Flamurtari, faza përgatitore në Mavrovë

Flamurtari zë vendin e Dinamos. Skuadra vlonjate do të udhëtojë sot në drejtim të Maqedonisë, ku do të kryejë fazën përgatitore për rreth dy javë në Mavrovë, vendi ideal i klubeve shqiptare.
Trajneri kroat Sllavko Kovacic ka përzgjedhur një listë me 25 futbollistë.
Te Flamurtari janë disa lojtarë me dëmtime: Mema, Rustemi, Malja, Veliaj e Guga. Futbollisti i fundit që pritet të bashkohet me kuqezinjtë është mesfushori Ilirjan Caushaj, i cili është ende pjesë e Dinamos në listën e Ligës së Kampioneve.
Sipas klubit vlonjate, mesfushori i talentuar përmetar, i cili në pjesën e dytë të sezonit të kaluar u aktivizua me Teutën (1 gol) ka rënë parimisht dakord për të veshur fanellën e Flamurtarit. Sezonin e kaluar, skuadra vlonjate e kreu fazën përgatitore në Lece të Italisë.