Dinamo “flirton” me mrekullinë
Gjergj Vyshka
Dinamo vetëm për një gol nuk ka mundur të kalojë në turin e dytë të Ligës së Evropës, ndërsa ka bërë gjithçka për të kërkuar atë përmbysje të madhe, që tashmë mbeti përsëri te 30 gushti i vitit 1989. Dy golat e Diobit, një lojë e dominuar totalisht, por dhe një arbitër, i cili nuk ka qenë korrekt me skuadrën e Muçës, e bëjnë këtë Dinamo që t’i thuash se skualifikimi ishte i pamerituar. Të paktën për atë 90 minutësh të shfaqur dje në mbrëmje ishte vërtet gjynah që skuadra e Shkëlqim Muçës, ashtu siç bëri Vllaznia në Shkodër, të mos e kalonte turin. Sepse dhe kundërshtari, FC Lahti, nuk ishte nga ato ekipe që të fuste frikën në fushën e lojës. Vetëm dy apo tre gjuajtje në portën dinamovite, me një Jari Litmanen, i cili është një yll që po shuhet gradualisht për futbollin finlandez, FC Lahti ka dhënë shumë pak për t’i thënë “bravo” që kaloi turin. Dhe kronika flet vetë, ndërsa pjesa më e madhe e ndeshjes është luajtur nga blutë, të cilët kanë qenë në gjysmëfushën finlandeze. Kotorri është më shumë se spektator, ndërsa mbrojtja blu, edhe duke mos patur punë, sidomos pas largimit të detyruar të Pires Viera, është në ndihmë të sulmit. Goli i Diobit e ka liruar skuadrën blu, kurse senegalezi, në një formë shumë të mirë, ka goditur dhe shtyllën në të 43’. Nëse lëvizin mirë Allmuça, Bakaj, Kuli e Gentian Muça ka një neglizhencë, apo një mospërgjigje nga sulmuesi i fundit i dinamovitëve, Haxhibuliç. Nëse do të ishte shënuar një gol i dytë në pjesën e parë, atëherë Dinamo mund të ishte me një tjetër melodi në 45 minutat e dyta. Muça e ka parë të arsyeshëm të heqë Kulin në fundin e pjesës së parë, edhe sepse kavajasi i Dinamos e kishte marrë një karton të verdhë. Plaku i jep zhdërvjelltësi sulmit dinamovit, ndërsa Allmuça, në krahun e djathtë të mesfushës, jo vetëm që është i saktë në krosimet e tij, por mbi të gjitha me tentativat për të hyrë në zonën e rreptësisë finlandeze, është i papërmbajtshëm. Fofana dhe Litmanen e vënë në provë Kotorrin, i cili ka qenë i shpejtë në reagim dhe ka shmangur pësimin e golave. Pas minutës së 50-të duket sikur loja është ekuilibruar. Veçse mosdhënia e penalltisë në të 69’ nga kryesori Pamporidis, pas prekjes së topit me dorë nga Eerola, apo dhe goli i dytë i Diobit i ka shkundur dinamovitët. Të gjithë janë në këmbë, që nga presidenti Sulaj e deri te më i fundit. Ka thirrje nga tifozët blu; “Edhe një, edhe një”, por buzëqeshja e të gjithëve ka ngrirë në rënien e bilbilit të fundit të Pamporidis. Makela ka shpëtuar “paq” në “Qemal Stafa”, ndërsa tifozët e Lahtit janë në delir. Dinamo largohet në mënyrë dinjitoze nga Liga e Evropës.
skeda
Dinamo – FC Lahti 2-0
Golat: Diob 12’, 70’
Dinamo: Kotorri, G.Muça, Vrapi (Ferraj 78’), Pisha, Kuli (46’Plaku), Allmuça, Haxhibuliç, Bakaj, Putinçani, Diob, Malakarne
Trajner: Sh.Muça
FC Lahti: Szentpeteri, Hara (73’Huka), Toivomaki, Moilanen, Eerola, Fofana, Pires Viera (26’Kempinen), Litmanen, Shala (46’Hieni), Vaninen, Korte
Trajner: I.Makela
Gjyqtarë: V.Pamporidis, L.Vasileiadis, A.Thanasakudis (Greqi)
Kartonë të verdhë: Kuli, Allmuça, Putinçani/Szentpeteri, Fofana