Mami, tani unë pi vetë me filxhan..
Zhvillimi i fëmijëve nga muaji i 15 deri tek i 18-ti, tre muajt që paraprijnë ndryshimet e mëdha. Fëmija ecën dhe përkulet i sigurt në vetvete
Në përgjithësi, tek fëmijët deri në muajin e 18, pra deri në moshën një vit e gjysmë, vërehen pak ndryshime të veçanta muaj pas muaji. Ata paraqesin pothuajse të njëjtat elementë të zhvillimit psikomotor porse, gjithnjë edhe më të plota e të qarta. Pikërisht për këtë arsye këta muaj do të përshkruhen së bashku.
Të kuptuarit dhe të shqiptuarit e fjalëve gjatë këtyre muajve shtohet në numër, por edhe në përdorimin e tyre. Kështu, jo vetëm që përdor fjalët mama, baba, dada, mamam etj., me kuptimin e plotë të tyre, por fillon të përdorë e të lidhë dy fjalë të ndryshme. P.sh. fare qartësisht kërkon të ushqehet kur thotë “do mam” apo se do të dalë shëtitje kur thotë “ik dada”. Tregon saktësisht pjesët e trupit të tij që ia kërkon e po kështu, i emërton ato edhe te dikush tjetër apo tek kukullat. Vazhdon të përmirësohet pjesëmarrja e tij në marrjen dhe realizimin e dy apo tre porosive të thjeshta. Kështu, nëse i kërkohet që të sjellë një lugë e realizon atë pa asnjë mëdyshje pa e ngatërruar atë me thikën apo pirunin.
Zhvillimi i lëvizjeve të mëdha përfshin të gjitha veprimet që kryente edhe në muajt e trembëdhjetë e katërmbëdhjetë, por gjithnjë e më të sigurt. Kështu godet topin me këmbë në drejtimin përpara gjithnjë e me më shumë forcë e siguri. Madje këtë veprim mund ta bëjë edhe me të dy këmbët. Ecën mjaft mirë e me siguri përpara, por, edhe me kaq siguri praptas. Përkulet me siguri për të marrë topin, të cilin pastaj e hedh me të dy duart përpara ose lart. Ngjitja dhe zbritja e shkallëve është bërë tashmë një veprim i zakonshëm i tij.
Zhvillimi i lëvizjeve fine përmblidhet në zhgaravitjen spontane që ata bëjnë gjatë këtyre muajve, nxjerrjen e stafidhes nga shishja. Madje, e nxjerr atë nga shishja dhe e tregon duke e rrotulluar nëpër gishtat e tij. Është në gjendje të ndërtojë kullë me dy deri tre kuba.
Zhvillimi vetjak shoqëror.Pi vetë me filxhan duke vrojtuar me kujdes rreth e rrotull. Diku nga muaji i 18-të 25% e fëmijëve janë në gjendje të hanë të pavarur me lugë. Nga mosha 16-17 muaj 5-8% e fëmijëve fillojnë të përdorin edhe pirunin në mënyrë të pavarur. Zhvesh vetë rrobat e tij. Vazhdon të imitojë nënën, në mënyrë më spektakolare, se kinse po bën punët e shtëpisë. P.sh. sikur fshin shtëpinë me fshesë apo sikur po merr pluhurat nga mobiliet. Po ashtu bëhet më i sigurt në ndihmën që jep për kryerjen e punëve të thjeshta të shtëpisë.
Zhvillimi fizik, pesha dhe gjatësia e fëmijës, në këto 4 muaj, nuk pëson ndryshime shumë të dukshme. Kështu një fëmijë femër mund të peshojë mesatarisht nga 10.2 deri në 10.8 kg, ndërsa mund të jetë e gjatë nga 78 deri në 81 cm. Një fëmijë mashkull, mesatarisht, mund të peshojë nga 11 kg. deri në 11.4 kg, ndërsa mund të jetë i gjatë nga 80 deri në 83.5 cm.
PYETJE - PËRGJIGJET
E mjekova në shtëpi, si më thanë, por…
Dr. Çimi, fëmija im është 9-të muajsh. Para disa ditësh e kisha sëmurë me temperaturë, të vjella e heqje barku. U mundova ta mjekoj si më thanë me tremol, por nuk ia arrita. Edhe pse tresolin e pinte e po ashtu edhe ujë, vazhdoi të vjellë deri sa u detyrova ta shpie në spital për serum. Pas serumit gjendja u përmirësua dhe sot ai është mirë. A mund të di se pse nuk arrita t’ia ndërpres të vjellat në gjendje shtëpie? Lindita M. Kavajë
E nderuar mami Linda! Nga sa shkruani ju unë mendoj se fëmija juaj i është nënshtruar ditë më parë asaj që ne rëndom e quajmë gjendje virale dhe nga e cila ka pasur shumë fëmijë të sëmurë dhe që i janë drejtuar edhe spitalit për të marrë serum.
Rifutja në organizëm e lëngjeve të humbura, për shkak të të vjellave të cdo natyre apo të diarreve, aq më shumë kur ato shoqërohen edhe me temperaturë, nëpërmjet dhënies nga goja të lëngjeve që përmbajnë kripërat që humbasin me to, është një veprim që duhet ta dinë e ta zbatojnë të gjithë prindërit, si një veprim i domosdoshëm për mbrojtjen e shëndetit e ndonjëherë edhe të jetës së fëmijës së tyre.
Në të gjithë rrjetin farmaceutik, ka në shitje paketa (qeska) me një pluhur që përmban kripë gjelle (Natri Klorat), sodë buke (Natri Bikarbonat), sheqer dhe kalium. Këto paketa, me emra të ndryshme si Tresol, O.R.S., Almora Adiaril, Rapolyte etj., duke u tretur në ujë, në sasinë që rekomandon prodhuesi (1 litër apo 250 ml.), krijojnë solucionin rehidrues. Ky solucion nuk është gjë tjetër veçse serumi që në spital e marrim nëpërmjet venave, mjaft traumatizuese për fëmijët, ndërsa në kondita shtëpie e marrim nëpërmjet gojës, marrje mjaft e thjeshtë, shumë efikase dhe pa e traumatizuar fëmijën. Shpeshherë, për arsye të moskëshillimit të plotë mjekësor, për arsye të mosplotësimit të këshillave të mjekut nga ana e prindërve apo të ngutjes së tyre mundet që të dështojmë në punën për të rehidruar fëmijën.
Sa e si duhet të jepet tresol-i Tretet në ujë të vakët dhe të ftohur (1 litër apo 250 ml. sipas kushtit të vendosur nga prodhuesi) një paketë tresol dhe jepet: 50-100 ml. për çdo të vjellë apo dalje diarreike në mënyrë ritmike, 1-2 lugë kafeje (5 ml.) në çdo 2-3 minuta. Nënave që u duhet të japin tresolin, zakonisht unë ju rekomandoj: Një dy lugë kafeje tresol, shko e laj ndonjë pjatë! Një dy lugë tresol, shko trazo e provo gjellën që mund të jesh duke përgatitur! Një dy lugë tresol, fillo e pastro tavolinën nga pluhurat e kështu në vazhdim. Kjo mënyrë dhënieje ka tre vlera të mëdha: Së pari, sepse nuk e mbingarkojmë fëmijën me sasi të tepërta lëngjesh. Së dyti sepse nëse fillohet në kohë dhe jepet siç duhet ka vlera të barabarta me serumin në mos më të mira. Së treti, sepse kështu i japim mundësi sistemit tretës ta thithë atë që i japim e të mos e vjellë duke nxjerrë edhe lëngje të tjera të stomakut, rrjedhimisht të shtohet më tepër tharja e organizmit. Kohëzgjatja e dhënies së këtij solucioni vazhdon deri sa fëmija të qetësohet (të mos vjellë e të mos dalë më bark). Shenja më e mirë e ndërprerjes së kësaj mënyre dhënieje është refuzimi që bën fëmija ndaj dhënies së mëtejshme. Pas 4-6 orësh jepet Qumësht Gjiri dhe racionet e tjera ushqimore siç janë marrë edhe më parë, më mirë do të ishte dhënia egjysmës së sasisëtë racionit të tyre.
Për fëmijët e rritur, mbi 2 vjeç, veprohet njëlloj, por, sasia e dhënies është më e madhe, një filxhan kafeje çdo 2-3 minuta.
Ky solucion dhe kjo mënyrë dhënieje, bën të mundur të dominohen dhe të shërohen 90% e të vjellave dhe diarreve me tharje të shkallës së parë e të dytë dhe nuk lejon thellimin e mëtejshëm të gjendjes së fëmijës.
Pasi kemi kryer këto veprime kërkohet ndihma mjekësore. Mjeku është autoriteti i vetëm që vendos: Për llojin dhe shkaktarin e sëmundjes dhe për vazhdimin e mëtejshëm të mjekimit.
Përshëndetje
Dr. Cimi
KËNDI I ANALIZAVEKonstipacioni, ose gjendja e kapsllëkut
Admir Nake/ Mjek Laboratori
Një grua shtatëdhjetë e dy vjeçare ka histori të hemorragjisë së traktit të sipërm të tretjes, anemi nga mungesa e hekurit, për shkak të së cilës ajo ka filluar të marrë mjekim me hekur sulfat nga goja, për të zëvendësuar hekurin e humbur nga hemorragjia, si shkaktar të kësaj anemie. Gjithashtu ajo ka një histori të diabetit të përparuar me neuropati periferike, prandaj merr amitriptilinë. Ajo ka një hipotiroidizëm të pamjekuar, e ndërkohë mjekohet me nifedipinë, që është një kalçibllokues për hipertensionin. Ajo ka konstipacion( gjendje kapsllëku), dhe kur jashtëqitja ndodh, ajo është shumë e errët në ngjyrë, thuajse e zezë.
Shkaku më i shpeshtë i konstipacionit është në përgjithësi mosmarrja e ushqimeve me fibra dhe pamjaftueshmëria e marrjes së lëngjeve.
Ushqime me fibra janë kryesisht frutat, vegjetalet dhe drithërat.
Si shkak tjetër mjaft i shpeshtë i konstipacionit mund të shërbejë marrja e disa medikamenteve, si kodeina ( tylenoli) antidepresantët, si amtriptilina, imipramina(Tofranili), antikonvulsivantët, si fenitoina( Dilantina), dhe karbamazepina(Tegretoli), mjekimet me hekur, për aneminë ferrodefiçitare, kalçibllokuesit siç është diltiazemi( kardizemi) dhe nifedipina, alumini në përbërje të antiacideve të përdorura në gastrite apo ulçera etj.
Çrregullimet hormonale mund të radhiten si shkak tjetër i konstipacionit. Më të shpeshtat janë pamjaftueshmëria e hormoneve të tiroides, pra hipotiroidizmi ose sasitë e shtuara të hormoneve të paratiroides, që shoqërohen me vlera të larta të kalciumit në gjak.
Gjithashtu vlerat e larta të progesteronit dhe estrogjenit tek femrat mund të shkaktojnë konstipacion, dukuri kjo që mund të vihet re për këtë arsye gjatë shtatzënisë, por edhegjatë ciklit menstrual, kur vlerat e këtyre dy hormoneve janë të larta.
Sëmundje që prekin vetë zorrën e trashë. Ka shumë sëmundje që mund të cenojnë funksionin e muskujve dhe/ose të nervave të zorrës së trashë. Këto përfshijnë sëmundjen e diabetit, një sëmundje tipike sistemike, të indit lidhor, sklerodermia( që ka karakteristikë kryesore në fakt duart e ftohta-akull etj), pseudo-bllokimi i zorrës së trashë. Ngushtimi ose kanceri i zorrës së trashë mund të japë konstipacion,
Sëmundje të Sistemit Nervor Qendror mund të japin konstipacion, si sëmundja Parkinson, Skleroza Multiple, apo dëmtimet e palcës së kurrizit, qofshin këto dhe traumatike.
Pas këtij shqyrtimi të shkurtër teorik, për gruan shtatëdhjetë e dy vjeçare vlen të theksohet se ngjyra e zezë e jashtëqitjeve ndodh nga hemorragjia, nga marrja e subsalicilateve të bismuthit, dhe nga marrja e hekurit. Por, hemorragjia e traktit tretës, nuk jep konstipacion, por diarre, sepse gjaku vepron si laksativ. Gjaku jep diarre, tabletat e hekurit japin konstipacion. Diabeti, hipotiroidizmi, marrja e antidepresantëve janë faktorë shtesë në favor të konstipacionit. Por shkaku kryesor i konstipacionit në këtë rast është marrja e dozave të hekurit për mjekimin e anemisë ferripirive.
Në këtë rast mjekimi i duhur është ndalimi i mjekimit me hekur sulfat, dhe të sigurohemi nëse pacienti e ka normal statusin hidroelektrolitik( ka humbur ose jo lëngje). Përveç kësaj ka mjekime të veçanta që e nxjerrin pacientin nga situata e pakëndshme e kapsllëkut, të cilat jepen pas vizitës nga mjeku.