E Diel, 1 Nëntor 2026

Paskuqan, dhunohen 170 varre, asnjë përgjegjës

TIRANë- Mbledhësit e metaleve tashmë nuk falin as varrezat e Babrrusë. Janë të shumta varret që janë dëmtuar duke iu hequr kornizat, apo edhe vazot të cilat janë prej bronxi, ose kangjellat prej alumini. Sipas banorëve të cilët denoncuan në News24 problemin, numri i varreve të dhunuara është mbi 170. Varreve iu janë vjedhur shkronjat e bronxit, kornizat e fotografive, vazot metalike e disa të tjerëve iu janë vjedhur edhe kangjellat prej alumini që rrethojnë varret. Banorët e Babrrusë, të cilëve iu janë dëmtuar varret e familjarëve të tyre thonë se vjedhja ka nisur tre muaj më parë dhe ende vazhdon, ndërsa akoma nuk është arrestuar asnjë njeri. Njëra prej familjareve që ndodhej pranë varrit të të atit u shpreh mjaft e shqetësuar për atë që kishte ndodhur “Kam ardhur sot për të parë varrin e babait dhe pllaka ku vendosej fotoja është shkatërruar duke i hequr rrethin që ishte prej floriri. Si bëhet kjo punë kështu? Unë them që shteti të marrë masa, se kemi harxhuar shumë lekë, e kemi bërë me gjithë ato halle, ndërsa në fund gjejmë fotografinë të thyer. Shteti të mbajë përgjegjësi për këto varreza, ndërsa roja të japër përgjiigje për këtë që ka ndodhur”- shprehet njëra prej banoreve. Dhunimi i varreve me qëllim vjedhjen e pjesëve metalike, apo pllakave të mermerit ka ndodhur shpesherë edhe në qytete të tjera të vendit, por përgjegjësit rralherë kanë përfunduar në pranga.(m.a/News24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›