Villa: Qamë si fëmijë pas triumfit në Botëror

Sulmuesi spanjoll, David Villa thotë se ai dhe shokët e skuadrës qanin si bebe, pas triumfit në Kampionatin botëror të Afrikës së Jugut, vitin që shkoi. Villa me shokë e mposhtën Holandën në finale, falë golit në lojën shtesë që e realizoi Andres Iniesta, pikërisht një vit më parë.
“I pash njerëzit duke qarë si bebe. Në zhveshtore, të gjithë ne ishim të përlotur. Isha i shokuar t’i shihja duke qarë Iniestan e Xavin, lojtarë të cilët kanë fituar gjithçka në futboll. Edhe unë kam qarë si fëmijë”, rrëfen ish-futbollisti i Valencias në një intervistë për të përditshmen spanjolle, Marca.
Spanja e fitoi Kampionatin botëror për herë të parë në historinë e saj. ‘Furia e Kuqe’ në vitin 2008 ishte shpallur kampione e Evropës. Edhe Barcelona po dominon në nivelin e klubeve në Evropë, kështu që Spanja lirisht mund të quhet superfuqi e futbollit botëror sot.