Rritja e pagave, çështje e mundësive

Protestat e ditëve të fundit nga punonjësit policor dhe atyre të shëndetësisë, kanë bërë që edhe punonjës të sektorëve tjerë të reagojnë duke paralajmëruar që nga e hëna të mbajnë protesta dhe greva me qëllim të plotësimit të kërkesave për rritje pagash dhe kushte më të mira të punës. Zyrtarë të Qeverisë së Kosovës kanë thënë se edhe Qeveria do të kishte dëshirë që në Kosovë pagat minimale të jenë 2000 euro, por mundësitë buxhetore nuk janë të tilla. Ekspertë të ekonomisë kanë thënë se hartuesit e buxhetit duhet që para se ta aprovojnë buxhetin, të analizojnë gjendjen sociale në Kosovë më mirë dhe të dinë të bëjnë shpërndarjen e këtij buxheti.
Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Memli Krasniqi ka thënë për Kosovapress, se këto dy vjetët e fundit ka pasur rritje të pagave dhe përmirësim të kushteve të punës në të gjithë sektorët më shumë se sa që ka pasur tetë vitet e kaluara, por edhe këto rritje do të vazhdojnë edhe në të ardhmen, por gjithnjë brenda mundësive buxhetore.
“Rritja e pagave ka filluar, rritje të pagave kanë që të gjithë që nga 1 janari, rritje të pagave në fakt kanë pasur edhe policia, rritje të pagave ka pasur në të gjithë sektorët ka pasur edhe në vitin e kaluar një pjesë e madhe, edhe në këtë vit një pjesë e madhe, vjet kanë pasur rritje të pagave të gjithë shërbyesit civil, edhe punëtorët e uniformuar edhe punëtorët shëndetësor”, ka thënë Krasniqi.
Sipas tij, buxheti nuk varet prej dëshirave, por prej mundësive reale që i ka Kosova dhe shpërndarjes duke u bazuar në rregullat fiskale që duhet ndjekur nga secili shtet.
Ai tha se Qeveria e Kosovës ka pasur një bashkëpunim të mirë me përfaqësuesit legjitim sindikal dhe shpreson se nuk do të kenë probleme brenda sindikatave të ndryshme që përfaqësojnë punonjësit e një sektori, sepse ajo e vështirëson edhe komunikimin me ta.
“Edhe Qeveria do të kishte dëshirë që në Kosovë pagat minimale me qenë 2000 euro, por realisht mundësit nuk janë të tilla dhe besoj se qytetarët duhet të kenë mirëkuptim, sepse paga nuk është çështje e vullnetit të Qeverisë. Paga është çështje e mundësive ekonomike që i ka Republika e Kosovës, dhe nuk varet prej vullnetit as të Qeverisë, as të Kuvendit, e aq më pak partive politike opozitare të cilave ne u bëjmë ftesë mos me i keqpërdor kërkesat e punëtorëve”, ka thënë Krasniqi.
Protestat e fundit dhe ato që janë paralajmëruar për javën që po hyjmë për kryetarin e Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) Haxhi Arifi, nuk janë diçka e papritur.
Arifi ka thënë për Kosovapress se BSPK-ja ka kohë që ka paralajmëruar për mundësinë e shpërthimit të pakënaqësisë sociale, ndërkohë që ka munguar dialogu i nevojshëm për zgjidhjen e krizës ndërmjet sindikatës dhe Qeverisë së Kosovës.
“Ne me kohë e kemi paralajmëruar Qeverinë se duhet të bisedojmë, në mënyrë që të mos grumbullohen problemet qe sa vite dhe sikur të kishte dialog ndërmjet BSPK-së dhe Qeverisë nuk do të vinim deri te kjo situatë, sepse punëtorët në kërkesat e tyre janë shumë të drejtë”, ka thënë Arifi.
Sipas tij, ekzekutivi vendor duhet të punojë më shumë për të parë mundësitë se si të dilet nga kjo gjendje, edhe përkundër asaj se dihet se cilat janë mundësitë buxhetore.
“Buxheti mundet pak më ndryshe të shpërndahet, sepse ka mundësi, por e keqja është se ata bëjnë marrëveshje, por kurrë nuk i realizojnë. Të gjithë e kuptojmë kur nuk ka, por kur bisedohet dhe premtohet ajo është diçka tjetër. andaj nuk është nevoja me dhënë premtime. Unë mendoj se brenda buxhetit ekzistues ka edhe për të tjerët dhe jo vetëm për ata të cilët i kanë pozicionet”, ka thënë Arifi.
Muhmet Sadiku, nga instituti “Riinvest”, konsideron se situata e krijuar ditëve të fundit me protestat e punonjësve policor dhe atyre të shëndetësisë, ka sjellë në sipërfaqe edhe punonjësit e sektorëve të tjerë të cilët do të dalin me kërkesat e tyre për rritje të nivelit të pagave.
Kjo situatë, sipas tij, nuk është krijuar këtë vit, por pagat e ulëta dhe kushtet e punës janë çështje që kanë vazhduar që nga pas lufta.
“Qeveria po bënë përpjekje që disave të ju plotësojë kërkesat dhe kjo tani ka provokuar një situatë ku të gjithë tani janë ngritur në këmbë dhe kanë kërkesat e veta për rritjen e nivelit të pagave”, ka thënë Sadiku për Kosovapress.
Për të dalë nga kjo gjendje, Sadiku vlerëson se është e nevojshme të ketë një dialog më të mirë sindikatë-qeveri rreth ngritjes së pagave.
“Mendoj që ka munguar një komunikim së paku në periudhat e deritashme ndërmjet Qeverisë dhe segmenteve të caktuara të shërbimeve qeveritare dhe kjo i ka ngritur pritjet për nivelin e rritjes së pagave, dhe tash është e vështirë që të ballafaqohemi me të gjitha këto kërkesa brenda një kohe të shkurtër. Kjo na ka sjellë në një situatë shumë të vështirë, andaj hartuesit e buxhetit duhet që para se ta aprovojnë buxhetin, të analizojnë situatën sociale në Kosovë më mirë”, ka thënë Sadiku.
Lëvizja “Vetëvendosje”, në një komunikatë për media, ka reaguar për protestat e fundit duke thënë se të gjithë punonjësit në Kosovë duhet të bashkohen dhe të protestojnë bashkë, meqenëse kërkesat e tyre janë të ngjashme.
“Kërkesat për rritje të pagave dhe përmirësimit të kushteve të punës janë minimale krahas asaj që i nevojitet Kosovës, pasi që nuk është aspak e vërtetë që rritja e tyre është e pamundshme”, thuhet në komunikatë.
Ndërkaq lidhur me paralajmërimin dhe protestat e mbajtura nga këta punonjës gjatë këtyre ditëve dhe ditëve në vijim, ka reaguar edhe opozita kosovare, duke adresuar kritika të rënda drejt Qeverisë së Kosovës për mos përmbushjen e premtimeve të dhëna nga ta duke i bërë thirrje Qeverisë që të krijojë grupin e zgjeruar të ekspertëve për të hartuar strategjinë për uljen e varfërisë dhe ngritjen ekonomike.
Pas protestës së punonjësve shëndetësor, policëve të Kosovës, punëtorëve të fabrikës “Llamkos” dhe atyre të Teatrit Kombëtar, për javën e ardhshme greva dhe protesta kanë paralajmëruar punëtorët e Shërbimit Korrektues të Kosovës, punëtorët e gjykatave dhe prokurorive, Sindikata e Administratës publike, si dhe ajo e Administratës Tatimore. /Kosovapress/