E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS: Berisha vazhdon teatrin absurd. Arka e shtetit nuk ka para

Partia Socialiste vazhdon paralajmërimin e saj se kriza ekonomike financiare po prek deri në palcë vendin. Deputeti i PS-së, Erion Braçe, theksoi dje se sektorët jetikë të vendit si rendi, siguria, mbrojtja, arsimi dhe shëndetësia po futen në krizë. Braçe vazhdon sulmin ndaj numrit një të shumicës, duke thënë se Sali Berisha, Kryeministri i pamandatuar i shqiptarëve, po vazhdon të thellojë krizën ekonomiko-financiare në vend. "Prej disa muajsh, Sali Berisha po refuzon të dëgjojë rekomandimet e ekspertëve vendas dhe atyre ndërkombëtarë, të FMN-së e BB-së, për masa të shpejta e të forta për të rikuperuar pasojat e krizës ekonomike globale, por tashmë edhe të krizës për shkak të shpërdorimeve të tij qeveritare", thotë Braçe. Sipas tij, tanimë është shumë vonë dhe dëmi po ndodh. "Të ardhurat në buxhet po bien muaj për muaj brenda tyre. Të ardhurat tatimore po bien ditë për ditë po brenda tyre. Të ardhurat nga TVSH, tatimfitimi, akciza, po bien frikshëm, në shtatë muaj me 10 miliardë lekë të reja. Të ardhurat e pushtetit vendor po bien, nga ato që quhen taksa familjare mungojnë 2.9 miliardë, duke transferuar krizën pushtet më pushtet e familje më familje", theksoi Braçe. Deputeti i PS-së shtoi se të ardhurat nga dërgesat e emigrantëve kanë rënë deri më 40%, kreditë janë ulur dhe kreditë e këqija janë shtuar. "Monedha vendase, leku, në muajin e saj më të mirë dhe nën efektin e supozuar të prodhimit vendas, po zhvlerësohet me orë", sqaroi ai. Partia Socialiste bën me dije se deficiti tregtar po thellohet rrënueshëm. "Deficiti buxhetor po rritet tej të gjitha limiteve të vendosura me ligj nga Kuvendi, duke rritur në 443 milionë dollarë e duke e rrëzuar atë", tha Braçe. Deputeti i PS-së hedh kritika për punën e Kryeministrit, duke thënë se "në vend që të dëgjojë, të lexojë vetë analizat e kabinetit të tij mbi treguesit fiskalë të 7-mujorit, të cilave po i referohemi, Sali Berisha vazhdon teatrin e tij absurd të përurimeve për vepra për të cilat arka e shtetit nuk ka para". Braçe thekson se kriza ka rrëzuar buxhetin e shtetit dhe arka e shtetit është bosh. "Këtë e dëshmon më së miri realizimi i investimeve publike, me paratë e buxhetit të shtetit, sipas raportimeve të thesarit te Kryeministri i vendit", tha ai. Sipas të dhënave nga Partia Socialiste, ministria që ka realizuar më pak investime në shtatë muaj është ajo e Brendshme. "Ministria e Brendshme ka realizuar vetëm 9.71% të investimeve për shtatë muaj, 148.9 milionë lekë nga 1.5 miliardë lekë", tha Braçe. Pas saj vjen Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Arsimit, Ministria e Bujqësisë, Ministria e Turizmit dhe ajo e Shëndetësisë. "Duke dëshmuar krizën e arkës së shtetit, por edhe duke futur në krizë sektorët jetikë të jetës së vendit, rendi, siguria, mbrojtja, arsimi, shëndetësia. Gjithë sa thashë, nuk janë salillëqe, por fakte, analiza, mbi të gjitha numra të dy dokumenteve të kabinetit të Sali Berishës, që i fshihen qëllimisht publikut", tha Braçe.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›