E Shtunë, 31 Tetor 2026

Flamurtari kalon turin, në Vlorë ka drithërima

VLORË- Të fitosh 3-1 në transfertë, të jesh në avantazh deri 20 minuta para fundit dhe më pas ta vësh në rrezik kualifikimin, duket si një trillim i pabesueshëm. Por, jo për Flamurtarin e Gugash Maganit. Skuadra vlonjate ka mundur të kalojë në fazën e dytë të Europa League, por pas një ndeshjeje të mbushur me dramacitet në stadiumin e saj.

Takimi i zhvilluar thuajse në mes të vapës, është fituar 2-1 nga Buduçnosti i Malit të Zi, që gjithsesi nuk ka mundur të sigurojë dot kalimin për më tej. Por, ajo që ka rënë në sy, ka qenë “shthurja” e Flamurtarit në minutat e fundit të takimit. Ekipi i Maganit kaloi në avantazh në minutën e 20-të, me anë të Ardit Shehajt, që pasi doli vetëm me portierin, nuk fali, duke e dërguar topin qetësisht në rrjetë. Më pas, loja ka qenë një mërzi e vërtetë, duke krijuar idenë se kualifikimi i vlonjatëve ishte i sigurt.

Por, siç ndodh rëndom me skuadrat shqiptare, asgjë nuk mund të kalojë pa vuajtje. Në minutën e 72-të, malazezët arrijnë të barazojnë rezultatin me anë të Boshkoviç, pas një kombinimi të bukur në hyrje të zonës. Një gol që u duk si rastësi, por që në fund mund të kishte rezultuar si një dramë për ekipin shqiptar. Katër minuta pas golit të parë, Boshkoviç merr edhe një penallti, pas një faulli të Julian Brahjes në zonë. Nga pika e bardhë ka qenë vetë numri “20” i skuadrës së Buduçnostit që ka goditur, duke lënë të shtangur Shpëtim Moçkën.

Minutat e fundit kanë qenë një ankth i vërtetë, pasi malazezët fituan shumë besim te vetja. Megjithatë, rastet e pastra kanë munguar. Një devijim i Veliut pas një krosi të ulët nga e djathta, ishte i vetmi rrezik që kaloi porta e Moçkës. Në fund, festa u ka takuar shqiptarëve, që sigurojnë kalimin në turin e dytë të Europa League.
(e.m/A.Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›