E Shtunë, 31 Tetor 2026

Flamurtari, largon tre futbollistë

Drejtuesit e Flamurtarit dhe shefi i shtabit teknik, Jusuf Tortoshi, i kanë larguar nga ekipi tre futbollistë. Bëhet fjalë për Jeton Mehmetin, Bexhet Govorin dhe Valon Krasniqin.

Sipas trajnerit të kuqezinjve, Jusuf Tortoshi, vendimi për t’i larguar nga skuadra këta tre lojtarë është marrë me qëllim që të kursehet maksimalisht buxheti i klubit, i cili vazhdimisht po përballet me krizë financiare.

“Bordi i klubit, në konsultim me mua si trajner, ka vendosur të bëjë reduktim të futbollistëve, sepse kemi një numër të madh lojtarësh në skuadër. Jemi të interesuar t’i kursejmë mjetet, përkatësisht të punojmë më shumë me futbollistë të rinj dhe më të lirë, sepse kriza financiare është evidente. Për këtë arsye janë larguar këta tre lojtarë”, deklaroi Tortoshi për Express.

Në anën tjetër, njëri prej futbollistëve të larguar, Jeton Mehmeti thotë të kundërtën. Ai thotë se ai dhe dy bashkëlojtarët e tij janë larguar nga Flamurtari, pasi para pak ditëve i kishin bojkotuar stërvitjet e ekipit, sepse nuk i kishin marrë pagat që tre muaj.

“Për këtë arsye jemi larguar. Nuk e kuptoj Jusuf Tortoshin. Ai vetë i ka bojkotuar stërvitjet, sepse nuk ka marr pagë, kurse ne futbollistëve nuk na lejon t’i bojkotojmë stërvitjet, ani pse edhe ne s’kemi marrë paga. Ai shikon vetëm vetë të mos dëmtohet, kurse për ne nuk i intereson. Tortoshi me disa anëtarë të Kryesisë qëllimisht më kanë larguar, për arsye që nuk i di unë, por vetëm Tortoshi i di”, ka thënë Mehmeti për Express.

Ai u shpreh i mahnitur me faktin se si është e mundur të largohen vetëm tre futbollistë, kur tetë të tillë së bashku e kanë organizuar bojkotin.

“Tortoshi qysh moti më ka shikuar me subjektivizëm. Ai ka xhelozuar që kam gëzuar respekt nga shokët e ekipit. Ai është një atipropagandues dhe dhunues i futbollit. Nuk i thuhet atij trajner, kur prej ditës së parë të kampionatit e deri në ditën e fundit përdor vetëm një metodë të punës dhe është jo i afërt me lojtarë. Me të, Flamurtari as një hap përpara s’do të mund ta bëjë”, theksoi ai.

Ai pohoi se Flamurtari akoma nuk i ka kryer të gjitha borxhet ndaj tij. “Një rrogë ma kanë dhënë, kurse dy të tjera nuk m’i kanë dhënë. Kurrë hallall mos u qofshin ato para, se me djersë i kam fituar dhe nuk m’i kanë dhënë”, vazhdoi ai.

Trajneri i Flamurtarit ka bërë të ditur se është pezulluar edhe futbollisti tjetër, Agon Sylejmani, pasi akoma nuk i ka nisur stërvitjet me ekip.

Flamurtari rikthen Jetullahun?

Labinot Jetullahu duket se nuk po e gjen veten në skuadrën e Hysit, ku u transferua para pak kohësh nga Flamurtari. Andaj ka gjasa të mëdha që brenda këtyre ditëve mesfushori të rikthehet te kuqezinjtë, ku shkëlqeu në edicionin e kaluar.
“Labinoti më duket se nuk është aq i kënaqur me statusin e tij në Hys. Nëse merremi vesh të dy klubet për rikthimin e tij në Flamurtar, ne do të ishim të kënaqur. Mbetet të shihet se çfarë do të ndodhë”, ka thënë Tortoshi.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›