Rrjeti i Kosovës
Që nga sot, për tri ditë me radhë, do të mbahet konferenca “Rrjeti Transatlantik”, me temë “Fuqizimi i Ballkanit”, ku do të takohen një grup prej 40 liderëve me të mëdhenj të rinj nga Amerika Veriore, Meksika, Kanadaja, por dhe nga shtete të tjera që s’e kanë njohur Kosovën.
Qëllimi i kësaj konference është thellimi i bashkëpunimit me shoqërinë civile nga vende të ndryshme si dhe lobimi për njohjen e Kosovës të mos mbetet vetëm në sferën e diplomacisë klasike, por kjo të bëhet edhe përmes diplomacisë publike.
Petrit Selimi, Zëvendësministër i Punëve të Jashtme, tha se ky është vazhdim i mëtutjeshëm i bashkëpunimit të thellë mes Qeverisë së Kosovës, përkatësisht Ministrisë së Punëve të Kosovës dhe Ambasadës së Britanisë së Madhe në Prishtinë dhe vazhdimi i bashkë investimeve në diplomacinë publike.
Si pjesë e këtij projekti me Ambasadën e Britanisë së Madhe dhe British Council, sipas Selimit, do të jetë edhe organizimi për herë të parë i evenimenteve dhe konferencave në këto kryeqytete, ku nga Kosova atje do të shkojnë liderët e shoqërisë civile, të politikës, të biznesit, me qëllim që në këto qytete të krijojnë rrjete të reja, duke thelluar bashkëpunimin dhe të ndihmojnë në njohjet nga shtete që s’e kanë njohur Kosovën.
Në lobimin për Kosovën, sipas Selimit, përveç diplomacisë klasike, ku ministrat flasin me ministrat dhe me partnerët e Kuintit, një pjesë tjetër të detyrave duhet të kryhen edhe nga shoqëria dhe publiku, në mënyrë që lobimi të mos reduktohet vetëm në komunikim formal, me nota verbale, por në një spektër më të gjerë të publikut.
Ai tha se tashmë dihet se në shumë shtete, nuk është vetëm dëshira për mosnjohje nga ana e Qeverisë, por ka edhe rezistencë nga publiku për mosnjohjen e Kosovës.
MPJ’ja dhe Ambasada britanike, sipas tij, kanë ardhur në konkluzion se pjesë e lobimit duhet të jenë edhe thellimi i kontaktit dhe rrjetëzimi me opinionbërësit dhe politikbërësit, që nuk janë vetëm diplomatë, por që ky bashkëpunim të thellohet edhe me media, edhe shoqërinë civile, në mënyrë që të ketë raportime më pozitive nga Kosova, duke iu ndihmuar shteteve të ndryshme që të marrin vendimin e duhur në raport me Kosovën.
Ndërsa Arieta Emra, drejtoreshë ekzekutive e British Council, tha se ky aktivitetet është në vazhdën e konferencave të vitit të kaluar dhe se këtë radhë në Kosovë do t’i sjellin 40 pjesëmarrës të Amerikës Veriore, Meksikës dhe Europës, në fokus të veçantë me shtetet që s’e kanë njohur Kosovën.
Tema e konferencës, sipas saj, do të jetë “Fuqizimi i Ballkanit”, pasi që momentalisht Ballkani ka një momentum të ri dhe ka zhvillime pozitive. Kështu që Kosova, sipas saj, këtë herë mirëpret 40 pjesëmarrës, të cilët diskutojnë në katër sektorë të ndryshëm. Pjesëmarrësit vijnë nga mediat, biznesi, qeveritë dhe shoqëria civile.
Konferenca, e cila fillon nesër, do të mbahet për tri ditë, e quajtur “Rrjeti Transatlantik”, është konferencë globale dhe për herë të parë është vendosur që në Kosovë të takohen një grup prej 40 liderëve me të mëdhenj të rinj nga Amerika Veriore, Meksika, Kanadaja, por edhe nga shtetet e tjera që s’e kanë njohur Kosovën.