Flavio Briatore mund të rikthehet në Formula 1
Flavio Briatore mund t’i rikthehet Formula 1, pasi Gjykata e Instancës së Lartë në Paris ka anuluar vendimin e Këshillit Botëror të FIA-s që e përjashtonte atë përjetë nga ky sport. Anulimi i vendimit u bë në seancën e ditës së martë në kryeqytetin francez, ku ish-bosi i skuderisë Reno ka fituar betejën me Federatën Botërore të Automobilizmit. Briatore ishte pezulluar përjetë, pas akuzave për trukimin e garës së Singaporit, ku ai organizoi përplasjen e Nelsinjo Pike me muret e pistës për të përfituar piloti tjetër, Fernando Alonso. Kjo bëri që në pistë të futej makina e sigurisë dhe piloti spanjoll të fitonte garën e vitit 2008, por një vit më pas, beteja mes Pikesë dhe Briatores bëri që të dilte në skenë një skandal i stërmadh. Këshilli Botëror i FIA-s, që komandohet nga armiku i Briatores Maks Mosli, e dënoi atë me përjashtim përjetë nga Formula 1 dhe me 1 milion euro gjobë. Kjo bëri që ish-bosi i Renosë dhe njëkohësisht partneri i biznesit me pronarin e Formula 1 Berni Ekleston, t’i drejtohej drejtësisë së zakonshme, ku tashmë ka fituar. FIA është detyruar të martën të informojë të gjitha skuderitë për vendimin e marrë, ndërsa vetë Briatore ndodhej në shtëpinë e tij në Kenia kur ka mësuar lajmin. Gjykata ka vlerësuar se procedimi ndaj tij ka qenë i parregullt. Ndërkaq, gjoba prej 1 milionë eurosh është reduktuar në vetëm 15 mijë. Sa i përket të dënuarit tjetër, ish-drejtorit teknik të Renosë Pat Sajmonds, që ishte pezulluar për 5 vjet, Gjykata e Instancës së Lartë ka vendosur që t’i hiqet ky pezullim dhe të dëmshpërblehet me 5 mijë euro. (e.n/A.Latifi/BalkanWeb)