E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ankohet Shvajni: Luaj me dhimbje në kavilje

Shvajnshtaiger

Gjermania/ Zv. kapiteni do të ulej me kënaqësi në stol në gjysmëfinale.

Jam ende i dëmtuar, shtrëngoj dhëmbët për të luajtur

Bastian Shvajnshtaiger nuk po kalon ditët e tij më të mira dhe, pavarësisht se ka qenë titullar që kur ka nisur Europiani, ka pranuar se ndihet i sfilitur pas çdo ndeshjeje.
Mesfushori ka vrapuar 11.8 kilometra kundër Greqisë, por ka qenë një nga lojtarët që ka gabuar më shumë në pasime. Në një intervistë për Die Welt, 27-vjeçari lë të kuptohet se është duke bërë një sakrificë që po luan në këtë gjendje.
Bastian, si ndihesh në këtë fazë të turneut?
Mirë. Jemi kualifikuar në gjysmëfinale dhe gjithçka ka shkuar sipas parashikimeve, por të jem i sinqertë, personalisht më shqetëson ende kavilja.
Po flisni për dëmtimin që morët në muajin shkurt?
Po. Nuk jam rikuperuar plotësisht. Por nuk ka ardhur ende koha për tu kujdesur për veten. Nëse do shkojmë deri në finale, do të luajmë edhe dy ndeshje. Por unë do të shtrëngoj dhëmbët dhe do luaj. Pas turneut të shohim. Megjithatë, unë e shoh veten jo në një kondicion të keq.
Po përse luani kur jeni ende i dëmtuar?
Është çështje rezistence. Kundër Greqisë u stërvita me ngarkesë të plotë vetëm në seancën e fundit. Bëra disa gabime në pasime, që nuk duhet të ndodhin kurrë më. Kjo nuk duhet të përsëritet, por në përgjithësi jam i kënaqur nga paraqitja.
E megjithatë kritikat nuk mungojnë…
E di, por nuk më interesojnë. Unë përpiqem të organizoj më shumë lojën. Khedira shtyn më përpara. Edhe dy vite më parë në Botëror kështu ishte. Por ky Europian është shumë më kompakt në fazën defensive.
Të shqetëson fakti që Khedira merr duartrokitjet, ndërsa ju vraponi më shumë në fushë?
Absolutisht. Ai po luan shumë mirë dhe meriton gjithçka. Për mua vlen më shumë suksesi i ekipit. Preferoj të mos bëj spektakël dhe skuadra të fitojë.
Nëse do të duhet të gjuanit penalltitë, a do ta merrje përsipër?
Po, pa asnjë problem.
Në Gjermani flitet për brezin e artë, por që nuk ka fituar ende asgjë. Ju ndiheni pjesë e tij?
Natyrisht, dhe thuhet se nëse nuk fitojmë një titull, atëherë nuk mund të quhemi të tillë. Por unë nuk mendoj kështu. Ne duhet të luajmë si një skuadër. Jemi 23 lojtarë dhe të gjithë janë njëlloj të rëndësishëm.
Domethënë, nuk do ta kishit problem nëse trajneri do tju ulte në stol në gjysmëfinale?
Nëse Lëv vendoste kështu, nuk do kisha asnjë problem. Ne bëmë rrotacion me Greqinë dhe lojtarët që u ulën në stol e pranuan.

Shpërblimet
Nëse Gjermania do të shpallet për të katërtën herë kampione e kontinentit më 1 korrik, secili prej 23 lojtarëve të kësaj kombëtareje do të shpërblehet me 300 mijë euro. Triumfi i parë që prej Euro 1996 do të mbushte xhepat e pancerave. Por federata gjermane do ta përgjysmonte shpërblimin në rast se rekordmenët do të mundeshin në finale (150 mijë euro për lojtar). Përfitimet e deritanishme nga UEFA kanë shkuar në 16 milionë.

Mario Gëce
Mario Gëce ka pranuar në një intervistë për sajtin bavarez Tz-online se ai kishte frikë se nuk do të luante asnjë minutë në Europian. Jam në 100% të gjendjes sime fizike, por të them të drejtën e kam menduar gjatë se nuk do të isha pjesë e planeve të trajnerit as edhe një minutë. Megjithatë, me Greqinë erdhi dhe çasti im, për të cilin jam shumë i kënaqur. Unë jam gati të luaj në çdo moment, – deklaroi asi i Dortmundit.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›