E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kukës, fuoristrada në kanal, vdes 23-vjeçari

Aksidenti i djeshëm në Kukës

KUKES – Një i vdekur dhe tre të plagosur është bilanci i aksidentit rrugor gjatë ditës së djeshme në afërsi të aeroportit. Ngjarja ndodhi rreth orës 15:00 në rrugën Kukës-Nangë në aksin Kukës-Peshkopi, ngjitur me aeroportin e Kukësit ku një automjet Fuoristradë me targa të Tiranës, me katër persona brenda doli nga rruga e u përmbys në një kanal në fushë. Nga përmbysja e mjetit humbi jetën 23-vjeçari Galip Përzhilla, që drejtonte makinën dhe janë plagosur G.Mici, P.Mici dhe T.Përzhilla. Burimet e Policisë thanë se drejtuesi i mjetit është munduar që të evitojë një kanal të ngushtë të hapur në rrugë, por për shkak të shpejtësisë ka përfunduar në fushë, në një kanal kullimi. Makina ka rrëshqitur për më shumë se 100 metra në brendësi të kanalit, çka ka rezultuar fatale për jetën e drejtuesit të tij. Policia rrugore ka mbërritur menjëherë në vendngjarje, por ende nuk ka nxjerrë një konkluzion të saktë mbi shkaqet e këtij aksidenti tragjik. Të plagosurit janë dërguar për mjekim në spitalin rajonal të qytetit të Kukësit ku ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Mësohet se viktima ishte nga komuna Kala e Dodës e rrethit të Dibrës, ndërsa pasagjerët nga komuna e Bushtricës e rrethit të Kukësit.                                                      j.h

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›