Fshehu pasurinë, në gjyq ish-sekretarja e Mjedisit

Inspektorati i deklarimit të pasurive
Hetimi, zyrtarja aksionere në kompaninë e të shoqit, pronare e një dyqani.
Prokuroria: Myrvete Pazaj nuk deklaroi biznesin e shtëpinë.
Prokuroria e Tiranës dërgon si të pandehur në gjykatë ish-sekretaren e Përgjithshme të Ministrisë së Mjedisit, Myrvete Pazaj. Ajo akuzohet se në kohën që ushtronte këtë funksion ka fshehur pasurinë, ka bërë deklarim të rremë dhe nuk ka deklaruar interesa private dhe burimet e krijimit të tyre. Në Gjykatën e Tiranës, ish-zyrtarja e lartë do të përballet me akuzën e fshehjes ose deklarimit të rremë të pasurive të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë. Pak ditë më parë, organi i akuzës u ka dhënë fund hetimeve në ngarkim të Pazajt. Hetimet për ish-zyrtaren kanë nisur pas një kallëzimin të Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, sipas të cilit, Pazaj kishte fshehur dhe nuk kishte deklaruar pasuri. Dosja në ngarkim të saj u regjistrua më 7 mars 2012 në Gjykatën e Tiranës dhe mban numrin 1035. Pasi u hodh në shortin elektronik, si shqyrtues i saj u përzgjodh gjyqtari Altin Abdiu. Burime zyrtare të Gjykatës pohuan se ende nuk është përcaktuar data e seancës së parë ku ish-zyrtarja e lartë e Ministrisë së Mjedisit do të ulet në bankën e të akuzuarve.
FSHEHJA
Kallëzimi penal i ILDKP-së në Prokurori kundër Myrvete Pazajt, sekretares së Përgjithshme të Ministrisë së Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave, u depozitua në mars të vitit 2011. Verifikimi i inspektorëve të institucionit të Deklarimit të Pasurive kishte gjetur një sërë problemesh në pasuritë e saj. Sipas burimeve zyrtare të ILDKP-së, Pezaj nuk kishte deklaruar të ardhurat e kredituara për vlerësimet e pronave të bëra prej saj deri në datën 31.12 2009, në kushtet e konfliktit të interesave. Po sipas inspektimit, në mënyrë të rreme ajo kishte deklaruar shumën prej 64 mijë eurosh si të ardhura të përfituara nga puna e djalit në Itali. Tjetër problematikë e gjetur nga ILDKP-ja ishte mosdeklarimi nga ana e ish-sekretares së Përgjithshme të krijimit të 33 për qind të aksioneve në shoqërinë E.T.M sh.a., në emër të bashkëshortit të saj. Referuar të dhënave zyrtare nga Inspektorati, në deklarimet e funksionares Pazaj nuk përputhej vlera e deklaruar e një apartamenti në rrugën R. Petrela në Tiranë, krahasuar më vlerën e konfirmuar për këtë apartament nga Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme. Në kallëzimin e ILDKP-së kundër Pazajt pretendohej edhe një deklarim i rremë prej saj dhe mosmbulimi me të ardhura dhe burime të ligjshme për blerjen e një dyqani me sipërfaqe 83.55 metra katrorë në rrugën R. Petrela në Tiranë. Në përfundim të kontrollit të plotë dhe hetimit administrativ të ushtuar ndaj deklaratave të interesave private të subjektit Myrvete Pazaj, është arritur në përfundimin se subjekti ka fshehur pasurinë, ka bërë deklarim të rremë, nuk ka deklaruar interesa private dhe burimet e krijimit të tyre, thuhej në njoftimin zyrtar të ILDKP-së, pas depozitimit të kallëzimit në Prokurori.
Pasuritë e fshehura
1 – Mosdeklarim të ardhurash të kredituar për vlerësimet e pronave të bëra nga subjekti deri më datë 31.12.2009, në kushtet e konfliktit të interesave.2 – Deklarim i rremë i shumës prej 64 000 eurosh si të ardhura të përfituara nga puna e djalit në Itali.
3 – Mosdeklarim i krijimit të 33% të aksioneve në shoqërinë E.T.M sh.a., në emër të bashkëshortit.
4 – Mospërputhje mes vlerës së deklaruar të apartamentit në rr. R. Petrela Tiranë, krahasuar me vlerën e konfirmuar nga ZRPP.
5 – Deklarim i rremë dhe mosmbulim me të ardhura dhe burime të ligjshme për blerjen e dyqanit me sip. 83.55 m2 në rr. R. Petrela, Tiranë.
Kallëzimet e ILDKP-së
Në shkurt të këtij viti, Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive bëri të ditur se kishte kërkuar ndjekje penale për 14 zyrtarë. Dy nga këta, një gjyqtar dhe një punonjës i administratës tatimore, janë kallëzuar për fshehje dhe mosdeklarim të pasurisë, ndërsa dymbëdhjetë të tjerët për refuzim për deklarim. Po sipas ILDKP-së, për 6 zyrtarë të tjerë janë vendosur masa administrative gjobë për shkelje të rregullave të deklarimit.
ARMAND BAJRAMI