Murinjo: Mund të fitojmë kudo. Guardiola: Reali është favoriti
Trajneri i Real Madridit, Zhoze Murinjo, ishte tejet i kënaqur me performancën e djemve të tij ndaj Valencias në “Mestalla”, duke thënë se tani Los Blancos janë në gjendje të fitojnë kudo. “Ne mund ta përfundojmë sezonin me ndjenjën e fortë se mund të fitojmë në çdo stadium. Sergio Ramos, Angel Di Maria, të cilët qëndruan në shtëpi ose ishin në pankinë janë kënaqur me paraqitjen e bashkëlojtarëve të tyre. Në një garë ku ne nuk jemi favoritë, ekipi ka fituar me rezultat të mirë dhe ka luajtur futboll spektakolar. Dhe kjo pas triumfit në Copa del Rey. Ne e kemi përfunduar misionin në Valencia, kompletuam dy ndeshje të vështira brenda tri ditëve. Ne do ta kalojmë të dielën me familjet tona dhe më pas u kthehemi stërvitjeve të hënën”, ka thënë Murinjo. Por te Reali do të ndjehet ji pak mungesa e Sami Khedirës, gjermano-tunizianit që është shndërruar në një element thelbësor në skemat e Murinjos. Drejtori sportiv i madrilenëve, Horge Valdano, siguron se Reali do të dijë ta përballojë sfidën edhe pa mesfushorin potent. Në fakt, dëmtimi i Sami Khediras nuk është dhe aq brengosës për Los Blancos, pasi ata besojnë verbërisht se mund t’ia dalin shumë mirë pa mesfushorin gjerman. “Orët e ardhshme do të tregojnë nëse është lëndim i rëndë apo jo. Por, ne nuk jemi të brengosur. Ne nuk jemi të brengosur për lëndimin e Khediras, pasi kemi një skuadër e cila është në formë të jashtëzakonshme”, tha Valdano.
Guardiola: Reali është favorit
Trajneri i Barcelonës, Pep Guardiola, ka pranuar se Real Madridi është favorit për ndeshjen e parë gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve që zhvillohet të mërkurën në “Santiago Bernabeu”. “Ne pranojmë se Reali është në rolin e favoritit në Ligën e Kampionëve. Ma merr mendja që është kështu, sepse ata e fituan Kupën e Mbretit dhe po luajnë mirë. Po ashtu e pranojmë sfidën. Ne kemi besim të madh në vetvete dhe unë kam besim më shumë se çdo gjë te lojtarët e mi”, theksoi Guardiola. Po flitet që gjyqtari i ndeshjes që zhvillohet të mërkurën, “El Clasico III” do të jetë një portugez, gjë për të cilën Guardiola u shpreh me indiferencë. “Nëse është kështu, atëherë mendoj se trajneri i Real Madridit do të jetë shumë i kënaqur”, përfundoi strategu katalanas.