E Diel, 1 Nëntor 2026

Patriarku përkrah pretendimet serbe për Kosovën

BEOGRAD- Patriarku i ri i kishës ortodokse serbe ka marrë postin në një ceremoni në Beograd duke premtuar se do të përkrahë pretendimet e Serbisë për Kosovën. Patriarku Irinej tha se detyra e parë e Kishës ishte të ndihmonte në marrje të 'provincës së ndarë'. Shërbesa në Beograd është e para në një proces prej dy fazash të prezantimit të tij, me një ceremoni të dytë që do të mbahet në Pejë të Kosovës. "Detyra jonë e parë si Kishë është të mbrojmë Kosovën, si tokë të shenjtë dhe të martirëve, të ndihmojmë shtetin ta mbrojë atë nga ata që e kanë marrë," tha Patriarku Irinej në një fjalim të shtunën. "Kosova është toka jonë e shenjtë, është Jeruzalemi ynë," shtoi ai. "Ne duhet të shkojmë në Pejë për të përfunduar këtë ceremoni, por a mund të vizitojmë reliket tona? "Pa to, Serbia nuk është Serbi, pa Kosovën ajo nuk ka zemër dhe shpirt." Zgjedhja e Patriarkut Kisha ortodokse serbe ka zgjedhur peshkopin e Nishit, Irinej Gavriloviç, në krye të saj. Patriarku 80-vjeçar, për të cilin thuhet se ka pikëpamje të moderuara, zëvendëson Patriarkun Pavle, i cili vdiq nëntorin e kaluar. Irinej konsiderohet si një figurë më e moderuar se disa nga tre kandidatët e tjerë që konkuruan për t'u zgjedhur në raundin e fundit të procedurës së zgjedhjes së patriarkut të ri. Emrat e tre kandidatëve që kaluan në fazën përfundimtare, u vendosën në zarfa të vulosur dhe njëri prej tyre u zgjodh ashtu siç i ra fati - besohet se përzgjedhjen e bën Fryma e Shenjtë. Irinej është një figurë e moderuar dhe modeste që mendohet se mund të shërbejë si urë lidhëse midis krahëve të ndryshëm në Kishën serbe. Patriarku ka një rol ndikues në Serbi, ku 85 për qind e popullsisë deklaron se është ortodokse. Shumë serbë e dëgjojnë zërin e Kishës për çështje shoqërore dhe politike. Duket se në një vend që aspiron të bëhet anëtar i Bashkimit Evropian, zgjedhja e një figure më pak konservatore mund të kënaqë qeverinë pro-perëndimore të Serbisë. Irenije bëhet patriarku i 45-të i një prej Kishave më të vjetra Ortodokse në botë. Kisha serbe ende konsiderohet si e afërt me ultranacionalistët, që e kanë përdorur Kishën për të përhapur imazhin e tyre të një Serbie të Madhe gjatë luftrave të viteve 90-të në rajon. Dhe tani shumë vetë besojnë se Patriarku i ri duhet të përpiqet ta ndryshojë këtë imazh.(m.a/bbc/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›