Penallti fatlume, Itali-Gjermani në gjysmëfinale

Nga ndeshja e mbremshme Angli -Itali 0-0 (2-4 pen)
Grintë dhe dominim axurr, eliminohet Anglia.
Italia shkon në gjysmëfinale të Euro 2012 përmes gjuajtjes së penalltive, pas 120 minutash lojë, nga ku të enjten do të takojë Gjermaninë e Joakim Lëvit.
Duhet pranuar: Italia në gjysmëfinale nuk është veçse një akt drejtësie pro skuadrës që jo vetëm dominoi, por edhe rrezikoi pafundësisht portën e kundërshtarit. Nga ana tjetër do të kishte qenë absurde (kupto e padrejtë) që kjo Itali të eliminohej nga kjo Angli, e cila mendoi më së shumti se si të mbrohej, sesa për të fituar ndeshjen. Sakaq ishte edhe një shenjë fati pasi dihet se, kur vjen puna te penalltitë, porta zvogëlohet në maksimum dhe italianët kanë histori rrëqethëse kur bëhet fjalë për pikën e bardhë. Nga 11 metra kjo Itali ka fituar Botërorë (2006), por edhe ka derdhur lot kampionësh, si në 1994-n në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ndaj Brazilit. Por këtë herë, para se të niste seria dramatike e penalltive, u pa qartë se kjo Itali kishte më shumë besim edhe për faktin se 23-shja e Prandelit u avit mes vetes duke marrë guximin dhe kurajën që shpërndau plot grintë kapiteni Xhixhi Bufon. Pra, do jetë një Itali-Gjermani në gjysmëfinale, një tjetër superndeshje, nga ato të cilat na bën ta dashurojmë futbollin gjithnjë e më shumë. Një klasike botërore, mes dy shkollash, mes dy elitash, mes dy skuadrash që na ka dhuruar gjithnjë spektakël. Por para kësaj suprsfide ai vlen të shpenzosh fjalë plot superlativa për këtë Itali, e cila totalisht në kundërshti nga çfarë e kemi parë në raport me kundërshtarë të tipit Angli, dhuroi një spektakël të vërtetë, nga minuta e parë deh deri te 120-ta. De Rosi, Kasano, Baloteli, Montolivo por edhe një Pirlo magjistar e bënë tabelë qitjeje portën e mbrojtur nga Xhoe Hart, aq sa po të mos kishte qenë për një Xhon Terri bunker dhe për një Glen Xhonson të palodhur, kjo ndeshje do kishte përfunduar me goleadë për Italinë. Që në minutat e para, de Rosi përshëndeti shtyllën me një gjuajtje spektakolare nga jashtë zonës dhe në harkun e një minute vjen dhe drithërima te Bufon, por gjuajtja e Xhonsonit ishte më shumë pasim drejt portës sesa goditje. Italia ka hyrë në fushë për ta mbyllur ndeshjen sa më shpejt të jetë e mundur, ndaj çdo lojtar nuk kursehet me gjuajtje që nga jashtë zonës. Boloteli edhe në këtë ndeshje stonon me lojën e tij, edhe pse Prandeli i beson deri në minutën e fundit. Sulmuesi shpërdoron raste pa fund, pas topave të artë që merr si nga Pirlo, edhe nga Montolivo. Sakaq, Anglia bën pak për të mos thënë aspak, pasi sulmi me Runi dhe Uelbek thuajse nuk funksionon. Edhe pjesa e dytë është nën ritmin axurr. Ndërsa Hoxhson mundohet të forcojë sulmin, por edhe futja e Kerrol nuk jep rezultat. Pas 120 minutash lojë dhe dominimi të paparashikueshëm nga ana e italianëve, vijmë te pjesa dramatike, ku të paktën në këtë rast penalltitë i dhanë të drejtë skuadrës që edhe e meritoi kualifikimin.
Angli-Itali 0-0 (2-4 pen)
Shënues: S’ka
Penalltitë: Zherrard gol; Runi gol; Jang shtyllë; A.Kol pret Bufon/ Baloteli gol; Montolivo jashtë; Pirlo gol; Noçerino gol; Diamanti gol
Kartonë të verdhë: Barxali, Maxhio
Gjyqtarë: Pedro Proença/ B.Miranda dhe R.Santos (POR)
Anglia (4-4-1-1): Hart, Xhonson, Terri, Leskot, A.Kol, Milner (Ualkot 60′), Zherard, Parker (Henderson 94′), Joung, Runi, Uelbek (Kerroll 60′). Trajner: Roj Hoxhson
Italia (4-1-3-2): Bufon, Abate (Maxhio 90′), Barxali, Bonuçi, Balxareti, Pirlo, Markisio, Montolivo, De Rosi (Noçerino 80′), Baloteli, Kasano (Diamanti 78′). Trajner: Çesare Prandeli
ANALIZA E NDESHJES
Njeriu i ndeshjes – Andrea Pirlo meriton një vend të veçantë në historinë e futbollit italian, sepse një yll si ai ndriçon edhe në moshën 33-vjeçare dhe pritet të ndriçojë edhe për disa vjet.
Më i dobëti – Eshli Jang. Paraqitja e tij ishte në të njëjtin nivel me italianin Abate, edhe ky nën nivel.
Çelësi i suksesit – Italia tregon dhëmbët përpara një dige angleze, e cila nuk i lejon të festojë përpara penalltive, por këtë herë Zoti i futbollit vlerësoi më të mirën në fushën e lojës.
Moviola – Portugezi Proença nuk gabon asgjë për 90 minuta me radhë, thjesht ishte perfekt, sepse duke vërshëllyer edhe pak gjatë takimit i jep atij një grintë edhe më pozitive. Mbase, e vetmja njollë negative është kartoni i verdhë i lëshuar lehtë kundër Maxhos në minutën e 4-t të pjesës së parë shtesë, vendin që do i kushtojë mbrojtësit italian gjysmëfinale kundër Gjermanisë.
Penalltitë u bëhen makth anglezëve
Me disfatën e djeshme nga pika e bardhë, Tre Luanët numërojnë 6 kapitullime në 7 raste. Mallkimi nis në Botërorin Itali 90, kur anglezët eliminohen nga Gjermania Perëndimore në gjysmëfinale. Më pas, ai ndiqet nga eliminimi në Europianin e vitit 1996 i luajtur në shtëpi. Dy vjet më vonë, në Botërorin francez, makthi mban emrin e Argjentinës. Tjetër xhiro negative është Europiani 2004, kur Portugalia organizatore eliminon në çerekfinale anglezët, ku në shënjestër vihet ylli Devid Bekham. Por nuk mbaron këtu, sepse në Botërorin 2006 historia përsëritet kundër luzitanëve, ku Ronaldo me shokë avancojnë në gjysmëfinale.
Statistikat, Italia superiore me gjermanët
Nëse u besojmë statistikave, atëherë Italia e Çezare Prandelit ka më shumë shanse për të shkuar në finalen e 1 korrikut sesa Gjermania. Fakt është se në 30 ndeshje të zhvilluara mes këtyre dy skuadrave, duke filluar që nga viti i largët 1923, 14 fitore u përkasin italianëve. Gjermanët nga ana e tyre kanë fituar sa gjysma e axurrëve, pra vetëm shtatë ndeshje, teksa 9 sfida të tjera janë mbyllur në barazim, përfshi këtu edhe atë të Botërorit 1970, ku sfida u mbyll në barazim 1-1. Por pas shtesës dhe penalltive ishin italianët ata që fituan 4-3. Sakaq, edhe për sa i përket golavarazhit, Italia është superiore: 45-34 gola.
Prandeli: Kualifikim i vuajtur, por i merituar
Trajneri i Italisë, Çezare Prandeli, nuk e ka fshehur kënaqësinë e kualifikimit për në gjysmëfinale. E them me bindje se duke parë çka dhamë në fushën e lojës, meritonim që ta kishim fituar ndeshjen, pa u dashur që të shkonim te penalltitë. Duhet ta pranojmë të gjithë se sonte (dje) zhvilluam një ndeshje të madhe. Dominuam në thuajse çdo sektor dhe rrezikuam shumë herë portën e tyre. Ndoshta duhej të kishim pasur më shumë fat, pasi goditëm dy herë edhe shtyllën. Por jam i kënaqur, pasi Zoti ishte me ne te penalltitë, tha Prandeli.
Diamanti: Penalltia? Përfytyrova vetëm golin
Krejt papritur ai është kthyer në njeriun më të dashur për italianët pas ndeshjes së djeshme. Alesandro Diamantit i qëlloi që të gjuante penalltinë e fundit për Italinë e Prandelit, ajo që i dha edhe kualifikimin për në gjysmëfinale. Nuk e kisha menduar kurrë në jetën time se do isha në një vend të tillë dhe do përjetoja emocione të jashtëzakonshme. E dominuam gjithë ndeshjen, ndaj do ishte mëkat nëse nuk do kualifikoheshim neve. Penalltia? Mendova vetëm që të bëja gol dhe me një ide fikse që më pas të vrapoja drejt Xhixhit (Bufon) për të festuar me të, pohoi Diamanti.
Mesfushori Pirlo: Pse vendosa të bëja lugën
Andrea Pirlo ka realizuar një 11-metërsh spektakolar, duke i shënuar Xho Hartit me një gjuajtje në formë parabole. Mesfushori italian rrëfen