E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hamilton: “Edhe unë jam agresiv”

Rritet tensioni në familjen e Meklarenit, tri gara para përfundimit të Kampionatit Botëror të Formula 1. "Baby" Hamilton, lideri aktual në klasifikimin e pilotëve, i ka treguar dhëmbët shokut të skuadrës, pilotit spanjoll Fernando Alonso. "Nëse Alonso ka synim të tregohet agresiv, unë mund të jem si cdokush tjetër". Luis Hamilton dëshmon se nuk ka frikë nga loja e rrezikshme që mund të luajë shoku i tij. "E ndjej se nuk kam asgjë për të humbur. Është ai kampioni në fuqi i botës, kështu që presioni më i madh është maksimalisht mbi të. Objektivi im është të arrij ndër tre të parët. Jam në gjendje ta bëj. Zakonisht Fernando dhe unë kemi set-up të njëjtë dhe shpesh është setapi që unë kam provuar në teste", - tha Hemilton.
Alonso – Spanjolli nga ana e tij është i bindur që do t'ia dalë të fitojë kampionatin. "Kam fituar në pistë dhe kam dëshmuar se mund ta bëj sërish. Në Japoni mund të rikuperoj pikët e munguara. Në vitin 2006 isha me pikë të barabarta me Shumakerin, pastaj fitova". Sfida me Hamiltonin nuk e shqetëson: "Te Meklareni nuk kam probleme me mekanikët dhe teknikët dhe makina, në raport me cirkuitin e SPA, është e përmirësuar. Kam gjithcka për të fituar. Pole pozition vendoset në 3-4 kthesat e fundit, por kush do të tërhiqet nga gara do ta humbë kampionatin. Zërat e merkatos? Nuk më kushtëzojnë".
Raikonen – Është plotësisht i bindur se ka shanse për të fituar kampionatin e parë të tij. "Nuk do të ndalojmë, do ta provojmë deri në fund", - pohon Kimi Raikonen, në vigjilje të Cmimit të Madh të Japonisë. Piloti finlandez nuk pretendon asgjë nga shoku i tij i skuadrës, Felie Masa, i cili duket se është jashtë lojës për titull. "Nuk pres asgjë, kërkojani skuadrës". Kushtet meteorologjike për të dielën duken jo të qëndrueshme. "Nëse do të ketë shi apo jo, për mua është e njëjtë. Miks nuk më pëlqen, krijon shumë konfuzion", - thotë Raikonen.
Masa - "Nuk është e mundur që unë nuk do të jem te Ferrari sezonin e ardhshëm, kam një kontratë që skadon vitin tjetër", - thotë piloti brazilian. "Shpresoj ta përfundoj karrierën time me këtë skuadër që është e shkëlqyer". Masa siguron se ka akoma për të thënë fjalën e tij gjatë këtij sezoni: "Mund të jemi kompetitivë, por e vështirë për të ditur se më shumë apo më pak se Meklareni". Masa shton se është i disponueshëm të ndihmojë Raikonen: "Nëse unë nuk do të kem më shanse, nuk do të kemi probleme".

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›