E Diel, 1 Nëntor 2026

Tirana nuk tradhton, dominon ndaj sllovakëve të Tërnavës

Mendohej se do ta kishte më të vështirë nga të gjitha, por Tirana nuk ka zhgënjyer aspak në përballjen e saj me Spartak Tërnavën, në turin e dytë të Europa League. Bardheblutë kanë mundur të marrin një barazim pa gola ndaj skuadrës sllovake, duke lënë gjithçka të hapur për takimin e kthimit përsa i përket rezultatit.

Ndeshja e zhvilluar mbrëmë në “Qemal Stafa” ka treguar se Tirana mbetet një ekip me eksperiencë në Kupat e Evropës, ndonëse duhet pranuar se loja nuk është ngjitur asnjëherë në nivelet e kërkuara. Por, bardheblutë nuk janë mposhtur përballë një ekipi inferior në emër dhe shumë më i fortë në organizim e buxhet. Ndeshja konfirmon forcën e skuadrës kryeqytetase, e cila prej vitesh nuk humbet në fushën e saj përsa u përket kompeticioneve europiane. Ndërkohë, Spartak Tërnava ka treguar se nuk hyn tek ekipet elitare edhe pse është mjaft i njohur në Sllovaki.

Me një skuadër të re, të ndërtuar nga e para, Tirana ka mundur t’i bëjë ballë skuadrës mike, madje duke qenë disa herë pranë golit të avantazhit, sidomos në pjesën e parë. Barazimi pa gola mund të konsiderohet një rezultat i mirë në takimet me eliminim direkt, duke qenë se skuadrës shqiptare do t’i mjaftojë një barazim me gola në transfertë për të kaluar më tej. Gjithsesi, në Sllovaki shanset më të mëdha i kanë vendasit.

Ndeshja
Trajneri Hulian Rubio Sançez, ashtu siç pritej, ka hedhur në fushë një skuadër të mbushur me elementë të rinj dhe që kanë pak kohë që luajnë me njëri-tjetrin. Por, pavarësisht frikës fillestare, përballë nuk ka qenë ndonjë ekip aq i madh.

Tirana ka luajtur shumë mirë, sidomos në pjesën e parë, ndërsa miqtë janë munduar më shumë që të qarkullojnë topin. Problemet më të mëdha Tirana i ka pasur në krahun e djathtë të sulmit kundërshtar, ku Spartak Tërnava ka qenë më i rrezikshëm.

Gjithsesi, rastet më të pastra në fraksionin e parë i ka patur Tirana. Në pjesën e dytë, skuadra shqiptare ka qenë sërish më mirë, sidomos në minutat e para. Por, miqtë nga Sllovakia ka qenë tepër të rrezikshëm në sulmet e tyre.

Sulmuesit e Spartak Tërnava dolën të paktën tre herë vetëm me portierin Lika, por në të tre rastet kanë gabuar. Në fund, dy skuadrat janë ndarë në një barazim pa gola, që favorizon disi sllovakët, por që i jep jo pak shanse ekipit shqiptar për kualifikim. Takimi i kthimit do të luhet pas një jave në Sllovaki.

KUPAT E EVROPES

Champions
Skënderbeu-Apoel 0-2

Europa League
Dje
Flamurtari-Jablonec 0-2
Tirana-Spartak Trnava 0-0
Vllaznia-Thun 0-0

(a.h/A.LATIFI/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›