Kamzës i mungon vetëm goli, Bylisi kockë e fortë në transfertë
Kamzalinjtë sulmojnë dhe humbasin raste para portës së Frashërit, kurse Bylisi luan në mbrojtje dhe ia del, në fund të dyja skuadrat ndajnë nga një pike
KAMZA – BYLIS 0 0
KAMZA: Bytyçi, F.Tafaj, Ard. Beqiri, Hallaçi, Cvetanovski, Belçev, Mici, Pema (E.Tafaj 80), Manuka, Karapici, Malindi (Dalipi 84). Trajner: M. De Vekis.
Kartonë të verdhë: F.tafaj, Ard. Beiqiri, Hallaçi, Karapici
BYLIS: Frashëri, Kelmendi, Ristevski, Adebayo, Idrizi (Olalekan 54), Popoviç (Izuchuku 72), Kule, Meto (Abazaj 46), Teqja, Xhafa, Koreshi. Trajner: N. Shensoji
Kartonë të verdhë: Idrizi, Popoviç
Gjyqtarë: E.Jorgji (Elbasan), M. Dervishi (Shkodër), P.Puto (Gjirokastër)
Radiografia
7- Karapici vertikalizon një top në zonë për Malindin, ky i fundit gjuan, pret Frashëri, por anësori Dervishi kishte ngritur më parë flamurin për pozicion të parregullt.
12- Belçev harkon një top në zonë për Manukën, që gjuan në gjysmëlartësie në hyrje të zonës, por mbi traun e portës mike.
13- Aksion perfekt i kamzalinjve. Manuka në gjysmëfushë kroson gjatë te Malindi, i cili gjuan bukur me kokë, por topi kalon ngjitur me shtyllën e djathtë të Frashërit.
23- Kombinim i miqve. Idrizi pason për Popoviçin, i cili sheh të pavendosur mirë Bytyçin, serbi gjuan lehtë dhe topi kalon ngjitur me shtyllën e majtë dhe përfundon jashtë.
52- Karapici kroson në zonë te Malindi, i cili kërcen mbi mbrojtësit ballshiotë, tenton të gjuajë, por largon Frashëri në momentin e fundit.
63- Manuka kroson te Cvetanovski, ky i fundit i ardhur në ndihmë të sulmit gjuan me kokë, por edhe këtë herë ska gol.
90- Rasti i fundit i kamzalinjve. Manuka ekzekuton bukur një goditje dënimi jashtë zone dhe topi shkon drejt e në duart e Frashërit.
Kamza dhe Bylisi vazhdojnë të mos njohin humbje në çerekfinalet e kupës ashtu sikundër janë të dashuruara edhe me barazimet, pasi edhe dje në përballjen e dytë nuk kanë marrë më shumë se një pikë. Kamza më shumë ka kërkuar ofensivën, ndërsa miqtë kanë ditur të mbrohen, por edhe të dalin në kundërsulm.
Skuadra e De Vekisit, me mungesën e Ishkës në mesfushë, nuk ka funksionuar siç duhet, ndërsa ballshiotët e Shensojit kërkonin të dilnin rrezikshëm në sulm me Meton dhe F.Xhafën. Mirëpo të dy ekipet nuk e gjejnë golin, edhe pse në fund kamzalinjtë kanë rrezikuar seriozish portën e Frashërit, por pa finalizuar, edhe pse rastet nuk i kanë munguar me autorë Malindin, Manukën, Karapicin, Cvetanovskin.
Kurse Bylisi, edhe pse ka pasur largimin e Dimos në sulm, duket se është në kolaudim e sipër si skuadër, pasi afrimet e fundit duket se ende nuk janë përshtatur siç duhet me ekipin e Shensojit.
Pjesa e parë Trajneri Mauro De Vekis në këtë sfidë ka aktivizuar një formacion 4-4-1-1, me një sulmues të deklaruar, Malindin, i cili mbështetej nga Karapici nga prapa. Kurse Bylisi me një skemë 4-1-4-1, ku përpara katërshes së mbrojtjes Idrizi, Kelmendi, Adebayo e Ristevski, ishte vendosur Teqja dhe afër tij Kule.
Edhe Bylisi luante me një sulmues, Xhafën, që mbështetej nga Meto, por edhe nga krahët nga Kelmendi e Popoviç. Në këtë fraksion të ndeshjes janë kamzalinjtë që kanë pasur raste për gol, ku është për tu veçuar ai i minutës së 13-të, kur Malindi ka ekzekutuar bukur me kokë, pas një krosi të Manukës, por topi ka kaluar ngjitur me shtyllën e djathtë të Frashërit.
Por ballshiotët zgjohen vetëm pas 23 minutave lojë dhe është Popoviçi i cili ka gjuajtur lehtë, duke shpërdoruar rastin e parë të miqve. Bylisi mbrohet mirë, përdor edhe kundërsulmin, ndërsa mbrojtja dhe mesfusha dinë të bashkëpunojnë mirë edhe me sulmin. Pjesa e parë mbyllet në barazim 0-0.
Pjesa e dytë Fraksioni i dytë i dytë i ndeshjes ka nisur me dy zëvendësime nga miqtë, fillimisht Meto i lë vendin Abazajt, kurse Idrizi afrikanit Olalekan. Shensoji freskon mbrojtjen dhe sulmin, ndërsa pak më vonë aktivizon në mesfushës edhe Izuchukun. Në fillimet e pjesës së dytë janë sërish kamzalinjtë që i afrohen portës së Frashërit, madje rrezikojnë me Karapicin dhe Manukën, por janë të pasaktë në momentin final.
Trajneri De Vekis nuk pajtohet me barazimin dhe aktivizon dy lojtarë për të forcuar sulmin, konkretisht E.Tafajn dhe katër minuta më vonë Dalipin në vend të Pemës e Malindit. Kamza ka rastin ideal në fund të ndeshjes të shënojë me anë të Manukës, por ky i fundit ia ka dhuruar topin Frashërit.
Gjithsesi, takimi mbyllet në barazim dhe lufta për skuadrat që duan kualifikimin në këtë grup do të jetë e ashpër. Janë skuadra të forta dhe, përveç Tiranës, që ka katër pikë, një vend në dyshen e parë e kërkojnë edhe kamzalinjtë, ballshiotët dhe krutanët, dy të parat me dy pikë dhe Kastrioti ka vetëm një pikë.
