E Shtunë, 31 Tetor 2026

KSHH: Zgjedhjet e qershorit, pa standarde

Zgjedhjet e 28 qershorit vlerësohen në raportin përfundimtar të Komitetit Shqiptar të Helsinkit si një proces që nuk arriti standardet ndërkombëtare. Duke iu referuar raportit, disa nga shkeljet që u shënuan në këto zgjedhje ishin votimi familjar në disa zona, roli i KQZ-së gjatë procesit të shpalljes së rezultatit dhe çështja e dokumenteve të identifikimit. Objekt i këtij vëzhgimi ishin ngritja dhe funksionimi i administratës zgjedhore, pajisja e qytetarëve me karta identiteti, shpallja e listave paraprake dhe përfundimtare të zgjedhësve, si dhe vëzhgimi i disa elementeve të fushatës elektorale, procesi i votimit dhe numërimit të votave. KSHH-ja monitoroi rreth 700 qendra votimi në rrethet kryesore të vendit. U vëzhguan gjithashtu rreth 25 qendra të numërimit të votave në KZAZ të përfshira në zonat ku u shtri vëzhgimi. Sipas nenit 179 të Kodit Zgjedhor, në zgjedhjet e 28 qershorit 2009 do të votohej vetëm me pasaportë për jashtë shtetit ose me karta identiteti. "Këshilli i Ministrave ngarkohej të nxirrte aktet përkatëse nënligjore për pajisjen me përparësi me karta identiteti të zgjedhësve që nuk dispononin pasaporta të vlefshme për jashtë shtetit. Po në këtë dispozitë Ministria e Brendshme ngarkohej të informonte për ecurinë e këtij procesi KQZ-në në mënyrë periodike, por jo më vonë se një herë në muaj", thuhet në raport.

Në raport citohet se votimi familjar u tolerua nga komisionet e qendrave të votimit, të cilat u konstatuan në Korçë, Kukës, Durrës dhe Fier. Për sa i përket rolit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në raport kritikohet kryetari i tij, Arben Ristani. Thuhet se ky institucion nxitoi në shpalljen e rezultateve dhe kryetari i saj për marrjen e disa vendimeve joprofesionale dhe politike. KSHH sugjeron që kryetari i KQZ-së të jetë më i

rezervuar dhe më i matur në prononcimet publike dhe të mos vihet në rolin e "arbitrit" ose të një "ndërmjetësi ekuilibrues".

Më datën 1 gusht 2009, KQZ-ja shpalli rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve dhe pas këtij rezultati KSHH vëren se "duke u njohur me listat shumemërore rezulton se për LSI-në, PBDNJ-në, PDI-në dhe PR-në nuk kishte fituar asnjë kandidate femër. PD-ja nga 68 mandate kishte 10 femra fituese ose 14.7%, ndërsa PS-ja nga 65 mandatet kishte 12 femra fituese ose 18.4%. Parlamenti prej 140 deputetësh do të ketë vetëm 22 femra ose 16% të të gjithë deputetëve". Një çështje tjetër që u bë objekt diskutimi në mbledhjen e KQZ-së ishte dhe qëndrimi që duhet të mbante KQZ-ja lidhur me rastet kur në listat shumemrore ishin përfshirë edhe kandidatë që, sipas nenit 69 të Kushtetutës, duhet që më parë të largoheshin nga detyrat që kishin. "Fillimisht u tha se KQZ nuk kishte ndonjë detyrim ligjor për ta shqyrtuar këtë çështje, ndërsa më vonë kur listat shumemërore ishin miratuar, u pranua se kjo përbënte shkelje, por riskun e së cilës le ta mbanin vetë partitë politike, ndërsa KQZ-ja mund t‘u bënte atyre vetëm një njoftim, edhe pse dihej se ky njoftim i vonuar nuk do të kishte ndonjë efekt. Sipas Kodit Zgjedhor, listat pas miratimit nuk mund të ndryshonin. Veç kësaj, largimi nga detyra duhej bërë para miratimit të listave, në të kundërtën mandati i fituar në kundërshtim me nenin 69 të Kushtetutës konsiderohet i pavlefshëm", thuhet në raportin e KSHH. Komiteti Shqiptar i Helsinkit mendon se KQZ-ja duhet ta shqyrtonte këtë çështje dhe të mos miratonte kandidatin që nuk kishte dhënë efektivisht dorëheqjen.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›