E Shtunë, 31 Tetor 2026

Flash - Toti: “Dua të fitoj në Mançester”

Përvjetori i ditëlindjes së 31-të është rasti më i mirë për të bërë llogaritë mbi të ardhmen e Francesko Totit. Midis seriozit dhe shakatorit, futbollisti premton se do të luajë shumë gjatë. "De Rosi më thotë që të mos tërhiqem. Të jetë i qetë, se pas katër apo pesë vitesh do t'ia lë të gjitha, shiritin e kapitenit, gjuajtjet e penalltive, të gjitha". Kapiteni i Romës i kthehet një argumenti që e ka shqetësuar gjithnjë dhe e ka ndezur si asnjëherë tjetër: hakmarrja ndaj Mancesterit. "Midis fitores me Interin dhe tri pikëve në Angli? Unë zgjedh të mund "Djajtë e kuq". Ajo natë plot me ankthe dhe me "fantazma" është një kujtim i frikshëm edhe tani, kur Roma e tij është në krye të kampionatit italian. Shtatë gola nuk mund t'i pësosh gjatë një dite të tërë. Zemërimi i asaj mbrëmjeje angleze nuk është ctendosur e gjitha nga Francesko Toti, pikërisht në ditën e përvjetorit të 31-të të tij, ai lëshon sfidën dhe thërret për hakmarrje. "Do të jenë tri ditë zjarri, - pranon kapiteni verdhekuq, duke menduar dy ndeshjet e ardhshme, atë të së shtunës kundër Interit dhe atë të së martës kundër Mancesterit. "Kam një dëshirë të madhe të hakmerrem kundër Mancesterit. Midis një fitoreje kundër Interit dhe një në "Old Traford", zgjedh atë kundër anglezëve". Një deklarim që vërteton edhe ambiciet europiane të Romës së Spaletit dhe grintën e kryeqytetasve. Por, nuk është vetëm Mancesteri në kokën e tij. Toti do të dëshironte t'i kishte dhuratat e tij për ditëlindje në një ditë të vecantë. "Dhurata ime? Shpresoj ta marr në maj". Si për të gjithë lojtarët, edhe për Totin do të vijë momenti kur ai do të varë "këpucët në gozhdë" dhe do të largohet nga futbolli i luajtur. Francesko e di qysh tani se cili mund të jetë roli i tij. "Dëshiroj të bëj atë që bën Bruno Konti apo të stërvis edhe fëmijët, megjithatë do të jem pranë skuadrës. Ma kanë propozuar qysh tani dhe ndihem krenar".
Galiani: "Kolina po na ndëshkon"
"Në Siena, goli i kundërshtarit u shënua kur lojtari ishte dy metra në pozicion jashtë loje dhe në Palermo Amauri e stopoi qartësisht topin me krah", - kjo është deklarata në formë proteste e Adriano Galianit. "Besoj se nuk po shkon gjithcka mirë. E kam të nevojshme të di se cfarë mendon dizenjatori ynë Kolina", - shtoi administratori i deleguar i Milanit. "Preferoj të mos e komentoj Palermo-Milan. Po ndodhin gabime të rënda që po na penalizojnë dhe nuk e di se përse po ndodhin këto gabime", - përfundoi Galiani.
Interi, i varur nga Ibra
Interi po bëhet gjithmonë e më i varur nga Ibra. Dhe këtë e thonë numrat dhe golat, por suedezi e mohon këtë. "Jo, nuk është e vërtetë, jemi të gjithë të fortë. Edhe ata që nisen nga bankina", - këmbëngul sulmuesi gjigant i Interit, i cili shënoi të mërkurën dopietën e tretë sezonale, atë kundër Sampdorias. "Kur të gjithë luajnë mirë, është akoma më e lehtë të luaj edhe për mua. Ndihem mirë, por është e qartë se pa mbështetjen dhe ndihmën e shokëve të mi nuk mund të bëja ato që po realizoj", - shton ai. Të shtunën është ndeshja me Romën, ndeshje "titulli" midis dy skuadrave që janë të parat në klasifikim. Për Ibrahimovicin, Interi nuk ka asgjë për t'u trembur. "Pas ndeshjes së të mërkurës kemi më shumë besim dhe këtë duhet ta shfrytëzojmë kundër Romës. Shkojmë në "Olimpiko" për të fituar". Me një Ibra të tillë, gjithcka është e mundur. Për Mancinin, Zlatan mund të shënojë sa gola të dojë. "Unë kërkoj gjithmonë të krijoj situata për të bërë gol dhe për të shënuar shokët e mi. Pastaj nëse do të shënoj unë do të jetë dicka më shumë, por e rëndësishme është që të shënoj".
"Sun": Ronaldinjo te Celsi në 2008-n
Ronaldinjo do të bashkohet me Celsin në vitin 2008 dhe për këtë është i bindur tabloidi britanik "The Sun", që flet edhe për shifrën e pranueshme prej 20 milionë eurosh. Neni 17 i rregullave të FIFA-s thotë se nëse futbollistët kanë mbushur 28 vjec dhe kanë luajtur në të njëjtin klub për pesë sezone, mund të zgjidhin dy vitet e fundit të kontratës. Pikërisht mbi këtë argument përfshihet edhe rasti i Ronaldinjos. Sipas vëllait-menaxher të jashtëklasit brazilian, Ronaldinjo është shumë mirë në Barcelonë, por kjo nuk do të thotë se nuk do të largohet kurrë prej andej.
Platini: "Tolerancë zero mbi racizmin"
Mishel Platini vazhdon të këmbëngulë: "Tolerancë zero e UEFA-s kundër racizmit, madje gjyqtarët mund të ndërpresin ndeshjen për sjellje të ngjashme". Një ndeshje futbolli është shumë e rëndësishme, - tha numri një i UEFA-s, - por ka disa sjellje që nuk munden të tolerohen më në stadiume. Mundemi të marrim masa të forta: nëse do të na duhet të përjashtojmë tifozët nga stadiumet apo të pezullojmë klubet, këtë do ta bëjmë, derisa do të kemi në stadiume ata njerëz që nuk shkaktojnë kurrë probleme.
Puerta, vdekja jo nga ataku kardiak
Autopsia e Antonio Puertas, mbrojtësit të Seviljes, i cili vdiq më 28 gusht, nuk tregoi probleme kardiake. Lajmin e shkruan e përditshmja "Publico". Fillimisht u mendua se për të vrarë Puertën, 22 vjec, ndoshta ishte një carje e ventrikulës së djathtë, por sipas burimeve mjekësore zemra e Puertës nuk paraqiste anomali. Nëse dhe analizat mikroskopike të mostrës së marrë do të përjashtojë infarktin e miokardit, atëherë do t'i hapej rrugë hipotezës së një infarkti celebral të provokuar nga embolia, që konsiston në humbjen e funksioneve cerebrale për shkak të presionit të lartë të gjakur në disa zona të celerit në tru. Futbolli spanjoll dhe ai ndërkombëtar u shokua me vdekjen e Antonio Puertas, i cili edhe pse u cua në spital nuk mundi të përballojë dot goditjen nga infarkti i zemrës të pësuar gjatë fitores 4-1 të ekipit të tij me Getafen në ditën e parë të sezonit të Temporadës. Ndërkombëtari spanjoll 22-vjecar jetoi për disa ditë falë një frymëmarrjeje artificiale të furnizuar nga një aparat special në spitalin "Virgen del Roko" të Seviljes. Infarkti që Puerta pësoi u shoqërua me dëmtim të trurit.
Babai i Dejvid Bekam pëson infarkt
Dejvid Bekam e la në mënyrë urgjente Los Anxhelosin për t'u kthyer sa më shpejt të ishte e mundur në Londër. Ted Bekam, babai i tij 59-vjecar, pësoi një infarkt kardiak. Të mërkurën në mbrëmje, Ted u transferua në spitalin "Uips Kros" dhe më pas ai u transferua në spitalin "Roajal London". Sipas tabloidit britanik "The Sun", babai i Dejvidit pësoi një arrest kardiak në ambulancë, por mjekët arritën të reanimonin dhe të stabilizonin gjendjen e tij përpara se ta shtronin në spital.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›