të gjithë në

Është i bëshëm në trup, ashtu siç e kërkon vetë sporti i mundjes, por tepër i thjeshtë dhe i qeshur në bisedë. Sait Prizreni, sportisti dhe mundësi i njohur kosovar, pas fitores në Azerbajxhan në Kampionatin Botëror të Mundjes (medalje bronzi), ka vendosur të sfidojë përsëri. Këtë herë në Olimpiadën e Pekinit. Jo vetëm kaq. Ai është përzgjedhur si i pari i skuadrës shqiptare duke mbajtur edhe flamurin shqiptar në dorë gjatë prezantimit të vendit tonë në Pekin.

Urime Sait! Jeni përzgjedhur si mbajtësi i flamurit shqiptar në prezantimin e Shqipërisë në Lojërat Olimpike të Pekinit. Ç’do të thotë për ju personalisht një gjë e tillë?

Faleminderit! Për mua si Sait, të mbaj flamurin shqiptar në përfaqësimin dhe kalimin e Shqipërisë në Lojërat më të rëndësishme botërore siç janë ato të Pekinit, është një nder i madh. Jo çdokujt mund t’i jepet një mundësi e tillë. Të jesh në krye të skuadrës shqiptare në këto lojëra duke mbajtur në duar dhe valëvitur flamurin shqiptar, është një kënaqësi shumë më e madhe nga ajo e përfaqësimit dhe marrjes pjesë në këto lojëra. Shpresoj që ta nderoj veten time në radhë të parë, vendin dhe flamurin shqiptar të cilin do të përfaqësoj në lojërat e Pekinit.

Merrni pjesë për të disatën herë në Lojërat Olimpike. Çfarë eksperience keni marrë nga lojërat e mëparshme dhe sa jeni përgatitur për në Pekin?

Përvojat e mëparshme më kanë shërbyer shumë për të prezantuar veten time dhe vendin që përfaqësoj. Kam marrë pjesë edhe në Lojërat e Sidnejit dhe Athinës që u zhvilluan para katër vjetësh në Greqi. Arrita rezultate të mira, pavarësisht se nuk u futa dot në zonën e medaljeve. Në Lojërat Olimpike marrin pjesë sportistët më të mirë të botës, kështu që edhe mundësia për të mos qenë ai që të njohin të gjithë është shumë e madhe. Të fitosh medalje është kënaqësi e madhe, por mbi të gjitha pjesëmarrja është kënaqësi që s’ka të treguar. Për këto lojëra jam përgatitur mirë dhe shpresoj që të paraqitem shumë herë më mirë se në lojërat e mëparshme, duke synuar shumë edhe tek medaljet.

Si ju duken ambientet ku po qëndroni dhe pallatet sportive këtu në Pekin?

Eshtë bërë një punë e mrekullueshme. Kushtet e qëndrimit këtu në fshatin Olimpik janë shumë të mira. Kam vëzhguar nga afër disa prej stadiumeve olimpike dhe më kanë pëlqyer jashtë mase. Kina ka bërë vërtetë një investim kolosal. Kjo vlen jo vetëm për të, por edhe për ne sportistet, pasi edhe ne duke pasur kushte shumë të mira, ndihemi më mirë dhe përpiqemi të japim shumë më tepër.

Jeni renditur i treti në kampionatin botëror të mundjes që është zhvilluar para disa kohësh në Azerbajxhan? A mendon se do të fitosh medalje dhe se do të kesh të njëjtin rezultat si në Azerbajxhan?

Eshtë e vërtetë. Arrita të fitoj medaljen e Bronzit në Kampionatin Botëror të mundjes në Azerbajxhan. Punova shumë për ta fituar atë medalje. Ishte si të thuash një ëndërr, që e bëra realitet për të gjithë. Një fitore para nisjes se Lojërave të Pekinit. Jam stërvitur mjaft për të arritur deri në maje, atje ku arrita dhe shpresoj që të njëjtën gjë të arrij edhe këtu në Pekin. Shpresoj të jem ndër më të mirët dhe të marr medalje, duke mos zhgënjyer veten dhe vendin që përfaqësoj.

Ju jeni nga Kosova, tashmë një vend i njohur dhe i pavarur. Ju vjen keq që nuk përfaqësoni Kosovën dhe të mbani flamurin e Kosovës?

Më keni bërë një pyetje shumë të vështirë. Pavarësia e Kosovës ka qenë ëndërr për të gjithë ne dhe sot jemi të lumtur që e arritëm këtë ditë. Më vjen keq vërtetë që nuk përfaqësoj Kosovën dhe të mbaj flamurin e saj. Megjithatë unë jam shqiptar dhe të përfaqësoj Shqipërinë nuk e kam aspak problem, përkundrazi. Deri para pavarësisë, Kosova ka patur flamurin shqiptar kudo, prandaj si të përfaqësoj Kosovën dhe Shqipërinë,për mua është njësoj. Është i njëjti vend. Në fund të fundit shqiptarë jemi të gjithë. Janë vetëm problemet politike ato që na ndajnë nga disa gjëra, por asgjë tjetër.

Urimi dhe mesazhi i Saitit për lexuesit e “Shekullit” dhe për gjithë shqiptarët.

Uroj për të gjithë në sa më shume paqe dhe dashuri mes njëri-tjetrit. Si sportistë shpresoj të përfaqësohemi denjësisht dhe kërkojmë mbështetjen morale të të gjithëve në këto lojëra. Thënia “Një botë një ëndërr”, le të bëhet vërtetë realitet në këto lojëra. Edhe një herë faleminderit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›