Mustafaj: Negociatat me presidentin pa kushte

Ish ministri i Jashtëm Besnik Mustafaj ka deklaruar se pozita dhe opozita në Shqipëri nuk duhet të venë parakushte kur është fjala për zgjidhjen e ngërçit politik me anë të institucionit të presidentit. Në një intervistë për Zërin e Amerikës Mustafaj theksoi se se në qoftë se bëhet fjalë për politikë, politika gjithmonë ka rrugëzgjidhje. "Vetëm në mungesë të politikës prodhohen ngërçet, pra unë pretendoj që edhe kryeministri Berisha dhe zoti Rama sidomos, të bëjnë politikë, sepse politika i ka mundësitë gjithmonë të pashtershme prandaj është politika në demokraci. Kështu që në këtë kuptim, unë nuk jam pesimist për mundësitë në vetvete, shpesh herë bëhem pesimist për mundësitë që i japin protagonistët, dhe kjo është një gjë që duhet mbajtur mirë parasysh" theksoi Mustafaj.
Ndërsa duke folur për marrëveshjen detare me Greqinë, zoti Mustafaj thotë se qeveria do të përfitojë nga kjo mundësi e re që i dha Gjykata Kushtetuese për të negociuar një marrëveshje më të mirë.