TOB mbrëmje gala në ndihmë të banorëve të Shkodrës
TIRANE- ‘Tinguj për solidaritetin’ titullohet mbrëmja gala që organizohet mbrëmjen e sotme në orën 20 00 në TOB, në mbështetje të familjeve të prekura nga përmbytjet në zonën e Shkodrës. Paraditen e sotme në skenën e Teatrit të Operas dhe Baletit janë zhvilluar provat për mbrëmjen gala, që mbështetet nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Kështu artistët e shquar të Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit do të vënë në shërbim të personave të prekur nga përmbytjet jo vetëm kontributin material të mundshëm, por edhe artin universal të muzikës, gjuhën më të kuptueshme e të sinqertë për të gjithë. Mbrëmja e madhe muzikore përmban arie dhe duetet më të njohura botërore nën interpretimin e solistëve lirikë Ylber Gjini, Marjana Leka, Eva Golemi, Armaldo Kllogjeri, Sidrit Bejleri, Vikena Kamenica, Sonila Baboçi, Manjola Konjari, Dorina Selimaj, Eriona Gjyzeli, Shpresa Beka, Armando Likaj, Emiljana Palushaj dhe të Orkestrës simfonike të Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit, nën drejtimin e mjeshtrit Gianluca Martinenghi. Kjo mbrëmje e madhe gala hap dhe sezonin artistik në TOB për vitin 2010.(m.a/News24/BalkanWeb)