Teuta e Kastrioti e mbyllin në barazim
Teuta ka harruar të fitojë dhe këtë e tregon edhe në ndeshjen kundër Kastriotit. Sfida nis e fortë, por në 45 minutat e para mungojnë emocionet. Dhe, pas një pjese të parë pa gola, ishte qendërmbrojtësi Jetmir Nino i Teutës ai që shkaktoi një faull ndaj sulmuesit kroat të Kastriotit, Davor Piskor, dhe gjyqtari Peza akordoi penallti. Gjuajtjen e mori përsipër braziliano-kroati Roberto Alvizh, i cili nuk fali, duke i dhënë avantazhin krutanëve në minutën e 65-të. Teuta reagoi shpejt, kur Bledar Hoti ekzekutoi një goditje të lirë dhe shkodrani tjetër Alsidi Tafili nuk fali duke barazuar rezultatin në min. e 73-të. Minutat e fundit të ndeshjes prodhuan një skenë të papëlqyeshme. Portieri i Teutës, Bledion Rizvani, në momentet e fundi të ndeshjes, goditi sulmuesin kroat të Kastriotit, Ivan Babiç, dhe gjyqtari Peza e ndëshkoi me kartonin e kuq. Ishte mbrojtësi i krahut të djathtë, Stafa, ai që veshi edhe fanellën e portierit durrsak në ato pak minuta të mbetura. Rizvani është portieri i dytë në javën e 22-të, i ndëshkuar me karton të kuq, pas Alban Hoxhës së Dinamos në ndeshjen e humbur me Skënderbeun. Ky ishte barazimi i 4-t në 20 ndeshje historike midis dy ekipeve (9 fitore Teuta; 7 Kastrioti). Durrsakët nuk fitojnë prej tetë ndeshjesh (3 barazime, 5 humbje), qysh kur mundën Dinamo 2-1 në “Qemal Stafa”, më 12 dhjetor 2010. Pas javës së 22-të, Teuta (24 pikë) e mbylli fazën e dytë në vendin e 9-të, ndërkohë që Kastrioti (25 pikë) në vendin e 8-të.