E Shtunë, 31 Tetor 2026

Flasin për Ferizajn

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga ka takuar të martën Liderin e Vetëvendosjes, Albin Kurtin, për të diskutuar rreth datës për mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në Ferizaj. Kurti e Jahjaga ndër të tjera thuhet të kenë ndarë mendime edhe për Këshillin për Integrime Europiane, të cilin ka paralajmëruar ta themelojë e para e shtetit.

Dorëheqja e Kryetarit të Komunës së Ferizajt, Bajrush Xhemjali për shkak të dënimit që ka marrë për shkaktim të aksidentit rrugor me fatalitet, i ka hapur rrugët edhe subjektit më të ri politik në vend që të garojë për qeverisjen lokale.

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje madje u takua të hënën edhe me Presidenten e Shtetit, Atiftee Jahjaga, që të japë mendimin e tij rreth datës së mbajtjes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme në Ferizaj.

Në njoftimin për media të Presidencës, thuhet se takimi mes Kurtit dhe Jahjagës është vazhdë e takimeve të cilat e para e Shtetit i ka zhvilluar me liderët e subjekteve politike për të marrë qëndrimet rreth datës për zgjedhjet e jashtëzakonshme që pritet të mbahen në Ferizaj.

“Presidentja e Republikës së Kosovës dhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje diskutuan edhe për shpalljen e zgjedhjeve për kryetar në Komunën e Ferizajt, pas dorëheqjes së kryetarit të Komunës, në kuadër të konsultimeve që i ka filluar me subjektet politike në Kosovë”, thuhet në njoftim.

Ndër të tjera thuhet se Jahjaga dhe delegacioni i Kurtit kanë ndarë mendime edhe rreth zhvillimeve të fundit politike në vend. Ndërkohë që e para e Shtetit e ka njoftuar liderin e VV’së për synimet e saj për kohën që i ka mbetur në postin që ka.

“Biseduan për zhvillimet aktuale në Kosovë, me theks të posaçëm për nismën e Presidentes për krijimin e Këshillit Kombëtar për Integrime Europiane, mekanizëm ky bashkërendues institucional", vazhdon njoftimi i Presidencës.

Sipas këtij të fundit, Jahjaga ka theksuar se Këshilli Kombëtar për Integrime Europiane, formimin e të cilit e kishte premtuar në dhjetor të vitit të kaluar para deputetëve, synon ndërtimin e konsensusit institucional dhe shoqëror në procesin e integrimit europian.

Ndërkohë që ky nuk do të ishte këshilli i parë, të cilin Jahjaga do ta formonte. Muajin e kaluar ajo themeloi Këshillin Antikorrupsion, por përveç deklarimeve publike, deri më tani nuk është parë ndonjë aktivizim i këtij organi.

Ndryshe, përveç takimit me Kurtin, Jahjaga ditëve të fundit ka takuar edhe Isa Mustafën dhe Hashim Thaçin, pikërisht për t’u marrë vesh rreth një date të përshtatshme për zgjedhjet komunale në Ferizaj.

Ndërkohë, Këshilltari politike i Presidentes, Ramush Tahiri kishte konfirmuar për Express ditë më parë se 22 dhe 29 prilli i këtij viti po diskutohen si afate potenciale.

E, për partinë e Albin Kurtit, kjo do të ishte hera e parë e pjesëmarrjes në zgjedhje lokale.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›