Lindita Kodra kalon testin olimpik
Qitësja Lindita Kodra ka pasur dje një garë kontrolli në garën e qitjes me pistoletë ajri në largësinë 10 metra. Sipas burimeve nga fshati olimpik, Kodra ka dhënë një rezultat pozitiv në garën testuese, duke dhënë shpresa për një përfaqësim dinjitoz në këtë disiplinë sportive. "Nëse Lindita Kodra nuk do ta kalonte këtë test, ajo nuk do të konkurronte në garën zyrtare të një dite më vonë,"shprehet shefi i misionit, Fidel Ylli. Kodra në fakt është kualifikuar për në Lojërat Olimpike në garën e qitjes me pistoletë sportive. Për të bërë të mundur përfaqësimin e sportisteve në të dy disiplinat në pistoletën e ajri dhe atë sportive, Federata Botërore vendosi që sportistët e kualifikuar në qitjen me ajër të testohen para garës së qitjes me pistoletë sportive dhe anasjelltas. Nëse Lindita Kodra nuk do të arrinte të kapte pikët minimale të testit kualifikues, ajo nuk do të mund të konkurronte në garën zyrtare të 10 metrave pistoletë ajri. Për këtë arsye, testi i saj dje ka pasur një rëndësi të veçantë. Megjithatë, Lindita Kodra nuk ka pretendime të mëdha në garën e pistoletës së ajrit, për arsye se kjo lloj disipline ka pak që praktikohet në vendin tonë. Pretendimet e saj më të mëdha janë në garën e pistoletës sportive në largësinë 25 metra, aty ku ajo mban dhe titullin kampione e Europës. Konkurrimi zyrtar i qitëses shqiptare në disiplinën e pistoletës ajër 10 metra largësi zhvillohet sot, në orën 9.30. Ndërsa garën e pistoletës sportive Lindita Kodra e zhvillon më 12 13 gusht.