Flasin para mbikëqyrësve

Kryeministri Hashim Thaçi do t’iu flasë sot në Vjenë diplomatëve të Grupit Mbikëqyrës Ndërkombëtar (ISG) për të arriturat në Kosovës gjatë muajve të fundit.
Në këtë takim marrin pjesë edhe Përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar, njëherësh Përfaqësuesi special i Bashkimit Europian Pieter Feith.
Kreu i ekzekutivit të vendit para Grupit Mbikëqyrës Ndërkombëtar do të flasë për zhvillimet në Kosovë dhe sfidat me të cilët po ballafaqohet shteti i ri.
Pjesë e kësaj paraqitje të Kryeministrit do të jenë edhe zotimet e institucioneve të Kosovës për thellimin e reformave demokratike që Raporti i Progresit për vitin 2010 të jetë shumë më pozitiv për të sotmen dhe të ardhmen europiane, hapjen e perspektivës për liberalizimin e vizave dhe hapjen e dialogut për stabilizim-asociim.
Për zhvillimet në Kosovë do të flasë edhe Pieter Feith.
Ditë më parë ai ka deklaruar se tri prioritet më të rëndësishme për Kosovën janë arritja e një Raporti më të mirë Progresi, prani të shtuar të BE’së në Veri, si dhe dyfishim të përpjekjeve për forcimin e sundimit të ligjit.
Në takimin e radhës së Grupit Mbikëqyrës në Vjenë do të diskutohet edhe rreth Strategjisë për vendosjen e ligjshmërisë në pjesën Veriore të Kosovës.
Diplomatët ndërkombëtarë pritet t’i japin mbështetje këtij plani të hartuar nga institucionet kosovare dhe Zyra Civile Ndërkombëtare.
Në takim gjithashtu do të rishikohet edhe mandati i Shefit të Zyrës Civile Ndërkombëtare.
Pas shpalljes së pavarësisë të Republikës së Kosovës më 17 Shkurt 2008, me kërkesë të udhëheqësve të Kosovës, më 28 shkurt 2008 një grup i shteteve formoi Grupin Ndërkombëtar Drejtues.
Shtetet anëtare të Grupit Mbikëqyrës Ndërkombëtar janë Austria, Belgjika, Bullgaria, Kroacia, Republika e Çekisë, Danimarka, Estonia, Finlanda, Franca, Gjermania, Hungaria, Irlanda, Italia, Letonia, Lituania, Luksemburgu, Holanda, Norvegjia, Polonia, Sllovenia, Zvicra, Suedia, Turqia, Britania e Madhe dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.