E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nis Fizibiliteti

Kosova sot edhe zyrtarisht merr studimin e fizibilitetit, si hap i parë drejt nënshkrimit të Marrëveshjes për Stabilizim-Asociimin me Bashkimin Europian. Pas takimeve me Presidenten dhe Kryeministrin, Komisari Fule do të lansojë këtë studim edhe formalisht në mbledhjen e parë të Këshillit Kombëtar për Integrime që do të mbahet gjatë ditës.

Komisari Europian për Zgjerim, Stefan Fule do të qëndrojë sot për vizitë në Kosovë, ku pos takimeve me zyrtarët më të lartë shtetërorë, do të lansojë edhe studimin e fizibilitetit për Marrëveshjen për Stabilizim-Asociim me BE’në.

Studimi i fizibilitetit, i cili iu aprovua Kosovës pas progresit të bërë në dialogun me Serbinë, synon të identifikojë fushat ku Kosova duhet të bëjë progres të mëtutjeshëm, në mënyrë që të mund të nënshkruajë Marrëveshjen për Stabilizim-Asociim me Bashkimin Europian.

Kjo marrëveshje, është hap i parë përmes të cilit synohet që të arrihet statusi i shtetit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Europian.

Sipas zyrtarëve të BE’së, studimi pritet të zgjasë përafërsisht 6 muaj, apo deri në vjeshtë të këtij viti, kur edhe do të publikohet një raport, i cili do të specifikojë detyrat e shtëpisë që Kosova duhet t’i bëjë para se të nënshkruajë MSA’në.

Agjenda e Komisarit Fule të martën do të nisë me një takim me Presidenten Atifete Jahjaga, pastaj me Kryeministrin Thaçi. Ndërsa pas këtyre takimeve, Fule do të marrë pjesë në mbledhjen e Këshillit Kombëtar për Integrime Europiane, ku edhe do të lansojë formalisht nisjen e studimit të fizibilitetit.

Sipas zëdhënëses së Fules, Anca Paduraru, gjatë këtij takimi, Komisari do të flasë për rëndësinë e studimit të fizibilitetit për Kosovën dhe nevojës për t’iu qasur agjendës europiane në mënyrë gjithëpërfshirëse dhe konsensuale.

“Komisioneri Fule do të lansojë zyrtarisht studimin e fizibilitetit në takimin e parë të Këshillit Kombëtar për Integrim Evropian, i cili është një organ këshillëdhënës që paraqet një forum gjithëpërfshirës për diskutim të agjendës europiane”.

Sipas Paduraru, Komisioneri Europian gjatë ditës do të takojë edhe zyrtarë të tjerë të Qeverisë së Kosovës. Përveç takimeve me Presidenten Jahjaga dhe Kryeministrin Thaçi, Fule do të takohet edhe me anëtarë të tjerë të Qeverisë, duke përfshirë këtu dy zëvendëskryeministrat, Ministren për Integrim Europian dhe Ministrin e Punëve të Jashtme.

Vizitën e Komisionerit Fule në Kosovë dhe lansimin e studimit të fizibilitetit, zyrtarë të Qeverisë së Kosovës e kanë vlerësuar si shumë të rëndësishme, dhe si avancim të proceseve integruese të Kosovës.

Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi, gjatë ditës së hënë, ka thënë se studimi është shenjë e mirë, pasi që Kosovës po i hapen rrugët drejt integrimeve europiane. Sipas Kuçit, deri tani ka pasur pengesa politike nga pesë shtetet e BE’së, të cilat nuk e kanë njohur Kosovën, por se ky hap i parë është shumë i rëndësishëm në procesin gjithëpërfshirës të integrimeve europiane të Kosovës.

Kjo është shenjë e mirë për Kosovën, pasi që përbën hapin e parë drejt integrimeve europiane të Kosovës. Në fund të studimit, do të jetë e qartë se cilat janë detyrat e shtëpisë që Kosova duhet t’i kryejë”, ka thënë Zëvendëskryeministri.

Studimi i fizibilitetit është parakusht për nënshkrimin e Marrëveshjes për Stabilizim-Asociim me Bashkimin Europian.

Për të qenë në gjendje të nënshkruajë marrëveshjen, Kosova duhet të nënshkruajë së pari marrëdhënie kontraktuale me BE’në, gjë për të cilën nevojitet edhe pajtimi i pesë shteteve të BE’së të cilat nuk e kanë njohur Kosovën. Para se Kosova të mund të nënshkruajë MSA’në me Bashkimin Europian, ajo duhet të ratifkohet nga parlamentet e secilit shtet anëtar të BE’së.

Ndryshe, Komisari Fule gjatë vizitës së tij në Kosovë, do të sjellë disa mesazhe të rëndësishme për institucionet e Kosovës. Mes tyre, janë zbatimi i marrëveshjeve të arritura deri tani mes Kosovës dhe Serbisë, dhe vazhdimi i dialogut.

Siç ka mësuar Express ditë më parë nga burime brenda BE’së, Fule gjithashtu do të kërkojë nga institucionet vendore përkushtim më të madh në gjetjen e një zgjidhjeje për Veriun e Kosovës. Sipas zyrtarëve të BE’së, Komisari nuk do të vijë me kërkesa specifike për Veriun, por do të ritheksojë përkrahjen e Komisionit Europian për një agjendë gjithëpërfshirëse për këtë pjesë të vendit, si dhe do të kërkojë mendimin e palës kosovare për këtë çështje.

Sipas burimeve të Expressit, mbetet përgjegjësi e institucioneve vendore që të krijojnë një strategji për integrimin e kësaj pjese. Edhe pse BE’ja gjetjen e një zgjidhje për Veriun e sheh si aspekt teknik të dialogut, megjithatë, duhet të kërkohen aranzhime të cilat janë në kontekst të kohës dhe të rrethanave aktuale.

“Ne gjithmonë kemi thënë se dialogu është teknik. Por, ajo që dëshirojmë të shohim është se si është zhvilluar qasja e Kosovës ndaj Veriut këta muajt e fundit. Ne nuk dëshirojmë të imponojmë zgjidhje dhe për këtë jemi në pozitë të dëgjimit tani”, patën thënë për Express burime brenda BE’së.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›