E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Qesha me shpirt kur pashë Berishën duke notuar"

Me Armand Dukën. Një jetë e ndarë mes biznesit dhe futbollit. Rrëfimi i kreut të FSHF, për karrierën, familjen dhe përjetimet vetjake…

Këtë të diel në rubrikën “Miq në Fundjavë”, kemi sërish përfaqësues nga një prej kategorive më interesante të shoqërisë shqiptare, nga biznesi. Shumë e njohin si drejtuesin e Federatës së Futbollit, shumë të tjerë si biznesmen. Në faqet e Fundjavës, Armand Duka vjen si të gjithë ne të tjerët, në përgjigje të atyre pyetjeve, me anë të të cilave synojmë të ndajmë së bashku, ato vlera dhe qëllime njerëzore që ne shqiptarëve nuk na mungojnë dhe që media, e fiksuar pas modeleve komerciale, shpesh harron që e ka për detyrë t’ia përcjellë lexuesit...

Z. Duka, shumë njerëz ju njohin si biznesmen, shumë të tjerë e lidhin emrin tuaj me Federatën që drejtoni. Ju vetë ndiheni më shumë njeri i biznesit apo i futbollit?

- Unë, kam mbaruar Fakultetin Ekonomik. Normalisht, jam një njeri që vij nga fusha e biznesit. Të paktën që në fillimin e viteve ’90, jam marrë vetëm me biznes.Në familjen e madhe të futbollit, zyrtarisht kam hyrë në vitin 2002, por shpirtërisht kam qenë i lidhur me të që fëmijë. Jam i lumtur, në rast se më quajnë njeri të futbollit. Brenda vetes time, për këtë çështje nuk ka xhelozi. Në të dyja versionet, kam fituar shumë miq, shokë dhe respekt.

Cilat janë sipas jush “standardet shqiptare” të një biznesmeni të suksesshëm?

- Në përgjithësi ato që janë në të gjithë botën. Në Shqipëri duhet më shumë guxim dhe më shumë punë. Duhet të jesh i kujdesshëm që të llogarisësh edhe një mori të papriturash që të dalin gjatë rrugës.

Ju e konsideroni veten një biznesmen të suksesshëm?

- Këtë, nuk më takon mua ta përcaktoj.

Sa e vështirë është të bësh biznesmenin në Shqipëri?

- Nuk do ta ndaja biznesin nga fushat e tjera të jetës në Shqipëri. Është aq e vështirë sa edhe për profesionet e tjera. Por biznesmen, e vështirë është të jesh edhe në botë, jo vetëm këtu.

Shqiptarët shohin shpesh acarime mes qeverive dhe biznesit. Së fundmi, është edhe më e rënduar situata. Ju vetë madje keni një histori të freskët konflikti me pjesën administrative të shtetit. Pse bëhen shpesh kaq të vështira marrëdhëniet mes qeverive shqiptare dhe biznesit, sipas gjykimit tuaj?

- Sepse, ka njerëz që e mendojnë pushtetin të pakufishëm dhe nuk i nënshtrohen rregullave dhe ligjeve. Sepse kalimi nga një sistem të centralizuar në një sistem të tregut të lirë, ka qenë i vështirë për t’u kuptuar. Dhe shpesh është abuzuar me këtë.

Jua bëra këtë pyetje jo pa qëllim. Pjesa abuzuese dhe parazitare e politikës shqiptare shpesh ndihmohet nga fakti që në publikun shqiptar shpesh fjala “biznesmen” mbart një konotacion të rënduar për shkak se këtë titull të nderuar shoqëror e kanë përvetësuar edhe njerëz që pak kanë të bëjnë me biznesin dhe pasurimin e ligjshëm…Është ky një fenomen kalimtar sipas jush, apo nevojitet një imazh i ri i biznesit?

- Unë mendoj se biznesi e ka krijuar tashmë një profil të tijin serioz dhe vizionar. Shumë gjëra që kanë lidhje me zhvillimin e këtij vendi, kanë ardhur si rrjedhojë e punës, sakrificave dhe vizionit të këtij biznesi.

Si janë aktualisht punët në Federatën e Futbollit, pas konflikteve me ministrinë, qeverinë, dhe urdhrin e pezullimit nga FIFA?

- Pas takimit me iniciativën e Presidentit të Republikës, Bamir Topi, mes meje dhe Ministrit Ylli Pango, mendoj se gjërat kanë ardhur duke u përmirësuar. Marrëdhëniet e FSHF me MTKRS, me kontributin e FIFA-s dhe UEFA-s, kanë ardhur duke u normalizuar. Sigurisht, do të duhet kohë dhe veprime reale që gjërat të shkojnë drejt asaj që duhet. Ne kërkojmë që shteti të na mbështesë në iniciativat tona, sepse kështu mbështet futbollin, që është sporti më i dashur dhe i rëndësishëm në Shqipëri.

Meqë jemi te futbolli, një pyetje që e bëjmë shpesh në ambiente familjare. Pse kombëtarja e futbollit pëson kaq shpesh gol në minutat e fundit? Mos u duhet një psikolog djemve?

- Mendoj se djemve u duhet më shumë besim. Sa i takon psikologut, ai ka kohë që nuk i shërben më skuadrave të futbollit pasi këtë rol e luan trajneri i parë. Të mos harrojmë se gjatë këtij edicioni, kemi shënuar madje edhe marrë penallti në minutat e fundit. Por problemi qëndron dhe ne duhet te përmirësohemi në këtë drejtim.

Dhe në fund të kësaj pjese të parë, një pyetje që ju bëhet kudo në botë biznesmenëve kur intervistohen. Si e bëtë milionin e parë?

E kam të deklaruar, jo milionin e parë, por edhe qindarkë dhe çdo qindarkë tjetër.

FAMILJA

“Barra kryesore për familjen i bie gruas sime të mrekullueshme...”

- Cila është familja e zotit Duka?

Ajo përbëhet nga gruaja ime Suela dhe nga dy fëmijët, vajza ime Lori dhe djali Kejdi. Kuptohet që barra kryesore në familje i bie gruas, për shkak të impenjimeve të shumta që kam unë gjatë ditës.

- Meqë jemi në stinën e verës, ku do t’i kaloni pushimet, brenda apo jashtë Shqipërisë?

- Pushimet do t’i kaloj në Itali. Iskia, është një vend i mrekullueshëm, që më pëlqen shumë. Është i jashtëzakonshëm, madje edhe më i bukur se ai që përshkruhet në libra.

- Po t’u jepej mundësia, a do largoheshit nga Shqipëria për të jetuar diku tjetër?

- Me dëshirë kurrë. Është një gjë që nuk e kam menduar kurrë. Në qoftë se do të ndodhte duhet të ketë një arsye shumë madhore.

Si është dita e zotit Duka?

- Një ditë që nis relativisht vonë dhe përfundon në orët e para pas mesnate. Dal në zyrë rreth orës 09.30 dhe e mbyll kompjuterin pas orës 01.30. Gjatë ditës takoj shumë njerëz. Flasim, diskutojmë për projekte të reja, për punë, biznese. Komunikoj me bashkëpunëtorët e mi nëpërmjet e-mail-it, tel-it dhe cel-it. Edhe për futboll flasim shumë. Fuqia e kësaj loje magjike dhe problemet e saj, më zënë një pjesë të mirë të ditës. Celulari dhe kompjuteri janë dy objekte të cilët më bëjnë shoqëri gjatë gjithë ditës. I pari deri në bezdi. I dyti, disi më i pranueshëm sepse e ke në dorë vetë kur të shkëputesh prej tij.

- Njerëzit që merren me biznes ankohen që nuk kanë shumë kohë për familjen. Ka edhe një shprehje madje që biznesmeni nuk ka kohë të jetë një prind i mirë. Ju e keni gjetur formulën e artë?

- Sado që të përpiqesh, gjithmonë do t’i jesh borxhli familjes. Jo vetëm në rastin e biznesmenëve. Jeta është bërë shumë intensive dhe e mbushur me lëvizje. Mundohem të gjej kohë, sidomos fundjavave për të qëndruar me familjen. Formulë të artë, nuk kam gjetur edhe për faktin se besoj, që nuk ka. Por familja është gjëja më e shtrenjtë për mua dhe “ngushëllohem” me idenë që më justifikojnë për mungesat që bëj.

PYETSORI I PRUSTIT

Hera e fundit që qesha me shpirt? Kur pashë Berishën duke notuar..!

Çfarë është lumturia absolute për ju?

Ajo që më mungon dhe që në përgjithësi i jam borxhli, kur gjendem me familjen.

Çfarë ju bën të zgjoheni në mëngjes?

Ideja që është gjithmonë vonë dhe kam shumë gjëra për të bërë.

Hera e fundit që keni qeshur me shpirt?

Kur pashë Berishën duke notuar.

Tipari kryesor i karakterit tuaj?

Nuk tërhiqem kurrë, kur bindem se kam të drejtë.

Defekti juaj kryesor?

Kam filluar të mos shoh mirë. E kam gjetur zgjidhjen, përdor syze.

Ndaj cilave gabime jeni më tolerantë?

Ndaj atyre që bëhen nga injoranca.

Hera e fundit që u përlotët?

Më shumë përlotem nga gëzimi, sesa nga hidhërimi.

Me cilat personalitete historike identifikoheni më shumë?

Ali Pashë Tepelena

Udhëtimi juaj i preferuar?

Me avion.

Shkrimtarët tuaj më të dashur?

Dan Braun

Cilin virtyt vlerësoni më shumë tek një burrë?

Korrektësinë

Tek një grua?

Bukurinë

Kompozitori juaj i preferuar?

Agim Krajka

Kënga që fërshëlleni kur bëni dush?

Një këngë të Kozma Dushit. “Është një vajzë që e dua shumë...”.

Libri që ju la mbresë të pashlyeshme?

Tani së fundi, “Të jetosh në ishull”, i Ben Blushit.

Filmi që ju la mbresë të thellë?

“Plaku dhe deti”. Në të dyja versionet është realizuar shkëlqyeshëm.

Piktori juaj i dashur?

Kel Kodheli

Ngjyra juaj e preferuar?

Jeshilja

Cilin konsideroni si suksesin tuaj më të madh?

Që kam krijuar familje dhe jetoj prej shumë vitesh me një grua të mrekullueshme.

Çfarë është ajo për të cilën pendoheni më shumë?

Kur ofendoj dikë në nerva e sipër. Ose kur prek dikë padrejtësisht.

Çfarë urreni më shumë në këtë botë?

Mosmirënjohjen.

Frika juaj më e madhe?

Luftërat me armë. Vetëm ato. Luftërave të tjerave nuk i trembem.

Në çfarë rastesh zgjidhni të thoni gënjeshtra?

Kur dua të justifikohem, ndaj atyre që për hir të punëve i kam lënë të prisnin ose si kam takuar dot.

Keni dhënë ndonjëherë ryshfet?

Po shpesh. Po më mirë, më pëlqen t’i quaj dhurata.

Cila është motoja juaj?

Shumë punë, shumë projekte, shumë miq.

Si do të dëshironit të vdisnit?

Në aktivitet.

Po të ndodhte të takonit Zotin, çfarë do t’i thoshit?

Të bënte gjëra të mira për Shqipërinë.

Në çfarë gjendje shpirtërore gjendeni kohët e fundit?

Shumë të mirë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›