E Shtunë, 31 Tetor 2026

Flamurtari tallet me kampionët

Ndeshja e djeshme Flamurtari-Skënderbeu 3-0

Kupa e Shqiperise/ Tiranës i mjafton një barazim për t’u kualifikuar edhe matematikisht.

Vlonjatët shpërfytyrojnë Skënderbeun, vetëvrasjee Vllaznisë me Laçin.

Flamurtari mund bindshëm Skënderbeun, teksa Vllaznia vetë-ndëshkohet duke humbur me Laçin në Krujë. Barazon por kualifikohet Tirana, “luftë” mes Kastriotit dhe Bylisit për vendin e dytë në grupin A. Ashtu siç edhe ishte parashikuar, vlonjatët e drejtuar nga Shkëlqim Muça kanë mundur lehtësisht kampionët në fuqi të Superiores, Skënderbeun e Stanislav Levit. Tre gola, njëri më i bukur se tjetri, mjaftuan për të krijuar një tjetër atmosferë në Vlorë, pas disa rezultateve zhgënjyese të Flamurtarit si në kupë dhe në kampionat. Vendësit ishin më të karikuar, kjo nisur edhe nga konkurrenca që ekziston të paktën në dy vitet e fundit me skuadrën korçare. Nuk duhet harruar edhe ndeshja e parë e çerekfinaleve mes këtyre dy skuadrave, luajtur në fushën neutrale të Pogradecit (për shkak të borës së rënë në Korçë), e cila solli jo pak polemika dhe dënim nga Komisioni i Disiplinës për të dyja skuadrat (Skënderbeu fitoi 4-1, por dy golat e dytë u shënuan pas një pasiviteti total të vlonjatëve në fushën e lojës). Ndërsa dje, serinë e goleadës e nisi kroati Pero Pejiç në minutën e 17-të të pjesës së parë dhe më pas e vazhdoi Veliu me një perlë nga goditjet e zakonshme, tashmë të tijat, në minutën e 73-të. Pesë minuta më vonë, në listën e golashënuesve e shënoi emrin edhe Gerhard Progni. Duhet thënë se Skënderbeu luajti me 10 lojtarë nga minuta e 72-të, pas daljes me karton të kuq të Da Silvës, i cili preku topin me dorë në kufijtë e zonës së rreptësisë. Ishte pikërisht ky faull, që solli më pas golin e Franc Veliut. Në ndeshjen tjetër të po këtij grupi, Vllaznia kishte rastin më të mirë për të marrë kryesimin e grupit, por u mund në Krujë (fushë neutrale) nga Laçi. Një gol me penallti i Vucajt në fund të pjesës së parë bëri që shkodranët të jenë thuajse të eliminuar nga kompeticioni i kupës, i vetmi ky objektiv primar për të kapur Kupat e Europës. Në ndeshjen e fundit në grup, shkodranët duhet jo vetëm të fitojnë ndaj Flamurtarit në “Loro Boriçi”, por edhe të shënojnë më shumë se tre gola diferencë. Ndërsa në Grupin A është zgjidhur dilema e parë: Tirana është matematikisht e kualifikuar, teksa me fitoren e djeshme në Kamzë, Kastrioti do luajë gjithçka në sfidën e fundit me Bylisin në Ballsh. Krutanëve do t’u mjaftonte një barazim që të kualifikoheshin, kurse ballshiotëve u bën punë vetëm fitorja.

Gjika:”Fitore model”
Pas takimit, presidenti i Flamurtarit, Shpëtim Gjika, ka theksuar se pa në lojë një Flamurtar të jashtëzakonshëm. “Kjo atmosferë më entuziazmoi pa masë, ishte jo vetëm në fushë, por edhe jashtë saj. Kishim premtuar se do të zhvillonim një lojë model, dhe ja e arritëm. Jo më kot nuk jam prononcuar para takimit, për shkak se nuk do të dëshiroja që të ndikoja me autoritetin tim. Ishte një lojë e bukur. Më kënaq fakti se ishte një takim pa më të voglin incident. Por FSHF nuk dëshironte që takimi të shkonte kështu. Ata kërkonin incidente, por nuk ia arritën qëllimit. Ata kanë mbetur pas, por duhet ta dinë mirë se Vlora nuk krijon incidente, ato fabrikohen në zyrat e tyre”, tha Gjika.

FSHF: Të ndërpritet ndeshja
Ndeshja Flamurtari-Skënderbeu mund të ishte ndërprerë nga i deleguari i FSHF-së, Besnik Çela, dhe në atë rast do dëmtohej direkt Flamurtari, por presidenti i këtij ekipi, Shpëtim Gjika, pasi ka debatuar ashpër me këtë të fundit, i ka kërkuar edhe llogari për njëanshmërinë totale që po tregon FSHF-ja, duke mbrojtur haptazi Skënderbeun. “Pse duhet të ndërpritet takimi kur brohorasin dhe shajnë tifozët, dhe pse nuk ndodh një gjë e tillë kur goditet gjyqtari? Jemi sharë edhe ne kur kemi luajtur jashtë fushe, dhe asnjë i deleguar i FSHF-së nuk ka kërkuar të ndërpritet takimi. Ç’janë këto përralla që na tregoni dhe përse përdorni dy standarde?”, i ka thënë Gjika të deleguarit Çela.

Grupi A
Kamza-Kastrioti    1-2
Shënues: Karapici 43/ Cetkoviç 19, Agolli 56
Tirana-Bylis    1-1
Shënues: Aziri 50/ Abazaj 34
21.03.2012
Kastrioti-Tirana
Bylis-Kamza
Renditja – Tirana 11 pikë (e kualifikuar), Kastrioti 7 pikë, Bylis 6 pikë, Kamza 2 pikë.

Grupi B
Flamurtari-Skënderbeu    3-0
Shënues: Pejiç 17, Veliu 73, Progni 78
Laçi-Vllaznia    1-0
Shënues: Vucaj 44 (p)
21.03.2012
Vllaznia-Flamurtari
Skënderbeu-Laçi
Renditja – Flamurtari 8 pikë, Skënderbeu 8 pikë, Vllaznia 5 pikë, Laçi 5 pikë.

LEONARD KARAJ

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›