Flamurtari-Besa, arbitri anulon penalltinë nga presioni
VLORE- Janë luajtur 4 ndeshjet e tjera të javës së 18-të të Superligës, ku ajo që bie në sy është fitorja 1-0 e Flamurtarit në një ndeshje të tensionuar kundër Besës. Në Vlorë takimi ka marrë përmasat e një skandali, kur në fundin e pjesës së parë, pasi vendasit ishin duke kryesuar me golin e Shenajt, një lojtar i Flamurtarit preku dukshëm topin me dorë. Arbitri kryesor Remzi Sadiku nuk akordoi asgjë, por anësori sinjalizoi se prekja ishte me dorë dhe dha penallti. Dhënia e 11-metërshit shkaktoi irritimin e vlonjatëve, që sulmuan arbitrat e ndeshjes. Në fushë ka hyrë shefi i klubit Geri çipi dhe më pas edhe kryetari i bashkisë Shpëtim Gjika. Ndeshja u ndërpre për 12 minuta dhe nga presioni i lartë i vlonjatëve, arbitri anuloi penalltinë. Një vendim ky i paprecedent në fushat e futbollit. Lojtarët e Besës në shenjë proteste braktisën fushën dhe u futën direkt në dhomat e zhveshjes, pa ekzekutuar goditjen e këndit. Në fillim u duk si një tërheqje nga fusha e lojës, por pas konsultimit mes krerëve të të dy klubeve dhe zyrtarëve të Federatës, lojtarët e Besës vendosën të ktheheshin në fushën e lojës. “Vendimin e mori presidenti Bizhdili në respekt të publikut të Vlorës që është këtu në stadium, por ajo që ndodhi ishte qesharake dhe e turpshme, - tha trajneri i Besës Shpëtim Duro. – Arbitri u detyrua të anulonte penalltinë nga presioni i lartë i njerëzve me pushtet, pasi në fushë pamë kryetarin e bashkisë që i bënte presion”, shtoi ai. Në pjesën e dytë rezultati nuk ndryshoi megjithë përpjekjet e mëdha të Besës. Madje anësori i anuloi edhe një gol skuadrës kavajase, për pozicion jashtë loje. Tensioni nuk mungoi as në minutat e fundit të ndeshjes, duke regjistruar një ngjarje vërtetë të rëndë. Në tre takimet e tjera të luajtura sot, Gramozi mposhti 1-0 Apoloninë falë golit të Abazajt në pjesën e parë, ndërsa me të njëjtin rezultat Kastrioti fitoi në Korçë ndaj Skënderbeut. Ndeshja tjetër, ajo mes Laçit dhe Teutës, përfundoi në barazim pa gola. Java e 18-të do të mbyllet me takimin e nesërm Tirana-Dinamo, që pas vendosjes së transformatorit në stadiumin “Qemal Stafa, është çuar sërish në orën 18.00 të mbrëmjes. SUPERLIGA Dje Shkumbini-Vllaznia 2-1 Sot Flamurtari-Besa 1-0; Gramozi-Apolonia 1-0; Laçi-Teuta 0-0; Skënderbeu-Kastrioti 0-1; 25/01 Tirana-Dinamo 18.00 RENDITJA Dinamo 42 Besa 30 Tirana 29 Teuta 26 Apolonia 25 Shkumbini 24 Laçi 22 Kastrioti 22 Vllaznia 19 Gramozi 18 Flamurtari 18 Skënderbeu 15(m.a/A. Latifi/BalkanWeb)