Familja në varfëri ekstreme. Ndihmohet pas apelit në News 24
DIBËR- Bëhen me shtëpi të re, ku ambienti duket i ngrohtë, dhe fytyrat e këtyre fëmijëve e prindërve të tyre nga Maqellara e Dibrës duken më të qeta. Para tre muajsh, ata u bënë personazhe të një historie të dhimbshme njerëzore që u transmetua në News 24, dhe rrjedhimisht edhe në faqen më të klikuar online, BalkanWeb.com. Menjehërë pas pamjeve tronditëse dhe dëshpërimit të nënës e fqinjëve për fëmijët që mbaheshin gjallë me misra të zier si shkak i varfërisë ekstreme, dhe jetonin në një dhomë të vogël të rrënuar, një familje shqiptare me banim në SHBA, vendosi të ndihmojë familjen pa bërë bujë mediatike. “Kjo kronikë u pa në Amerikë dhe ata erdhën tek ne për të na ndihmuar me diavanë, me të gjitha gjërat. Mbasi kanë rregulluar shtëpinë pastaj kanë sjellë dhe placket. I falenderojmë shumë”- shprehet një nga anëtaret e familjes Keshi.Sot ata janë me një shtëpi të re që u ndërtua dhe u mobilua enkas dhe falas për ta, ndërsa përmirësimi i jetesës është i dukshëm. Familja Keshi me këta fëmijë të ëmbël në fytyrë dhe të ndrojtur nga natyra, tashmë nuk po ushqehet më vetëm me misra të zier. Edhe pse gjëndja e rëndë njihej nga komuna për familjen Keshi nuk ishte ofruar asnjë ndihmë shtetërore apo private. Vetëm pas transmetimit të lajmit, me pamje në News 24 dhe foto në BalkanWeb, humanizimi erdhi nga SHBA, duke plotësuar ëndrrën më të madhe të kësaj familje, një shtëpi dhe jetesë normale. Familja që i ndihmoi, nuk ka pranuar të bëhet publike, duke u bazuar në parimet dhe bindjen e tyre islamike, për të ndihmuar pa bërë show.(m.a/News24/BalkanWeb)